E Martë, 3 Nëntor 2026

“Policia dekonspiroi kapjen e tre trafikantëve në Greqi”

03/12/2004  TIRANË -Pendesa e Ilir Ajazit, duket se nuk ka toleruar as të afërmit e tij. I arrestuari me mbi tre kile heroinë, pasi ka pranuar akuzën e Prokurorisë ka filluar dëshminë për organizatën në të cilën bënte pjesë prej më shumë se dy vitesh. Prokuroria e Krimeve të Rënda ka filluar dje verifikimin e të gjithë personave që kanë lidhje fisnore me të arrestuarin për trafik droge. Objekti i verifikimeve të filluara është zbardhja e dyshimeve për një “organizatë të trafikut të drogës me karakter fisnor”. Shoferi i ambasadës greke në Tiranë, i cili u kap me tre kile heroinë, pesë ditë më parë, ka shfaqur në seancat e pyetjeve me prokurorët, figurën e një “të penduari”. “I pandehuri për trafikim ndërkombëtar të drogës, ka dëshmuar për më shumë se 30 persona të përfshirë në rrjetin e narkotrafikut. Mes këtyre personave, sipas provave hetimore, ka edhe të afërm të personit të arrestuar”, thanë burimet zyrtare nga organi i hetimeve.

Hetimi

Pasuria, vendbanimet, kontaktet, bisedat telefonike dhe aktiviteti i personave të afërt të fisit dhe shoqërisë së Ilir Ajazit, prej ditës së djeshme ndodhen “në syrin e ciklonit”. Hetuesit kanë filluar verifikime dhe kontrolle të imtësishme për secilën nga këto fusha. Ata kërkojnë të vërtetojnë dyshimet, se pjesa kryesore e rrjetit që e sillte drogën nga Turqia në Shqipëri dhe më pas e dërgonte në Greqi, mund të kenë lidhje farefisnore. Prokuroria Përgjithshme protestoi dje ndaj veprimeve të policisë. Sipas burimeve zyrtare nga organi qendror i hetimeve, policia ka dekonspiruar aksionin e arrestimit të tre personave, qe e prisnin drogën e nisur nga Shqipëria me makinën e shoferit të ambasadës greke në Tiranë.

Dekonspirimi

Burime nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, pohuan dy ditë më parë për gazetën “Metropol”, se hetuesit kishin identifikuar tre persona, që prisnin në Greqi tre kilet e heroinës së nisur nga vendi ynë. Dje, Prokuroria e Përgjithshme, pohoi se publikimi i arrestimeve nga policia është bërë para kohe dhe ka dekonspiruar aksionin që po organizohej për arrestimin e pjesës greke të rrjetit të trafikut. Prokuroria tha se ka ushtruar një kontroll të rreptë mbi hetuesit, në mënyrë që ata të mos jepnin asnjë informacion për mediat, derisa aksioni të përfundonte me arrestimin e të gjithë personave të implikuar në trafik. “Por policia është nxituar të publikojë pjesën e saj të aksionit me prangosjen e tre personave, duke dekonspiruar drejtpërsëdrejti arrestimin e të paktën tre trafikantëve të tjerë”, thanë burimet e akuzës.

Të arrestuarit: S`e njohim njëri-tjetrin

Ilir Ajazi, shofer i familjes së ambasadorit grek në Tiranë, u arrestua mbrëmjen e së hënës së kësaj jave, me 3.3 kile heroinë në makinën e tij. Dy ditë pas arrestimit, në seancën gjyqësore për masën e sigurisë, ai e pranoi akuzën dhe shkoi më tej, duke folur për emrat e bashkëpunëtorëve dhe për shumat e pazareve. “Fitoja 1000 dollarë për çdo rrugë”, ka pohuar Ilir Ajazi. Në telefonin celular të shoferit të ambasadës, hetuesit kanë gjetur emrat e disa bashkëpunëtorëve të tjerë, ndërsa përgjimi telefonik i bisedave ndërkombëtare ka zbuluar bashkëpunëtorë të tjerë, të cilët pritet të vihen në pranga. Por, ndërsa Ilir Ajazi pranonte akuzën dhe dëshmonte mbi veprimtarinë e grupit, dy të arrestuarit e tjerë për bashkëpunim në trafik, kundërshtonin akuzën. Krenar Çako dhe Valter Foto, dy të arrestuarit për bashkëpunim me Ilir Ajazin, kanë pohuar se nuk e njohin shoferin e ambasadës. Tre të arrestuarit për trafik droge mes Shqipërisë dhe Greqisë, janë në qelitë e paraburgimit nën masën e sigurisë arrest në burg.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›