E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shtohet numri i përdoruesve tek të rinjtë

14/06/2010 Rreth tetë mijë persona identifikohen si përdorues të formave të rënda

Rreth 7-9 % e të rinjve të shkollave të mesme janë ekspozuar ndaj drogave në këto mjedise

Shtohet numri i përdoruesve të drogave në radhët e të rinjve. Në një vëzhgim të fundit, të kryer nga ekspertët e shëndetit publik, rezulton se nxënësit e shkollave të mesme po shtohen gjithnjë e më shumë në radhët e përdoruesve, duke e nisur fillimisht më format më të lehta, teksa nuk mungojnë edhe përdoruesit e injeksioneve. Sipas të dhënave, rezulton se jo pak, por më shumë se 6-7 për qind e të rinjve përdorin drogë, duke filluar nga më të lehtat, si tymosja e hashashit, e deri tek kokaina, heroina, me injeksione. Megjithatë, në radhët e përdoruesve masivë përfshihen edhe grupet e tjera të riskut, siç janë personat që vuajnë nga sëmundje seksualisht të transmetueshme, e veçanërisht nga hiv-aids. "Rreth 7-9 për qind e të rinjve të shkollave të mesme janë ekspozuar ndaj drogave në mjediset shkollore ose rreth tyre. Pra, u është ofruar përdorimi i një droge pranë mjedisit të shkollës, çka do të thotë që trafikantët e drogës funksionojnë tashmë kudo, edhe pranë shkollave", është shprehur drejtori i ISHP-së, Alban Ylli. Ndonëse nuk ka statistika të plota, në total pohohet se janë evidentuar si përdorues të drogave rreth 40 mijë persona. Shifër kjo që mund të jetë edhe më e lartë, duke qenë se shumë prej përdoruesve mbeten të paidentifikuar. Megjithatë, më shqetësues mbetet fakti që janë shtuar në masë edhe përdoruesit e formave të rënda të substancave narkotike nëpërmjet injeksioneve. Rreth tetë mijë përdorues pohohet se kanë nevojë për marrjen e terapisë me metadon, e cila ndihmon në rehabilitimin e organizmit, por mundësitë për trajtimin e këtyre personave janë tepër të kufizuara. "Bëhet fjalë nga 30 deri në 40 mijë përdorues, që janë në të gjitha llojet e drogave. Flasim për 8 mijë përdorues që kanë nevojë për terapi, persona që mund të injektojnë ose që përdorin heroinë, dhe kjo mbahet si një nga format më të rënda të drogës. Në Tiranë bëhet fjalë për 130 klientë që marrin terapi përditë, po këtu mund të shtojmë 55 në Durrës, pesë në Elbasan, dhe Vlora e Korça ka edhe 100 të tjerë", shprehet kreu i "Aksion plus", Genci Muçollari. Ndërkohë që lidhur me grupmoshat më të rrezikuara pohohet se përveç të rinjve, edhe moshat e rritura shfaqin probleme. “Kemi edhe mosha të tjera, edhe 40-vjeçarët. Nuk kemi të dhëna mbi persona të moshuar, por nuk përjashtohen. Bazuar në sistemet e informacionit që disponojmë, për momentin mund të themi që nuk janë ato grupet me risk më të lartë", pohohet nga specialistët e shëndetit publik.

Temperaturat e larta

Mbipopullohen urgjencat në spitale

Rritja e menjëhershme e temperaturave ka shtuar fluksin e pacientëve të vegjël që u janë drejtuar urgjencave mjekësore për shkak të problemeve të shfaqura në organizmin e tyre. Gjatë tri ditëve të fundit, edhe urgjenca e pediatrisë në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” është mbipopulluar nga fëmijët e vegjël, të cilët kanë manifestuar komplikacione të virozave që shfaqen prej vapës. Sipas mjekëve, nuk kanë munguar edhe rastet kur fëmijët janë paraqitur me temperaturë të lartë. Pjesa dërrmuese e fëmijëve kanë manifestuar simptoma të tilla, si diarre, të vjella, dhe në shumë raste temperatura të larta. Pas dhënies së ndihmës së parë nëpërmjet marrjes së serumit, si dhe rekomandimit të mjekut pediatër, fëmijët janë dërguar për kurim të mëtejshëm në ambientet e shtëpisë. Problemet më të mëdha janë shfaqur te moshat e vogla nga 2-7 vjeç. Mjekët këshillojnë që duhet treguar kujdes i veçantë me moshat e vogla, të cilët nuk duhet të qëndrojnë për një kohë të gjatë nën rrezet e diellit, veçanërisht në orët e pikut. Gjithashtu është e nevojshme që nënat t’u japin sa më shumë lëngje, në mënyrë që të shmanget dehidrimi dhe organizmi të ketë balancat e duhura për të përballuar efektet e vapës. Po ashtu, kujdes maksimal duhet të tregojnë edhe gjatë përzgjedhjes së ushqimeve që do të konsumojnë. Këto të fundit duhet të jenë të ruajtura në kushte të mira higjieno-sanitare, në mënyrë të tillë që jo vetëm fëmijët, por edhe të rriturit të mos preken nga helmimet. Mjekët rekomandojnë marrjen e masave sa më shpejt, pasi ditët e ardhshme mund të bëhen edhe më problematike, duke qenë se rritja e temperaturave do të vijojë. Njëkohësisht kujdes të veçantë duhet të tregojnë edhe të moshuarit që vuajnë nga sëmundje kronike të zemrës. Ekspozimi i kësaj shtrese ndaj temperaturave të larta mund të shfaqë probleme të tjera shtesë në shëndetin e tyre. Ndaj duhet treguar shumë kujdes me oraret e shëtitjeve, dietën ushqimore, si dhe nevojitet përdorimi i lëngjeve sa më shumë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›