E Diel, 1 Nëntor 2026

Probleme me energjinë në Vlorë, banorët e "10 korrikut" kundërshtojnë pagesën e faturave

Mungesa e shpeshtë e energjisë në një lagje të qytetit të Vlorës i ka detyruar banorët e saj të marrin një vendim ekstrem, të mos paguajnë faturat e energjisë elektrike. Ata kanë premtuar se nëse edhe në të ardhmen do të ndodhë ajo që po ndodh sidomos pas 1 janarit të këtij viti, kur energjia mungon pothuajse një ditë po e një ditë jo, ata nuk do ti paguajnë faturat. Bëhet fjalë për lagjen më turistike të qytetit, atë "10 korriku". Banorë të kësaj lagjeje pohojnë për gazetën tonë se qysh nga 1 janari i këtij viti po heqin "të zitë e ullirit" nga mungesa e energjisë elektrike. Normalisht njëherë ose dy herë në javë atyre u ikën energjia elektrike në orët e para të mbrëmjes dhe u vjen ajo vetëm pas pothuajse 20 orësh. Ata nuk kanë lënë zyrë pa trokitur dhe kudo marrin përgjigjen standarde se linja ka ngarkesë dhe nuk ka çfarë të bëhet. Atëherë ata kanë arsyetuar se "përderisa nuk kemi energji, përse ta paguajmë atë?". Banorët tregojnë se nëse nuk kanë paguar faturat, u vjen menjëherë policia elektrike dhe u bën ndërprerjen e energjisë, ndërkohë që kur ajo mungon, askush nuk mban përgjegjësi. Sipas tyre, nëpër lagje kalojnë dy linja elektrike dhe shumë familje, sidomos ato me banesa një katëshe marrin energji nga të dyja linjat dhe ndërkohë që atyre u mungon energji në pallatet shumëkateshe, në këto banesa ka energji. Po ashtu, një ankesë më vete për këta banorë është edhe ardhja e faturave të energjisë. Në shumë raste fatura lihet në një dyqan lagje dhe nuk ke asnjë mundësi diskutimi me faturisten për shumën e vendosur aty. Dhe pikërisht është kjo shumë që krijon edhe debate të shumta të këtyre banorëve me faturistët. Ka ndodhur në këtë lagje që njërës familje ti shkojnë edhe dy fatura të ndryshme nga njëra-tjetra. Mungesa e energjisë në këtë lagje është e njohur edhe në drejtorinë lokale të OSSH. Vetë drejtuesi aktual i OSSH, pohon se ka shumë probleme në këtë linjë ngase ajo është shumë e vjetër dhe ka ngarkesë më të mëdha se sa ka mundësitë sepse është lagja me më shumë ndërtime shumëkateshë në kohët e fundit. Sipas tij, nga ana e ndërmarrjes po punohet për veçimin dhe ndarjen e disa blloqeve të banimit me transformatorë më vete dhe kjo do të bëjë lehtësimin e ngarkesës në linjën e përgjithshme. Po ashtu, mësohet se shumë shpejt këtu do të futet edhe linja 20 kë nga 6 që është tani dhe kjo do të jetë shpëtimi i vërtetë për banorët e kësaj lagjeje, banorët e të cilës më shumë qahen për muajt e verës që presin sepse shumica e këtyre familjeve kanë pajtuar qysh tani turistë vendas dhe të huaj dhe duan t'u krijojnë atyre kushte normale gjatë pushimeve.

Email This Klikime: 4

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›