E Shtunë, 31 Tetor 2026

ProCredit shënon 10-vjetorin

Banka ProCredit, kur është hapur në janar të vitit 2000, kishte vetëm një degë dhe 24 punëtorë. Tash pas 10 vitesh, kjo bankë e ka festuar ditëlindjen e dhjetë me një rrjet prej 62 degësh dhe staf prej 1 mijë e 200 punëtorësh.

Në dhjetëvjetorin e saj, drejtuesit e kësaj banke thanë se ProCredit është institucioni më i madh financiar në Kosovë, me asete që kalojnë vlerën e 734 milionë eurove.
“Portofoli i saj i kredive arrin 471 milionë euro, ndërsa depozitat e konsumatorëve në total arrijnë 628 milionë euro”, ka thënë Klaus Glaubitt, kryetar i Bordit të drejtorëve të bankës ProCredit.

Duke kujtuar kohën e pasluftës, Glaubitt tha se themelimi i një banke në atë kohë ishte një sfidë e madhe. Konfliktet e vazhdueshme etnike dhe e ardhmja e pasigurt politike, sipas tij, i pengonin investitorët e tjerë të mëdhenj të ndiqnin këtë rrugë.

Ndërkaq, drejtori gjeneral i bankës ProCredit për Kosovë, Philip Sigwart, tha se kemi demonstruar se është e mundur që të jesh komercialist shumë i suksesshëm duke e mbajtur një fokus të qartë zhvillimor.

“Vështirë që dikush ta ketë imagjinuar në vitin 2000 se çka do të arrinte Banka brenda dhjetë vjetësh. ProCredit është institucioni më i madh financiar në Kosovë”, tha ai.
Drejtuesit e bankës, gjithashtu, thanë se gjatë këtyre 10 vjetëve banka ka treguar përkushtimin e saj për vendin ku operon duke bërë një serë donacionesh dhe mbështetjen e projekteve kulturore dhe edukative.

Edhe në dhjetëvjetorin e saj, të premten ProCredit ndau 23 mijë euro për Bibliotekën Kombëtare Universitare.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›