Procedura e plotë për punësimin e rregullt në Greqi
Jonida Tashi
Ministria e Punës publikon procedurat që duhet të ndiqen për emigrimin e rregull në shtetin grek. Pas marrëveshjes së nënshkruar pak kohë më parë për punësimin e rregullt të shqiptarëve në Itali, kjo ministri është duke hartuar projektmarrëveshjen në fushën e emigrimit të punës edhe me qeverinë greke. Ministri i Punës, Anastas Duro, bën të ditur se “jemi në proces për nënshkrimin e një marrëveshjeje për punësim të rregullt edhe me qeverinë greke, me të cilën po vazhdojmë negocimin nëpërmjet Ministrisë sonë të Jashtme”. Marrëveshja dypalëshe në fushën e punës midis qeverisë shqiptare dhe asaj italiane, e nënshkruar në fund të vitit 2008 në Tiranë, do të mundësojë forcimin e bashkëpunimit mes dy vendeve për menaxhimin më të mirë të flukseve të punonjësve emigrantë në drejtim të dy shteteve. E njëjta gjë pritet të ndodhë edhe pas nënshkrimit të marrëveshjes për punësimin me Greqinë. “Që marrëveshja të bëhet eficente, në të parashikohet domosdoshmëria e kontakteve mes përfaqësuesve të palëve, të cilët propozojnë zgjidhje për vështirësitë, që mund të hasen në zbatimin praktik të marrëveshjes. Pra, marrëveshja nuk është statike”, - sqaron ministri Duro.
Të dhënat
Dhënia e një informacioni të hollësishëm e të detajuar mbi profesionet, sektorët dhe kriteret që duhet të plotësojnë shtetasit shqiptarë për të punuar në Greqi, do të mundësojë për çdo të interesuar informacionin për kohën e aplikimit dhe procedurat. Pas nënshkrimit të marrëveshjes, Ministria Greke e Punës do të transmetojë çdo vit pranë Ministrisë së Punës të Shqipërisë informacion të detajuar mbi profesionet dhe kualifikimet për të cilat ka nevojë tregu grek i punës, si dhe kriteret që duhen përmbushur nga pala shqiptare. Mbi këtë informacion, Ministria e Punës harton listat e kandidatëve potencialë për emigrim dhe nëpërmjet kanaleve diplomatike ia kalon palës greke. Ndërsa përzgjedhja përfundimtare e kandidatëve bëhet nga punëdhënësi grek. Aktualisht Shqipëria është një ndër vendet me fluksin më të lartë të emigrimit në Europë dhe studiuesit theksojnë se jashtë vendit ndodhen rreth 1 milionë shtetas shqiptarë. Nisur nga ky fakt, politikat migratore të qeverisë shqiptare nuk synojnë nxitjen e emigrimit të popullsisë, por përdorimin e tij si një faktor dhe burim për nxitjen e zhvillimit të vendit.
Kriteret
Një i huaj që dëshiron të hyjë në Greqi duhet të paraqesë një pasaportë të vlefshme ose ndonjë dokument tjetër udhëtimi dhe vizën e lëshuar nga Konsullata Greke. Vizat ndahen në dy kategori: viza për qëndrim të shkurtër (të ashtuquajturat vizat “Shengen”, të vlefshme deri në tre muaj) dhe vizat për qëndrim të gjatë (të ashtuquajturat vizat e
shtetësisë, të vlefshme për më shumë se tre muaj). Në Greqi, vendet e punës janë plotësisht kompetencë e Organizatës së Punësimit të Forcës Punëtore (OAED). Kjo organizatë ofron udhëzues profesionalë, trajnim tekniko-profesional, përfitime nga sigurimet, vende pune dhe zbatimin e programeve të punësimit. Që nga viti 2005, lejet e qëndrimit dhe të punës janë unifikuar, pra, nuk është më e nevojshme të aplikohet për dy leje të veçanta. Shtetasve të huaj, që kanë marrë një vizë hyrjeje për qëllim punësimi, u lëshohet një leje qëndrimi për qëllim punësimi, me kusht që ata të kenë nënshkruar një kontratë pune të shkruar, e cila përcakton se pagesa e tyre mujore do të jetë të paktën e barabartë me pagesën mujore të një punëtori të pakualifikuar dhe që ata të kenë paraqitur të gjitha dokumentet e nevojshme, duke përfshirë edhe një kopje të noterizuar të kontratës së punës dhe një certifikatë që vërteton se aplikanti ka aplikuar pranë një subjekti të autorizuar të sigurimeve publike për të mbuluar trajtimin spitalor, shpenzimet mjekësore dhe rastet e aksidenteve në punë. Meqenëse shtete të ndryshme kanë procedura të ndryshme, këshillohet të shqyrtohet procedura pranë Ambasadës Greke në vendin tonë.
Leja e qëndrimit
Pasi është lëshuar viza për punë, ju duhet të aplikoni për leje qëndrimi për qëllim punësimi pranë bashkisë së vendit ku qëndroni, para se të filloni punë në Greqi. Dokumentet bazë që duhet të dorëzoni janë: viza e punës; kontrata ndërmjet punëdhënësit dhe punëmarrësit; pasaporta; tarifa – 150 euro (në vit); formular aplikimi për lëshimin e lejes së qëndrimit paraqitur në bashki. Lista nuk është e plotë. Meqenëse kjo listë mund të ndryshojë, ju duhet të kërkoni në bashki listën e të gjitha dokumenteve që duhet të paraqisni. Në varësi të bashkisë dhe ngarkesës së tyre të punës, duhet një kohë nga 2 javë deri në 3 muaj për të lëshuar leje qëndrimi për qëllim punësimi. Pasi keni dorëzuar aplikimin për lejen e qëndrimit, ju merrni një vërtetim për dorëzimin e aplikimit dhe, ndërkohë, mund të filloni të punoni menjëherë. Për shkak se rregullat për viza janë objekt i ndryshimeve të vazhdueshme, është e nevojshme që të kërkoni rregullat më të fundit në faqen elektronike të Ambasadës Greke të vendit tuaj të qëndrimit. Greqia zbaton dispozitat e marrëveshjes “Shengen” dhe “Acquis”-në përkatëse në lidhje me çështjen e vizave afatshkurtra. Vendet që zbatojnë “Acquis Shengen” në tërësinë e saj (shtetet anëtare të BE-së, Austria, Belgjika, Danimarka, Finlanda, Franca, Gjermania, Greqia, Italia, Luksemburgu, Holanda, Portugalia, Spanja, Suedia, shto edhe vendet e asociuara: Islanda dhe Norvegjia) ndjekin/zbatojnë një politikë të përbashkët të vizave për qëndrimet afatshkurtra deri në tre(3) muaj në “zonën Shengen”. Shtetasit e këtyre vendeve nuk janë subjekt i kontrolleve të kufirit brenda zonës së përbashkët. Shtetasit nga shtetet anëtare të Bashkimit Europian dhe nga disa vende të tjera nuk kanë nevojë për një vizë për të hyrë në Greqi (dhe në “zonën Shengen”). Çdo shtetas i huaj, që hyn në territorin grek, duhet të ketë: një pasaportë, apo dokument tjetër udhëtimi të njohur nga marrëveshjet kombëtare, një vizë në dokumentet, kur kjo kërkohet nga marrëveshje ndërkombëtare në fuqi, ligji i komunitetit dhe dispozitat kombëtare.
Shqipëria përfshihet në listën e atyre vendeve, shtetasit e të cilëve, bazuar në Rregulloren e Këshillit Europian duhet të kenë një vizë për të hyrë në një nga vendet e “zonës Shengen”, ku bën pjesë dhe Greqia.
Për të lëshuar vizën e punës, Konsullata zakonisht kërkon:
Një pasaportë të vlefshme
Një vërtetim shëndetësor nga një spital shtetëror
Një dëshmi penaliteti
Sigurimin shëndetësor
Dokumentet mund të ndryshojnë rast pas rasti. Viza lëshohet brenda disa ditësh, në varësi të ngarkesës së punës që ka Konsullata.
Ekonomia
Greqia ka një ekonomi tregu ku sektori publik përbën rreth 40 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB). Turizmi siguron 15 për qind të PBB-së. Emigrantët përbëjnë rreth një të pestën e krahut të punës, kryesisht në bujqësi dhe punë të pakualifikuar. Industritë kryesore janë turizmi, ushqimi dhe përpunimi i duhanit, tekstilet, lëndët kimike, prodhimi i metaleve; minierat, nafta. Prodhimet bujqësore kryesore: gruri, misri, elbi, panxharsheqeri, ullinjtë, domatet, vera, duhani, patatet; mishi i viçit, produktet e bulmetit.
Cilat janë kushtet për marrjen e lejes së qëndrimit
Të huajt, për të marrë lejen e qëndrimit për punësim si punëmarrës, duhet të plotësojnë kushtet e mëposhtme:
Të kenë një pasaportë të vlefshme, ose një dokument tjetër udhëtimi, i njohur nga marrëveshjet ndërkombëtare;
nuk duhet të jenë të rrezikshëm për rendin dhe sigurinë publike;
nuk duhet të jenë të rrezikshëm për shëndetin publik;
duhet të kenë sigurime të plota shëndetësore për të cilat mbulohen shtetasit grekë;
duhet të kenë burime për të mbuluar shpenzimet e rikthimit në vendet e origjinës;
duhet të paguajë një depozitë (tarifë), siç përcaktohet në ligj dhe të bashkëngjisë provat dokumentore përkatëse;
duhet të ketë një kontratë pune, ku përcaktohet se, paga e tij/saj është, të paktën e barabartë me të ardhurat mujore të një punëtori të pakualifikuar.
Lejet e qëndrimit që lëshojnë autoritetet greke
Lejet e qëndrimit lëshohen, zgjaten dhe revokohen nga sekretari i Përgjithshëm i rajonit pasi është marrë mendimi i Komitetit të Imigracionit të ngritur në çdo drejtori rajonale për të huajt dhe imigracionin.
Llojet e lejeve të qëndrimit:
Ekzistojnë kategoritë e mëposhtme të lejeve të qëndrimit:
A. Leje qëndrimi për punësim:
A1. Punësim më pagesë (në varësi)
A2. Punësim sezonal
A3. Drejtues kompanish
A4. Lëvizje e përkohshme për ofrim shërbimesh
A5. Atletë – Trajnerë
A6. Anëtarë të grupeve artistike
A7. Krijues kulturorë
A8. Anëtarë të shkollave të huaja arkeologjike
B. Leje qëndrimi për veprimtari të pavarur ekonomike:
B1. Veprimtari e pavarur ekonomike
B2. Veprimtari investuese
C. Leje qëndrimi për arsye të posaçme:
C1. Kryerje të studimeve
C2. Trajnim profesional
C3. Studiues – Programe të Posaçme
C4. Studime në shkolla ushtarake
C5. Specializim mjekësor
C6. Persona të vetë–financuar
C7. Fëmijë të rritur të personelit diplomatik
C8. Personel shërbimi i delegacioneve diplomatike
C9. Korrespondentë të shtypit të huaj
C10. Pastorë të feve të njohura
C11. Shkollë për murgj
C12. Njohja dhe ushtrimi i jetës në manastir
C13. Shoqërues për turne të organizuar
C14. Studiues që merren me punë kërkimore
D. Leje qëndrimi për arsye të pazakonta:
D1. Arsye humanitare
D2. Interes publik
D3. Viktima të trafikimit
E. Leje qëndrimi për bashkim familjar
E1. Pjesëtar familjeje të një shtetasi të një vendi të tretë
E2. Leje të pavarura qëndrimi për pjesëtarë familjeje të një shtetasi të një vendi të tretë
F. Leje qëndrimi për një kohë të pacaktuar
G. Leje qëndrimi afatgjatë
19 Janar 2009