E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Problemet politike pengojnë statusin kandidat”

Gazeta prestigjioze “The Economist” analizon zhvillimet në Ballkanin Perëndimor dhe perspektivën integruese, pas arrestimit të të kërkuarit nga Gjykata e Hagës Ratko Mlladiç. E përditshmja thotë se tanimë Beogradi synon të përfitojë statusin e vendit kandidat për anëtar të Bashkimit Europian, në dhjetorin e këtij viti, dhe nisjen e negociatave të pranimit menjëherë ose maksimumi në vitin 2012. Sakaq, Mali i Zi, që e ka statusin e vendit kandidat, pret që të nisë zyrtarisht negociatat e pranimit. “The Economist” vlerëson se zgjedhjet e së dielës në Maqedoni do të mund të prodhojnë një qeveri, e cila do të zgjidhë çështjen e emrit me Greqinë e të zhbllokojë negociatat e anëtarësimit. Kroacia duket se e ka situatën më të favorshme, pasi shprehet që të përmbyllë tanimë procesin e negociatave të anëtarësimit në Bashkimin Europian. Sa i takon Shqipërisë, e përditshmja e njohur thotë se pavarësisht refuzimit të statusit kandidat, për shkak të problemeve të brendshme, perspektiva e vendit mbetet Bashkimi Europian.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›