E Shtunë, 31 Tetor 2026

Problemet e turizmit prefekti Dako nuk bashkepunoi

Prefekti i Durrësit, Genci Alizoti ka kërkuar nga njësitë vendore që kanë në administrim plazhe që të marrin menjëherë masa për pajisjen e plazheve me roje bregdetare si dhe duke përcaktuar vendbazimet për motorrët e detit. Në një takim me pjestarë të shtabit të turizmit që varet nga prefektura prefekti Alizoti ka theksuar se bashkia e Durrësit nuk po bashkëpunon për mbarëvajtjen e sezonit turizmit.

“Ka pasur një sërë problemesh në lidhje me mbrojtjen e mjedisit, veçanërisht për respektimin e orarit të muzikës të lokaleve gjatë natës. Duhet një bashkëpunim më i mirë i strukturave të policisë pasi në shumë raste nuk kanë qenë të pranishëm organet e qeverisjes vendore. Lëvizja e kontrolluar e motorrëve të ujit kërkon bashkëpunimin mes njësive të qeverisjes vendore dhe policisë kufitare dhe migracionit, bashkëpunim që vjet nuk u arrit sepse nga këto njësi nuk u përcaktuan vendbazimet”-tha Alizoti.

Kryetari i komunës Rrashbull Hysen Gashi është shprehur se plazhi i Shkëmbit të Kavajës nuk do të jetë më i ndotur.

“Është bërë i mundur ndërtimi i atij impianti për të cilin ishim të shqetësuar në bashkëpunim edhe me Drejtorinë Rajonale të Mjedisit të Durrësit. Po përfundon. Mendoj që zona e Shkëmbit të Kavajës nuk do të ketë probleme mjedisin, ndotjen, ujërat e zeza”-tha Gashi.

Strukturat përgjegjëse për mbarëvajtjen e sezonit turistik kanë paralajmëruar sanksione të ashpra për subjektet që nuk respektojnë ligjin për ndotjen e mjedisit nga ujërat e zeza, ndotjen akustike apo dhe menaxhimin e mbetjeve urbane.

Aleks Kalemasi

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›