Asambleja e KiE-së i rikthehet idesë së Kushtetueses dhe Venecias
Eljona Ballhysa
Asambleja e Këshillit të Europës i është rikthyer dhe njëherë propozimit që zgjidhja e krizës duhet të vijë nga Gjykata Kushtetuese dhe Komisioni i Venecias. Kreu i Asamblesë së Këshillit të Europës, Çavushoglu, u shpreh dje nga Qipro ku zhvilloi një takim me kryetaren e Kuvendit të Shqipërisë, se opozita duhet t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese dhe nëpërmjet këtij institucioni Komisionit të Venecias përsa u përket kërkesave të saj për transparencën e procesit zgjedhor. Më tej, Çavushoglu, duke iu referuar qëndrimit të opozitës shqiptare, e ka cilësuar papjekuri grevën e urisë dhe mospranimin e sugjerimeve të ndërkombëtarëve për zgjidhjen e krizës.
Qëndrimi
“Së pari, bojkoti dhe greva e urisë është një qëndrim i papjekur në demokraci. Populli i ka votuar deputetët për të qëndruar në Parlament, për të mbrojtur të drejtat e tyre në shumë fusha, qofshin në opozitë, qofshin në qeveri. Dhe kjo është arsyeja pse njerëzit votojnë në zgjedhjet demokratike”, - është shprehur kreu i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës. Më pas ai bëri të ditur se gjatë vizitës në Shqipëri, Komiteti Presidencial i KiE-së i propozoi PS-së një rezolutë për zgjidhjen e krizës, e cila nuk u pranua nga opozita. “Ne bëmë një vizitë në Shqipëri si Komitet Presidencial i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës me liderët e grupeve politike. Para kësaj ne hartuam një rezolutë me mesazhe të qarta për të gjitha palët, në mënyrë të veçantë për opozitën dhe qeverinë. Më pas patëm një deklaratë nga Byroja e Asamblesë Parlamentare sërish me mesazhe të qarta. Unë mendoj se secili duhet t’i marrë në konsideratë këto mesazhe të dhëna nga Asambleja Parlamentare. Ne jemi përpjekur që problemi të zgjidhet. Shqipëria ka nevojë për stabilitet dhe progres. Shqipëria duhet të vazhdojë me reformat për të përmbushur standardet e Asamblesë Parlamentare, që do ta aftësojnë në një të ardhme të afërt të bëhet anëtare me të drejta të plota në BE. Ne i kërkuam në deklaratën tonë me shkrim opozitës që t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese dhe të kërkojë opinionin e Komisionit të Venecias. Ne kemi një trup ligjor. Në atë kohë opozita nuk e bëri këtë gjë, por na premtoi për zgjidhje. Ajo ende ka pikëpamje të ndryshme për këtë çështje. Mendoj se Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë mund t’i drejtohet Komisionit të Venecias për opinion”, - është shprehur kreu i Asamblesë së KiE-së, Çavushoglu. Ndërkaq ai ka premtuar mbështetjen e procesit të liberalizimit të vizave për Shqipërinë dhe shqiptarët. “Isha shumë i lumtur që komisionerja Mallmstrom propozoi që të hiqen vizat apo që Shqipëria dhe Bosnjë-Hercegovina të përfshihen në regjimin pa viza. Ky është një hap thelbësor dhe shumë i rëndësishëm drejt anëtarësimit të Shqipërisë në BE. Ne e mbështesim plotësisht këtë proces”, - është shprehur Çavushoglu.
14 Qershor 2010