E Shtunë, 31 Tetor 2026

Procedohen komisionerët, falsifikuan rezultatet

14/03/2012  Prokuroria çon në gjykatë 8 shtetas, dhanë fakte të rreme

Shkelja në Dajç, regjistruan si zgjedhës persona shtesë

LEZHE- Prokuroria e rrethit gjyqësor Lezhë ka paraqitur për gjykim pranë gjykatës së rrethit gjyqësor Lezhë, procedimin penal ndaj 8 ish-komisionerëve të zgjedhjeve vendore të mbajtur më 8 maj të vitit 2011 në komunën Dajç. Lulzim Paloka, Ndoc Marku, Mark Kola, Zef Gjoni, Pjetër Marku, Pal Prendi, Gentian Kovaçi dhe Gent Marku akuzohen për kryerjen e veprave penale të “shpërdorimit të detyrës” dhe “falsifikimit të dokumenteve dhe rezultateve të zgjedhjeve” të kryera në bashkëpunim. Burime të Prokurorisë bëjnë me dije se të pandehurit gjatë zgjedhjeve të 8 majit në komunën Dajç, ku kandidat për kryetar komune ishin shtetasit Rrok Rroku përfaqësues i koalicionit politik “Aleancës për të Ardhmen” dhe Gjergj Doçi i koalicionit politik “Aleanca për Qytetarin” në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë shkelur ligjin duke nënshkruar vetë në listën e zgjedhësve, kanë plotësuar fletë votimi e kanë votuar në emër të zgjedhësve që nuk janë paraqitur për të votuar e që nuk kanë qenë as në Shqipëri. Sipas organit të akuzës, këta të pandehur duke qenë me detyrën e përpilimit, vlerësimit dhe ruajtjes së dokumenteve zgjedhor kanë paraqitur në këto dokumente zgjedhore të dhëna të pasakta e të pavërteta sikur përpara Qendrës së Votimit Nr.0699 janë paraqitur shtetas, të cilët në fakt nuk janë paraqitur, kanë shkruar në dokumentet zgjedhore numra pasaportash dhe kartash identiteti, të cilat nuk ekzistojnë ose nuk janë në emër të shtetasve, të cilët rezultojnë të kenë votuar në këtë qendër votimi, si dhe kanë hedhur fletë votimi për shtetas, të cilët nuk janë paraqitur për të votuar.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›