E Shtunë, 31 Tetor 2026

Probleme me zemrën, Ledi Shamku lë grevën

Largohen 4 grevistë

Numri i pjesëmarrësve në grevën e urisë është reduktuar në 170 persona. Ashtu sikurse ditët e fundit, edhe dje situata shëndetësore e të ngujuarve ka provokuar transportimin e disa prej tyre në spital. Kronika e përditshme që zhvillohet para çadrës së instaluar në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” ka regjistruar dje përsëritjen e itinerarit spitalor edhe për 3 grevistë, mes të cilëve ka qenë edhe deputetja Ledi Shamku. Po kështu, Hasan Sula 30 vjeç, Ymer Murati 47 vjeç dhe Martin Kasaj, 27 vjeç, të tre nga Tirana, janë shoqëruar në spital për shkak të rëndimit të gjendjes shëndetësore. Më serioze është paraqitur gjendja e deputetes Shamku, e cila është përcjellë në QSUT për shkak të shqetësimeve në zemër. Ndërkohë, problematike paraqitet situata edhe për të ngujuarit e tjerë, të cilët edhe pse ende të mbetur në çadrën e grevës, po shfaqin simptoma serioze. “Nuk bëhet fjalë tashmë për sëmundje kronike, por bëhet fjalë për ato simptoma që vijnë duke u theksuar dhe duke u rënduar për shkak të gjendjes së urisë së zgjatur. Janë ndryshime elektrolitesh, që ndodhin në organizëm, që janë të pritshme në gjithë këto ditë greve”, u shpreh dje deputetja mjeke, Klodiana Spahiu. Të shtruarit në spital janë vizituar edhe dje nga kreu socialist, Edi Rama, i cili nuk ka munguar të përsërisë se opozita nuk do të tërhiqet nga kauza e vet.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›