Problemet me energjinë, mungon uji i pijshëm për 15 mijë banorë
Gjirokastër Problemet në furnizimin me energji elektrike të stacionit të pompimit në burimin e Budukut, Gjirokastër, kanë lënë pa ujë rreth 15 mijë banorë në lagje të ndryshme të qytetit. Gjatë javëve të fundit familjet gjirokastrite që furnizohen me ujë të pijshëm nga ky burim kanë ndeshur probleme në pasjen e ujit në rubinetet e shtëpive të tyre. “Uji i pijshëm në këtë verë të nxehtë po na mungon për ditë të tëra”, thotë një banor i lagjes “18 shtatori”. Përfaqësuesit e Ndërmarrjes së Ujësjellësit në Gjirokastër bëjnë shkaktar në këtë drejtim ÇEZ shpërndarjen. “Problemi i furnizimit më ujë të pijshëm të banorëve vjen si shkak i luhatjeve të tensionit dhe mungesës së energjisë në stacionin e pompimit në burimin e Budukut, prej të cilit merr ujë pjesa më e madhe e qytetit të Gjirokastrës”, thonë përfaqësuesit e Ujësjellësit. Madje, sipas tyre, ata kanë kërkuar disa herë ndihmën e specialistëve të ÇEZ për përmirësimin e furnizimit me energji të këtij stacioni pompimi, por deri tani situata nuk ka ndryshuar, duke bërë që në këtë verë të nxehtë gjirokastritëve t’u thahet buza për një pikë ujë. B.SH.