E Shtunë, 31 Tetor 2026

Problemet zgjidhen me dialog

Një delegacion i Asamblesë Parlamentare të NATO-s po qëndron për një vizitë në Republikën e Kosovës, më ç’ rast është takuar me Kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, nga i cili janë informuar për të gjitha zhvillimet që kanë ndodhur dhe po ndodhin në vendin tonë. Kurse kryesuesi i këtij delegacioni, Thomas Jopling, duke folur nga përvoja e Mbretërisë së Bashkuar, ka thënë se mënyra më e mirë për zgjidhjen e problemeve dhe ndasive është dialogu.

Me këtë rast, kreu i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, në një konferencë për media, pas takimit, ka thënë se e ka informuar kreun e delegacionit të Asamblesë së NATO-s për të gjitha zhvillimet në vend, për arritjet e Kosovës, por edhe për problemet që ka vendi ynë në aspektin e sigurisë në pjesën veriore të Kosovës.

“Natyrisht e njoftuam edhe me nivelin e pasigurisë në pjesën veriore të Kosovës. Natyrisht duke e falënderuar për rolin që trupa e NATO-s në Kosovë, e njohur si KFOR, për rolin e saj në sigurinë dhe stabilitetin në Kosovë, por edhe në rolin e saj në përgatitjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës”, ka thënë ai.

Krasniqi ka thënë se ka kërkuar nga ky delegacion që të shikohet mundësia e pjesëmarrjes si vëzhgues të deputetëve nga Kuvendi i Kosovës në Asamblenë Parlamentare të NATO-s.

Kurse Kryetari i Komiteti për Dimensionin Civil të Sigurisë i NATO-s, Thomas Jopling, duke shpalosur përvojat e Mbretërisë së Bashkuar, prej nga vjen ai, ka thënë se bisedimet janë forma më e mirë për zgjidhjen e problemeve.

“Aspekti parimor i diskutimeve tona në Beograd, veri dhe sot këtu janë të përqendruara në problemet në veri në mes të serbëve të Kosovës dhe shqiptarëve të Kosovës. Ne mirëpresim dëshirën, nevojën dhe rëndësinë e bisedimeve. Shpresoj që bisedimet do të jenë në formën konstruktive që të merreni me mirëqenien e të dyja komuniteteve, posaçërisht në veri, vetëm bisedimet janë mënyra e duhur për të zgjidhur problemet, sepse besoj që të dyja komunitetet dëshirojnë të jetojnë në paqe dhe nëse mund të kemi një zgjidhje paqësore për të dyja komunitetet edhe për komunitetet tjera në Kosovë përmes bisedimeve, atëherë kjo është mirë për ju, për Serbinë dhe të kërkojmë zgjidhjen përmes bisedimeve”, ka thënë ai.

Ai e ka përmendur rastin e vendit të tij, Britaninë e Madhe në 30 vitet e fundit, ku kanë pasur një situatë të ngjashme me atë të veriut të Kosovës. Ai ka thënë se kanë pasur një minoritet në Irlandën Veriore që dëshironin që Irlanda Veriore të mos jetë pjesë e Mbretërisë së Bashkuar dhe dëshironin t’i bashkoheshin Republikës së Irlandës, ku si pasojë shumë njerëz janë vrarë gjate këtyre 30 viteve. Sipas tij, ndonëse ka pasur një konflikt me këtë minoritet, në fund ishin bisedimet që e kanë qetësuar situatën dhe tani situata është pothuajse e qetë.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›