E Diel, 1 Nëntor 2026

Fini: “Liberalizimi i vizave për Shqipërinë, një premtim që duhet mbajtur”



Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, ka zhvilluar në Qipro një sërë takimesh bilaterale me homologët e saj, kryetarë të parlamenteve të ndryshme të Europës. Një takim zhvilloi dje edhe me kryetarin e Senatit italian, Xhanfranko Fini. Ai ka theksuar edhe njëherë se Bashkimi Europian ka marrë angazhimin për të liberalizuar regjimin e vizave për Shqipërinë dhe se ky premtim do të mbahet. “Është një angazhim që Bashkimi Europian e ka marrë dhe duhet respektuar. Sepse është një mundësi që u është garantuar; ndërkaq, vendeve të tjera që nuk janë në Bashkimin Europian dhe nuk shoh se për çfarë arsye të mos i njihet edhe shqiptarëve e njëjta mundësi. Italia është shprehur pro dhe e ka pranuar shprehimisht ministri i Punëve të Jashtme Fratini”, - është shprehur kreu i Senatit italian. Në Qipro janë mbledhur kryetarët e parlamenteve të vendeve anëtare të Këshillit të Europës. Kryetarja e Kuvendit, Topalli, në kuadrin e diplomacisë parlamentare, zhvilloi një takim edhe me kryetaren e Dhomës së Lordëve, baroneshën Helen Hayman, me kryetarin e Parlamentit të Sllovenisë, Pavel Gantar, me kryetarin e Dhomës së Letonisë, Gundars Daudze, me nënkryetarin e Parlamentit të Portugalisë, Jose Vera Jardim, me kryetarin e Parlamentit të Hungarisë, Pal Schmitt etj. Gjatë këtyre takimeve Topalli ka shprehur interesin e Kuvendit të Shqipërisë për lidhje më të forta dhe shkëmbime më të shpeshta mes Kuvendit të Shqipërisë dhe homologëve të saj. Gjatë takimeve Topalli është përqendruar në zhvillimet e Shqipërisë në vitet e fundit. “Në vitet e fundit Shqipëria është transformuar më shumë se çdo vend tjetër; ajo ka bërë kërkesën për statusin e vendit kandidat, ka kthyer përgjigjet për Pyetësorin e dërguar nga Komisioni Europian dhe ndodhet në prag të vendimeve të rëndësishme për integrimin europian. Një vit më parë, më 28 qershor, Shqipëria bëri zgjedhjet, të cilat nga ‘arbitri ndërkombëtar’ u kualifikuan si zgjedhje të standardeve të OSBE-së. Ky ishte procesi më i mirë dhe më transparent që shqiptarët kanë pasur në 20 vite. Për të arritur këtë transparencë, numërimi i votave u bë përmes fotografimit, skanimit, filmimit dhe transmetimit online. Kjo ishte një gjë e re që ne arritëm në Shqipëri”, - tha Topalli.

PS, Bare: “Çavushoglu është i keqinformuar nga Topalli”

Partia Socialiste ka reaguar menjëherë pas deklaratës së kreut të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës. Besnik Bare, kryetari i PS-së për Tiranën, u shpreh dje se Çavushoglu është keqinformuar nga kryeparlamentarja Topalli.
“Shprehim keqardhje që zoti Çavushoglu nuk është informuar për realitetin shqiptar, ose më saktë është keqinformuar nga zonja Jozefinë. Ne vlerësojmë maksimalisht faktin që ai paraqet interes për Shqipërinë dhe me këtë rast duam ta informojmë që opozita ka bërë maksimumin e saj për zgjidhjen e krizës. Nga ana tjetër, fjala i papjekur i shkon më shumë qëndrimit të zotërisë në fjalë, sesa opozitës shqiptare, e cila ka bërë maksimumin e saj për zgjidhjen e krizës, dhe njëkohësisht nuk është shkak i krizës. Përkundrazi, është e gatshme që të bëjë kompromis”, - deklaroi Besnik Bare, deputet i Partisë Socialiste.

14 Qershor 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›