Zenit pako bombe per Hulk

Klubi rus i Zenit St. Petersburg është përfshirë nga kaosi. Një pako bombe artizanale është gjetur e fshehur në një valixhe në fushën stërvitore të klubit, e përkrah saj ishte vendosur një fotografi e sulmuesit Hulk.
Lajmi është bërë i ditur nga mediat ruse. Ndërsa po shqyrtonin bombën, policët gjetën aty edhe fotografinë e lojtarit me mbishkrimin “Hulk zhduku!”. Sipas zërave pranë ekipit, shumë prej mbështetësve të Zenitit kanë mbetur të pakënaqur pasi klubi ka shpenzuar rreth 70 milionë euro për sulmuesin brazilian dhe mesfushorin belg, Axel Witsel gjatë merkatos së verës.
“Nuk e konfirmojmë këtë gjë, por as nuk mund ta përgënjeshtrojmë lajmin”, pohoi një zëdhënës për shtyp i klubit rus. Pakoja bombe e gjetur në ambientet stërvitore, konfirmon se kjo është një periudhë shumë e vështirë për Hulk.
Fillimisht ai u kontestua nga shokët e skuadrës, pasi futbollistit të “seleçaos” dhe Witsel klubi i kishte përcaktuar rroga disa herë më të larta se lojtarëve të tjerë. Pas debateve të brendshme, më tej ishte Partia Socialiste e vendit ajo që nxiti debatin publik rreth pagesave të dy përforcimeve të reja.
Tashmë të gjithë te Zeniti i tremben faktit se zhvillimet më të fundit mund të ndikojnë negativisht në paraqitjet e skuadrës në Champions League, ku të martën ata do të luajnë në Shën Petersburg përballë Milanit. Ndërkohë, është ngritur edhe pyetja, nëse vallë pas këtij episodi mund ti ketë ardhur fundi aventurës së Hulk te Zeniti.