E Diel, 1 Nëntor 2026

Berlin, trafiku i vizave ndihmoi krimin

03/12/2004  BERLIN -Trafiku i vizave gjermane në Tiranë, Prishtinë, Kiev e Moskë është kthyer nga një “scoop” i kronikës së zezë, në një monedhë mes palëve në luftën politike të Berlinit. Dje në Parlamentin gjerman, filloi debati për praktikat e dhënies së vizave në ambasadat e Gjermanisë, në disa vende të botës, përfshi edhe Tiranën. Opozita kristiandemokrate dhe kristiansociale, akuzon Qeverinë gjermane se me liberalizimin e dhënies së vizave ka favorizuar në Gjermani punën ilegale, prostitucionin, tregtinë e grave, veprimtarinë terroriste dhe kriminale.

Debati

Në Parlamentin gjerman dje ka filluar debati për procedurën e dhënies së vizave nga ambasadat gjermane. Opozita dorëzoi zyrtarisht kërkesën për ngritjen e një Komisioni Hetimor. Debati politik dhe ngritja e Komisionit të Hetimeve, sipas shërbimit në gjuhën shqipe të radios “Dojçe Vele”, synon të sqarojë dy pika ende të hapura: Emrin që do të ketë komisioni, si edhe periudhën kohore që do të përfshijnë hetimet. Sipas shumicës së përfaqësuesve të forcave politike në Parlamentin gjerman, në qendër të hetimeve do të jetë kryesisht praktika e dhënies së vizave nga përfaqësitë gjermane në Moskë, Kiev, Tiranë dhe Prishtinë.

Konflikti

E ndërsa opozita është përqendruar në kërkesën për të hetuar diplomacinë e kancelarit aktual Gerhard Shreder dhe ministrit të Jashtëm, Joshka Fisher, koalicioni qeveritar kërkon që objekti i hetimeve të shtrihet edhe në vitin 1994. Kjo është koha e qeverisjes së Gjermanisë, nga përfaqësues të opozitës së sotme. Përfaqësuesit e koalicionit qeveritar kanë kërkuar shtrirjen në hetim të periudhës së qeverisjes së ish-kancelarit Helmut Kohl.

Abuzimet me vizat gjermane, u zbuluan nga revista e përjavshme “Der Shpiegel”. Skandali u zbulua në muajin korrik të këtij viti dhe pasoi me hetime dhe shkarkime në ambasadën gjermane në Tiranë. Prokuroria e Berlinit konfirmon se ende është duke hetuar tre ish-punonjës të shkarkuar të ambasadës gjermane në Tiranë. Dy prej tyre janë gjermanë (ish-konsulli Tomas Vek) dhe një tjetër është shqiptar.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›