E Diel, 1 Nëntor 2026

Kotorri burg për jetë, pas 3 javësh në shtëpi

03/12/2004  TIRANË – Vetëm një muaj zgjati liria e "cunguar" për Elidon Kotorrin. Shpresonte se pas gjykimit do të mund të linte përfundimisht dhomat e burgut. Në 8 nëntor, Gjykata e Lartë i ndryshoi masën e sigurimit për shkak të kalimit të afateve të hetimit. Kështu, Kotorri nga dhomat e Burgut 313 shkoi në shtëpi pranë gruas. Por dje, 26-vjeçari, nën masa të larta sigurie, u shoqërua përsëri për te qelia e vjetër. Lirimi i tij, me sa duket, qe vetëm një "lojë". Dje ka qenë seanca e parë për Kotorrin dhe e fundit për Apelin në shqyrtimin e çështjes.

Siguria

I pandehuri u gjykua nga një kolegj penal i Gjykatës së Apelit Ushtarak. Kotorri erdhi në Gjykatë nën masa të rrepta sigurie. Pothuajse 120 policët që e ruanin 24 orë, ishin dje të pranishëm në rrethinën e Gjykatës së Shkallës së Dytë. Policia kishte izoluar komplet zonën përreth gjykatës. Ndërkohë procesi gjyqësor zgjati më shumë se katër orë. Gjykata, pasi mori pretendimet e palëve, u tërhoq për të dhënë vendimin përfundimtar. Ky vendim u dha në orët e vona të mesditës. Vendimi nuk u prit mirë si nga i pandehuri, ashtu dhe nga avokati e familjarët.

Seanca

Elidon Kotorri, megjithëse ishte i bindur në vetvete se do të linte burgun dhe do të kthehej në shtëpi, u zhgënjye. I ndihmuar nga avokati Spartak Ngjela, i pandehuri tha dje para trupit gjykues se ndihej i pafajshëm. Sipas Kotorrit, Prokuroria nuk ka asnjë provë për ta dënuar. Këto dhe të tjera pretendime, i pandehuri i shfaqi para trupit gjykues. Ai tha se mbahej në burg vetëm për hakmarrje dhe se këtë po ia bënte akuza, e cila, sipas tij, nuk ka qenë e aftë të bëjë detyrën. Duke parë ecurinë e procesit, i pandehuri, nëpërmjet avokatit Spartak Ngjela, kërkoi gjykim të shkurtuar në gjendjen që janë aktet. Ai nuk pranoi fajësinë, por këtë kërkesë e bëri për t'i shpëtuar burgimit të përjetshëm. Ajo nuk e pranoi kërkesën e Kotorrit për gjykim të shkurtuar, duke i dhënë kështu sinjalin e parë për "ndëshkim". Ndërsa prokurori i çështjes, megjithëse ka kërkuar dënimin e Elidon Kotorrit me burgim të përjetshëm, është shprehur se më parë i ka kërkuar Prokurorit të Përgjithshëm të heqë dorë nga kjo dosje, por një kërkesë e tillë nuk i është marrë në konsideratë.

Prokuroria

Prokurori tha dje gjatë seancës gjyqësore, se për Kotorrin duhet të lihet në fuqi vendimi i dhënë në datë 8 korrik 2003 i Shkallës së Parë. Në këtë datë, gjyqtari Arben Micko e shpalli fajtor të pandehurin për pesë vrasje në zonën e Tiranës së Re dhe e dënoi me burgim të përjetshëm. Ndërsa avokati Spartak Ngjela, kërkoi nga gjykata pafajësi. Sipas Ngjelës, Prokuroria nuk ka qenë e gatshme të provojë akuzat e ngritura kundër Kotorrit. Por vendimi i gjyqësorit ishte i prerë. Elidon Kotorri u shpall fajtor për veprën penale të vrasjes së dyfishtë në dy rastet dhe të armëmbajtjes pa leje. Si përfundim, dënimi i tij ishte me burgim të përjetshëm. Pas vendimit, i pandehuri Kotorri përsëri nën masa të larta sigurie merr rrugën jo drejt shtëpisë, por për në Burgun 313.

Akuzat për të pandehurin

Kotorri akuzohet për kryerjen e pesë vrasjeve në Tiranën e Re. Kotorri, në datë 23 dhjetor të vitit 1999, në orën 14.30 minuta, në bashkëpunim dhe me persona të tjerë, që nuk janë identifikuar nga policia, te lokal "Aldrin" përballë ish-ambasadës kroate, qëlluan në drejtim të tavolinës, ku ishte ulur Andi Hasani dhe Santiliano Elezi. Në këtë datë Hasani ka shpëtuar nga plumbat e Kotorrit, por është vrarë Santiliano Elezi dhe Fatmir Hodo si dhe janë plagosur Gerti Xhanai, Edmond Karanxha dhe Dorjan Bejo. Sipas akuzës, Kotorri nuk ka hequr dorë nga ekzekutimi i Andi Hasanit, gjë të cilën e ka realizuar më 11 janar të vitit 2000, afërsisht një muaj pas vrasjes së shokut të tij të ngushtë, Elton Zaimi. Kotorri ka qenë i hipur në një makinë tip "Volksvagen", në bulevardin "Bajram Curri" dhe, pasi ka parë makinën tip "Volvo" me targa TR 5927 D të Andi Hasanit, ka qëlluar mbi të. Bashkë me Andi Hasanin mbetën të vrarë Sokol Alushi dhe Gazmend Zeneli, dhe u plagos rëndë Grigor Stefani. Kotorri u kap më pas në aeroportin e Rinasit. I gjithë procesi kundër të pandehurit Kotorri u vërtit rreth një "fije floku". Sipas akuzës, kjo fije floku që shërben si provë është gjetur në vendin e ngjarjes, pas kryerjes së krimeve, ndërsa, sipas mbrojtjes, fija e flokut është marrë në burg në kundërshtim me ligjin pas arrestimit të të pandehurit. Por dje, gjykata vërtetoi se prova ishte e saktë dhe se ajo duhej të merrej për bazë në dënimin e të pandehurit. Gjykata konkludoi se Elidon Kotorri ka qenë një ndër organizatorët dhe autorët e këtyre vrasjeve. Ngjarjet që çuan Kotorrin në burg, sipas akuzës, kanë filluar më 14 dhjetor 1999, te stadiumi "Selman Stërmasi". Në mes të kësaj historie ka qenë një femër. Në këtë datë vritet Elton Zaimi, shok i ngushtë me Kotorrin. Vrasja mendohet se është kryer nga Andi Hasani, i cili më pas ka qenë edhe objektivi i Kotorrit.

KRONOLOGJIA

14 dhjetor 1999 – Pas një konflikti të vazhdueshëm për motive banale (besohet se, si pretekst, ka shërbyer rivaliteti për një femër) te Pallati i Sportit "Asllan Rusi", Andi Hasani i ka zënë pritë dhe ka vrarë Elton Zaimin, shok i ngushtë me Elidon Kotorrin

23 dhjetor 1999 - Në orën 14.30 minuta, te lokal "Aldrin" përballë ish-ambasadës kroate, disa metra larg Presidencës, u vranë nga Elidon Kotorri, Santilian Elezi dhe Fatmir Hodo si dhe u plagosën Andi Hasani, Gerti Xhanai, Edmond Karanxha dhe Dorjan Bejo

11 janar 2000 - Kotorri qëlloi nga një "Volksvagen" në bulevardin "Bajram Curri", pranë shkollës "Vasil Shanto", mbi "Volvon" me targa TR 5927 D të Andi Hasanit. U vranë Andi Hasani, Sokol Alushi, Gazmend Zeneli, u plagos rëndë Grigor Stefani

Lirimi nga Gjykata e Lartë

Më datë 8 nëntor, pas kërkesave të vazhdueshme të bëra nga i pandehuri dhe avokati Spartak Ngjela, Gjykata e Lartë vendosi të ndryshojë masën e arrestit për Elidon Kotorrin. Ai kishte tre vjet që mbahej në dhomat e paraburgimit, në pritje që vendimi me burgim të përjetshëm të merrte formë të prerë. Por gjatë kësaj kohe, ai ka bërë të gjitha përpjekjet për të gjetur "gjilpërën në kashtë" e për të lënë përfundimisht burgun. Gjykata e Lartë e dërgon Kotorrin në arrest shtëpie, ndërsa dha urdhër për ruajtjen e tij 24 orë. Nga ana e policisë u morën të gjitha masat. Shtëpia përdhese e Kotorrit u rrethua nga policia. Në 24 orë në shtëpinë e tij bënin shërbim 120 policë. Kështu për një muaj që Kotorri qëndroi në shtëpi, shteti bëri shpenzime të mëdha. Gjatë kohës që Kotorri qëndroi në arrest shtëpie, u mundua të ngatërrohej me policinë. Kështu, në një rast, Kotorri pati kontradikta me një polic, i cili më pas la edhe detyrën. Gjatë shërbimit u vunë re edhe neglizhenca në detyrë. Por policët që toleronin në shërbim u larguan. Drejtori i Policisë së Tiranës largoi nga detyra gjashtë punonjës policie.

Ridënimi vështirëson pozitën e Lames

TIRANË – Altin Lame ka të njëjtat akuza me Elidon Kotorrin. Është akuzuar për vrasje në bashkëpunim. Por arrestimi i tij u bë jo tre vjet më parë. Altin Lame, pronar i lokal "Venecia", arrestuar pak kohë më parë nga policia në një aksion "blic", dyshohet të ketë marrë pjesë së bashku me Elidon Kotorrin në kryerjen e pesë vrasjeve në zonën e Tiranës së Re. Për Lamen procesi ende nuk ka filluar normalisht. Janë shtyrë disa seanca, si pasojë e mungesës së avokatit mbrojtës. Dënimi i Elidon Kotorrit me burgim të përjetshëm, tashmë rrit frikën tek Altin Lame, i cili ndodhet në të njëjtin burg, atë 313. Ato që çuan policinë te ky person ishin disa gjurmë gishtash të gjetura në një qese plastmasi në bagazhin e makinës së përdorur në vrasje. Gjurmët e gishtave u gjetën vetëm pasi në Shqipëri erdhi aparati për identifikim, pak kohë më parë.

Siguria e Kotorrit kushtoi 44 milionë lekë

4.4 milionë lekë të reja i ka kushtuar Ministrisë së Rendit vendimi i gjyqësorit, që ndryshoi masën e arrestit nga “arrest me burg” në “arrest shtëpie”, për të akuzuarin për disa vrasje, Elidon Kotorri. Shifra është konfirmuar nga burimet zyrtare të dikasterit të Rendit dhe këtu përfshihen rrogat dhe dietat e efektivave të shumtë të Drejtorisë së Policisë së Tiranës dhe ato të Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë (FNSH) të ministrisë, që kryenin shërbim roje në banesën e Kotorrit. Kanë qenë 124 forcat policore dhe tre furgonë të grupeve të gatshme të policisë që kryenin ruajtjen e banesës me sipërfaqe mbi 1000 metra katrorë dhe patrullimin e zonës pranë Kryegjyshatës, në rrugën “Ali Demi”, ku qëndroi për rreth tri javë Kotorri.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›