E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zgjerimi i NATO-s kryeson axhendën e Samitit të Bukureshtit



Zgjerimi i Aleancës dhe gjendja e operacioneve të NATO-s në Afganistan dhe Kosovë pritet të jenë prioritetet e diskutimit të Samitit të NATO-s, që do të mbahet më 2-4 prill në Bukuresht të Rumanisë, i cilësuar si takimi më i madh në historinë e NATO-s. Siç ka bërë të ditur agjencia e lajmeve rumune “Rompres”, liderët e shteteve dhe qeverive të 26 vendeve anëtare të NATO-s, nga vendet partnere si dhe përfaqësuesit e organizatave kryesore ndërkombëtare do të përqendrohen në dhënien e ftesave për anëtarësim. Agjencia rumune ka bërë të ditur se në Samitin 3-ditor do të zhvillohen takime të niveleve të larta në formate të ndryshme si Këshilli i Atlantikut Verior (NAC), Këshilli i Partnershipit Euro-Atlantik (EAPC), Këshilli NATO-Rusi (NRC) dhe Komisioni NATO-Ukrainë (NUC). Samiti do të fillojë më 2 prill me një darkë pune, ku do të jenë të pranishëm kryetarët e shteteve dhe të qeverive nga 26 vendet anëtare të NATO-s.
Në këtë darkë pune pritet të shqyrtohen çështje si operacionet e NATO-s, zgjerimi i saj dhe zhvillimet e partnershipit me vendet e tjera. Në datën 3 prill debatet do të vazhdojnë që në mëngjes në Këshillin e Atlantikut Verior, ndërkohë që axhenda parashikon situatën në Ballkanin Perëndimor si edhe transformimin e sistemit mbrojtës të Aleancës. Pika kryesore e NATO-s do të jetë zgjerimi i Aleancës. Gjatë Këshillit të Atlantikut Verior liderët do të shohin mundësinë e zgjerimit të vendeve aspiruese që plotësojnë standardet e NATO-s dhe kontribuojnë në sigurinë euro-atlantike, të parashikuara në Planveprimin e Anëtarësimit (MAP).
Ky takim i Këshillit të Atlantikut Verior do të pasohet nga mbledhja e Këshillit të Partnershipit Euro-Atlantik, ku anëtarët e NATO-s do të takohen me 23 vendet partnere për të diskutuar për çështje të sigurisë dhe për çështje politike. Këshilli i Partnershipit Euro-Atlantik siguron strukturën politike për bashkëpunimin e NATO-s me partnerët e saj dhe për zhvillimin e marrëdhënieve dypalëshe mes Aleancës dhe çdo shteti që merr pjesë në Partnershipin për Paqe. Më pas pritet takimi nga Komisioni NATO-Ukrainë (NUC). Samiti i NATO-s do të përfundojë më 4 prill me takimin e Këshillit NATO-Rusi, ku do të jetë i pranishëm edhe presidenti Vladimir Putin. Ndërkohë, Brukseli ka filluar përgatitjet për organizimin e këtij Samiti, i cili do të mbahet nën masa të larta sigurie për shkak të pjesëmarrjes së figurave të larta të shteteve.

1 Prill 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›