E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gëzuar 80-vjetorin! UET i jep ‘Honoris Causa’ Dritëro Agollit

Ka ardhur me të mbesën Ana, studente në Francë dhe bashkëshorten Sadije, atë gruan e pashmangshme që s’i ndahet e për të cilën shkroi “po ku ta lija një lanete, një xhinde pylli një kaproll/ajo me not do çante dete/ e do më gjente në Anadoll”. Ka ardhur bashkë me 79 vitet e tij e ato pak muaj që i duhen për të mbushur 80. Është ulur përballë një salle plot me studentë, por nuk është ndjerë i rrethuar. Është ndjerë mirë dhe jo vetëm pse Universiteti Europian i Tiranës e ka përzgjedhur për titullin e nderit ‘Doctor Honoris Causa’. Por edhe sepse, siç thotë Çapajev Gjokutaj në letrën e tij të rekomandimit për shkrimtarin, “ai është ikona e baticë-zbaticave shqiptare”. Po, ai është i hekurti, i brishti, hokatari, sarkastiku, gazetari, poeti, shkrimtari, gjyshi, babai e bashkëshorti, por edhe i pagëzuari patriark i socialistëve shqiptarë: Dritëro Agolli. Në ceremoninë e zhvilluar në hollin e UET-it më shumë se një takim brezash ka qenë një takim i së sotmes, së djeshmes dhe historisë së përbashkët të shqiptarëve. Teuta Dobi, që ka lexuar motivacionin dhe i ka dhënë shkrimtarit diplomën me titullin ‘Honoris Causa’, u ka besuar fjalëve të rekomanduesve Bujar e Kapexhiu e Çapajev Gjokutaj, për të përshkruar Dritëroin. Ajo ka cituar pjesë nga rekomandimi i Gjokutajt: “Dritëro Agolli bën pjesë ndër ca pak intelektualë të gjallë që u peshon fjala; ai dëgjohet me vëmendje nga shumica e shqiptarëve. Megjithëse e ka shpallur hapur anësinë politike dhe perceptohet si patriark i të majtës; megjithëse shoqëria jonë karakterizohet nga një klimë e ndezur konfliktuale dhe qëndrime përjashtuese, kur flet Dritëro Agolli mbajnë vesh e dëgjojnë shumica e shqiptarëve. Kjo vjen si rrjedhim i një vargu faktorësh që lidhen me veprimtarinë e tij socialpolitike dhe, ca më shumë, me krijimtarinë e tij letrare.”

Motivacioni

“Për kontributin e madh dhe të rëndësishëm në krijimtarinë e tij letrare për më shumë se 60 vjet, si poet dhe prozator, si dramaturg dhe përkthyes, si eseist e gazetar, si polemist dhe orator; për stilin origjinal dhe novator, duke krijuar emrin e njërit prej shkrimtarëve më të talentuar të letërsisë sonë bashkëkohore;

Për kontributin në edukim si lektor i kurseve të gazetarisë, që kanë pasur një ndikim të madh inspirues në formimin profesional të brezave të gazetarëve dhe publicistëve shqiptarë;

Për njeriun e dijes që orientohet nga vlerat dhe jo nga etiketat mondane; për shpirtin human, dashurinë për njeriun e thjeshtë, përpjekjet për t’ia bërë ekzistencën njerëzimit më të lehtë dhe të këndshme;

Për veprimtarinë social - politike, për kontributin emancipues në politikën shqiptare, duke u zgjedhur dhe shërbyer si deputet për 30 vjet, qëndrimeve politike të hapura dhe konsensuale, perceptimit nga opinioni publik si ‘patriark i së majtës’, por edhe kapërcimin e barrierave të krahëve politikë në funksion të hapave emancipues të politikës shqiptare këto njëzet vitet e fundit.”

BISEDA

Pjesë nga bashkëbisedimi i Dritëro Agollit me studentët e UET

Njeriu mëson gjithë jetën. Që kur është i vogël fare deri kur bëhet plak. Njeriu mëson të ngrihet në këmbë, të hajë, mëson të bëhet i ri, të dashurojë, mëson të bëhet plak, që të mos bëhet një plak që të qeshin të tjerët, por të bëhet një i moshuar që mëson të vdesë; të mos bëhet qesharak, obobo e të zërë të qajë. Kështu që njeriu tërë jetën mëson dhe në përgjithësi, njeriu është student gjithmonë.

Si duhej të bëheshe i famshëm; me marrëzira apo me dituri? Një pjesë e jona kishin qejf të bëheshin të famshëm me marrëzira dhe të tjerët të zbaviteshin, një pjesë tjetër filloi që të bënte edhe marrëzira, por edhe të mësonte që të kombinonte të dyja këto gjëra. Dhe pjesa tjetër ishte që vetëm mësonte; dhe këtyre që vetëm mësonin ne u thoshim “kallogjerë”, apo “priftërinj”.

Shumë nga këta kanë dalë mirë, po më mirë kanë dalë ata që dhe mësonin, edhe bënin çudira. Këta kanë dalë poetë, piktorë, muzikantë. Notat këta nuk i kishin të gjitha të shkëlqyera, por ata ishin më të zgjuar sesa këta që rrinin gjithnjë mbi libra pa parë botën tjetër. Kështu që këto ishin nga që ata dinin shumë për librat, por librin e madh të natyrës, të rrugës, shoqërisë e dinin shumë pak.

Pastaj, kur vajtën në universitet, menduan që duhet edhe kjo tjetra, libri i jetës dhe natyrës, dhe këtyre që thashë unë “kallogjerë” në universitet u duhej një punë shumë e madhe për të njohur shoqërinë. Megjithatë, ata dolën të zotët në fusha të veçanta të jetës, në linguistikë, në probleme të tjera të historisë, lashtësisë, antikitetit; të tjerët u bënë gazetarë, shkrimtarë, piktorë, muzikantë.

Para se të bëhesha student, kur isha nxënës, ëndërroja të bëhesha veteriner, sepse më pëlqenin shumë kafshët. Unë mbaja një manar, një sheleg manar dhe ai flinte me mua, unë flija në atë shtrojen me dërrasa, ndërsa ai flinte poshtë nën mua, nuk më ndahej kudo që shkoja. Dhe kështu u rrit ky manari i parë. Gjyshi im ishte bektashi dhe tha do vemë ta bëjmë kurban te Teqeja e Kuçit; ajo ishte në Devoll.

Po ç’do të bëjmë me këtë manar, o gjysh? Do ta therë Babai, tha. Baba Ahmeti tha: tani do ta bëjmë kurban e do ta therim manarin e Dritëroit. Unë u dëshpërova shumë, e theri dhe duke ngjitur shkallët Baba Ahmeti, unë e zura prej xhybeje dhe ai ra nga shkallët. Mirëpo, që të mos vritesha unë më futi në gjoks dhe të dy u rrokullyem dhe ramë te dashi i therur. Mbase atë ateizmin tim ia dedikoj atij manarit që ishte therur.

Kur ishim në shkollë në mesme, në gjimnazin e Gjirokastrës, erdhi Kahreman Ylli, atë kohë ministër Arsimi dhe tha se erdhi te ne pasi “disa nga shkrimet që bëjnë djemtë tuaj unë i kam lexuar”. Recituam disa vjersha. Kur më erdhi radha mua i thashë që dua të bëhem veteriner, por ai më thotë “je letrar”. U llafosa me të, pastaj ai e anuloi dhe e bëri bursën time për Gjuhë dhe Letërsi në Bashkimin Sovjetik.

Në vitin e parafundit ne bënim një kurs të gazetarisë, përveçse ishim për Filologji. Këtu duhej të shkoje për shërbim nëpër Rusi: mua më ra shorti të shkoja në Uljanovsk (vendi ku ka lindur Lenini). Atje dilte gazeta lokale, atje me dërgonin me shërbime, duhet të bëja 3 recensione, të beja 10 informacione, 1 apo 2 fejtone kritike, dhe 4-5 artikuj dhe këto do i mblidhje në dosje për të mbrojtur praktikën.

Unë bëra më shumë kritika atje. Kryetari i bashkisë në një letër ankuese thoshte se nuk ma dinte as emrin, “ka ardhur këtu një çeçen dhe ka bërë kritikë për ndërtimet, se i bëjmë shkel e shko”, titullin ia kisha vënë, mesa më kujtohet, “ljap tjap- shkel e shko”. Që atje unë mësova se sa e vështirë do jetë në Shqipëri, kur e vështirë ishte në Rusi për kritikën. Këtu te ne shikohej dhe se me kë vajzë po del.

Një student atje, një student i brezit tim, ëndërronte që të hynte në një gazetë ose në një shtëpi botuese, ose mësues i letërsisë ruse dhe botërore. Këto ëndërronte, por pjesa më e madhe të bëheshin gazetarë ose shkrimtarë. Unë, ç’është e vërteta, të bëhesha gazetar ëndërroja, por jo të rrija shumë në gazetë, por të merresha me libra, me letërsi.

Më vonë unë lexova një shkrim të Heminguejt që thoshte: çdo shkrimtar duhet të punojë të paktën 5 vjet në gazetë, për të njohur të gjithë shoqërinë, jetën, njerëz sa më shumë, gjithçka të natyrës. Por duhet të dijë kur të largohet nga gazeta, sepse e “ha” dhe nuk bëhet dot shkrimtar i vërtetë, të paktën 5 vjet duhet. Pastaj edhe po ta zgjasë duhet të dijë se kur të ikë, se po të rrijë tërë jetën thahet, bëhet shkronjë.

Unë atëherë nuk e kisha lexuar këtë thënie, sepse pak libra të tij ishin botuar në Rusi. Në Tiranë, ishte një librari e Librit Sovjetik, pranë Kafe Krimesë që qëndronte 24 orë hapur dhe ku pinim kafe pas mbylljes së gazetës. Te kjo librari gjeta 4 vëllimet e tij. Ishte viti ’59, kisha dy vite dhe, sipas Heminguejt, mbeteshin dhe 3 vite, kështu që unë këtë e bëra moto, dhe më ’65 dola në profesion të lirë.

Jeta është ndryshe nga ajo e studentit, krejtësisht, sepse studenti, meqë nuk punon, është parazit, jeton mbi të tjerët. Kur del në jetë duhet të mbajë veten dhe familjen dhe jeta bëhet tepër e vështirë, në shumë gjëra. Duhet të punosh shumë, mos kesh frikë se të heqin nga puna, duhej të dëgjoheshe, të kishe një emër në shoqëri, këto kënaqësi të shtynin më shumë për të punuar.

Jeta nuk përsëritet, dhe e vetmja gjë që nuk duhet shpenzuar kot është koha. Në këtë moshë thithet çdo gjë, e mirë dhe e keqe, ka një magnet të çuditshëm që i thith të gjitha i riu. Kështu është edhe studenti dhe kurrë nuk duhet të dembeloset studenti, duhet të përpiqet të dijë të paktën dy gjuhë: një të Perëndimit dhe një të Lindjes.

Unë them që nuk besoj që të gjithë të jenë kështu. Ka një pjesë që e marrin jetën lehtë, por veçanërisht ata që kanë disa të ardhura, trashëgimi, që bëjnë këtë marifet, por nuk e marrin me mend sesa dëm mund t’ju bëjë. P.sh. Ismail Kadare i vuri vetes këtë qëllim dhe, o do bëhem shkrimtar, o s’ka dhe vetëm gërmonte libra të vjetra, të reja, të gjitha, madje dhe libra të ndaluar. Ashtu sikurse edhe ne.

Por a kanë qenë kështu gjithnjë studentët, është universale apo ndryshon nga koha? Unë them ndryshon nga koha. Një të përbashkët kanë, që ata që kanë një pasion të madh në jetë për t’u bërë dikush, diçka ata bëhen patjetër. Unë e kam harruar emrin e një shkrimtari italian të cilin e ëma e lidhte pas këmbës së karriges që të shkruante se nuk kishte vullnet, ai u bë i famshëm.

Këtu te ne Faik Konica ishte shumë i zgjuar, por nuk kishte vullnet. Kohët kanë ndryshuar shumë, por prapë ka diçka që nuk ndryshon, që është universale, që është puna dhe vullneti. Po kjo është e vërteta, puna dhe vullneti, dhe nga kjo shumicë studentësh qe kemi ne, do dalin njerëz që do na çudisin, sepse temat janë të shumta, liria e shtypit e plotë, mjetet janë më të sofistikuara.

Studenti i sotëm duhet të marrë parasysh këtë që thotë që liria është aq e madhe, por po të prekësh probleme kardinale që t’i ngacmosh njerëzit, atëherë kuptohet kjo dalldisje, kjo e Bukura e Dheut që është Shqipëria; preke në disa pika dhe do të shohësh ti si është, si reagon. Merre ti “Zërin e popullit” apo njësoj dhe “Rilindjen Demokratike”: a shkruajnë kundër vetes së tyre, të kritikojnë një kryetar partie? Jo!

Ana, mbesa e një ikone

Ana, e mbesa e Dritëroit, nuk i është ndarë gjyshit të saj. Edhe ajo ka veshur mantelin e kaltër të ceremonive universitare. Ka qenë një moment që dukej se shkonte kundër rrjedhës normale të gjërave: mbesa vjen në ceremoninë e “diplomimit” të gjyshit ku ai mban atë kapelen me fjongo e tunikën e kaltër. Studente për ekonomi në Francë, Ana ka qenë mishërimi i kredos së Dritëroit njeri dhe gjysh. Trupëzimi i atyre porosive që u ka dhënë studentëve të UET e nëpërmjet tyre të rinjve shqiptare: “Mos u jepni para jetës së lehtë e tundimeve në jetë; zgjidhni të bëheni dikush; jini edhe ngapak të çmendur”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›