Problemet e Murinjos

Në jetë ai është mësuar me të gjitha llojet e problemeve. Natyrisht, fjala është për çështje të futbollit. Zhoze Murinjo ndodhet në një moment delikat të karrierës së tij si trajner i Realit të Madridit, pasi pikërisht tani, si në ndonjë kryqëzim rrugës, janë mbledhur mbi kokën e tij probleme nga më të ndryshmit.
Njëra nga çështjet është ajo e Sergio Ramosit dhe duket se gjendja nuk është qetësuar plotësisht. Në konferencën e fundit për shtyp, para përballjes me Deportivon, Murinjo u shpreh se “kur Ramos është në kulmin e formës, më jep gjithçka që mund të japë një mbrojtës, pra siguri në mbrojtje, cilësi me topin, garanci në goditjet standarde si dhe aftësi udhëheqëse, veçse kjo ndodh kur është në formën maksimale”. Pra, bëhet fjalë për një vlerësim dhe një kritikë.
Një problem më vete kanë krijuar fjalët e thëna si pa të keq nga Florentino Perez. Në një ceremoni, presidenti u shpreh së fundmi se “Murinjo e kuptoi pak me vonesë se çfarë përfaqëson Reali i Madridit”. i pyetur për këtë, Zhoze u përgjigj thjesht se “marrëdhënia ime me presidentin është spektakolare, nuk mund të jetë më e mirë”. Por, kjo nuk qetëson gjithçka si me magji, apo jo?
Së fundi, në ekip ka lojtarë që nuk janë në maksimum, ndërsa nuk mungojnë rivalitetet. Murinjo fton Mesut Ozilin që ta fitojë vetë vendin në formacion, ndërsa së fundmi është preferuar kroati Modriç. Kaka mbetet një “minë me sahat” dhe Murinjo nuk mund të bëjë shumë në këtë drejtim, ndërsa ai përpiqet të qetësojë mediat lidhur me rivalitetin Higuain-Benzema. “Kjo gjendje, - thotë ai, - ekziston prej 2 vjetësh. Nuk mund të vazhdojmë kështu. Të dy janë lojtarë të Realit”.
Të mos harrojmë edhe Zinedin Zidanin, pasi u fol edhe për ftohje mes tij dhe trajnerit. Zhoze përgjigjet se francezi legjendar ka 2 muaj që është shkëputur nga ekipi pasi dëshiron të ndjekë rrugën e tij dhe të bëhet trajner.