“Lazarati”, ekspertizë armëve të INTERFORCËS
03/12/2004 TIRANË –Armët që kanë patur me vete efektivat e Interforcës, do të ekspertohen nëse kanë qëlluar mbi fshatin Lazarat, pasditen e datës 18 gusht të këtij viti. Burime zyrtare nga organi i hetimeve për Krime të Rënda, thanë dje se ky institucion ka kërkuar nga Prokuroria e Romës kryerjen e ekspertizave dhe përcaktimin e llojit të armëve, që kanë patur me vete efektivat e misionit italian Interforcë, gjatë patrullimit me helikopter mbi Lazarat. “Në vendin e ngjarjes në fshat, janë gjetur predha të plumbave, të cilat do të krahasohen me gëzhojat e armëve që kanë patur efektivat e Interforcës dhe policisë shqiptare. Sipas Prokurorisë, hetimi është shtrirë edhe mbi veprimet e dy policëve shqiptarë dhe katër italianëve, që janë ndodhur në helikopterin që fluturoi mbi Lazarat, ditën e konfliktit me armë mes banorëve të zonës dhe mjetit fluturues. Ministria e Rendit i ka akuzuar qytetarët e Lazaratit se kanë qëlluar mbi helikopter të parët, duke shkaktuar shkëmbimin e zjarrit. Por banorët e Lazaratit dhe zyrtarët lokalë, kanë pohuar se policët që ndodheshin në helikopter kishin provokuar ngjarjen, duke qëlluar mbi fshat gjatë fluturimit. Banorët e zonës kanë thënë se askush në helikopter nuk ishte plagosur, ndërsa një grua 56-vjeçare nga fshati Lazarat, ka përfunduar e plagosur në spital, pas ngjarjes. Hetuesit e Prokurorisë së Krimeve të Rënda kanë kryer ekspertimin e helikopterit të Interforcës në aeroportin e Rinasit, por nuk kanë të dhëna mbi llojin e armëve që kanë patur me vete efektivat e misionit italian. Sipas hetuesve, në vendin e ngjarjes janë gjetur predha plumbash të ndryshme, të cilat do të krahasohen me gëzhojat. Shkëmbimi i zjarrit në Lazarat ndodhi pas orës 17.00 të datës 18 gusht. Një helikopter i misionit Interforcë patrullonte mbi zonë, në kërkim të parcelave të drogës, kur ka ndodhur shkëmbimi i zjarrit.