Procedojnë shpejt

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve pritet të vendosë sot se kur ferizajasit do të mund t'iu drejtohen për herë të dytë kutive të votimit, kjo për të vendosur në mes të Agim Aliut të PDK’së dhe Adem Salihajt të LDK’së, të cilët garojnë për postin e të parit të këtij qyteti.
Në një prononcim për Express, Kryetarja e KQZ'së, Valdete Daka ka bërë të ditur se afati ligjor i përcaktuar për raundin e dytë zgjedhor do të shkurtohet.
"Dita e fundit, duke marrë për bazë Ligjin për zgjedhje lokale, i bie të jetë 27 maji, ngase bëhen katër javë që nga shpallja e rezultateve të raundit të parë zgjedhor, mirëpo pritet të ketë shkurtim të këtij afati", ka thënë Daka, të martën për Express.
Neni 9.6 i Ligjit mbi zgjedhjet lokale në Kosovë parasheh që KQZ’ja të organizojë raundin e dytë zgjedhor ndërmjet kandidatëve që kanë fituar më së shumti vota të vlefshme, katër javë pas raundit të parë zgjedhor.
Mirëpo, sipas Dakës, një afat i tillë kohor nuk është i nevojshëm ngase gjatë raundit të parë nuk janë hasur shkelje të cilat do të mund të rëndonin procesin zgjedhor.
"Meqenëse janë vetëm dy kandidatë dhe nuk ka pasur ndonjë shkelje gjatë raundit të parë që ka mundur të rrezikojë procesin e votimit, afati do të mund të shkurtohet dukshëm", ka thënë Daka.
Ndërkohë, afishet dhe mbishkrimet me emrat e Agim Aliut dhe Adem Salihajt do të mund të qëndrojnë edhe për ca kohë në rrugët e Ferizajt.
Për më tepër, kandidatët do t'i kenë edhe tri ditë para datës së mbajtjes së raundit të dytë zgjedhor për të mbledhur elektoratin dhe kërkuar sërish votën e tyre.
"Po kandidatët kanë të drejtë për fushatë, maksimum deri në tri ditë para datës se kur do të mbahet raundi i dytë zgjedhor", ka thënë Kryetarja e KQZ'së, Valdete Daka.
Në raundin e parë zgjedhor, të mbajtur më 29 maj, Agim Aliu nga PDK’ja ka fituar 40 për qind të votave duke kaluar kështu kundërkandidatin e tij nga LDK’ja, Adem Salihaj, i cili arriti të mbledhë vetëm 24 për qind të votave.
Mirëpo, asnjëra parti nuk kishte arritur të sigurojë mbi 50 për qind të votave, gjë e cila ka ndikuar në shpalljen e balotazhit ndërmjet dy partive me shumicë votash, PDK dhe LDK.
Që të dy kandidatët, ndërkaq, ende pa u caktuar data e raundit të dytë zgjedhor, e shohin veten në karrigen e të parit të Ferizajt.
Agim Aliu ende pa u shpallur rezultatet preliminare nga KQZ’ja, të dielën ka thënë se gara ka qenë korrekte dhe ka fituar demokracia.
"Koncepti i PDK’së ka dalë fitues", është shprehur ai.
Mirëpo, ankesa ka pasur kandidati i LDK’së, Adem Salihaj.
Pas publikimit të rezultateve, është ankuar se PDK’ja ka tentuar të prishë procesin zgjedhor, por se nuk ia ka dalë.
Ai ka thënë se në balotazh vendimtare do të jenë koalicionet që do të lidhin partitë mes vete. “Fitorja në balotazh do të vendoset nga koalicionet që do të lidhin partitë politike. LDK’ja është e hapur për koalicione”, ka thënë Salihaj.
të dëshpëruara nga raundi i parë, ndërkaq kanë dalë Vetëvendosja e Albin Kurtit me kandidat Faton Topalli, që arriti të mbledhë vetëm 15 për qind të votave dhe AAK'ja e Ramush Haradinajt me Naim Feratin që siguroi vetëm 7 për qind të tyre.
Sidoqoftë, gara vazhdon për Salihajn dhe Aliun. Njëri nga këta të dy pritet të zërë vendin e ish-Kryetarit Bajrush Xhemajli, i cili e la postin e tij në mars të këtij viti për shkak se u dënua me 2 vjet e gjysmë burgim për shkaktim të aksidentit me fatalitet.