E Shtunë, 31 Tetor 2026

Procedurat për dhënien me qira të pasurive dhe institucioneve shtetërore

Mënyrat se si mund të konkurrosh për çdo aplikim qiraje, dokumentacioni. Bashkia e Tiranës publikon tarifat për ambientet sipas kategorizimit

Emanuela Sako

Personat që kërkojnë të marrin zyra apo ambiente të tjera me qira, të cilat janë nën administrimin e Bashkisë së Tiranës, duhet t’u nënshtrohen një sërë procedurave. Në administrimin e Bashkisë janë mjaft ambiente, që kërkohen për hapjen e veprimtarive të ndryshme. Bashkia ka bërë përcaktimin në disa kategori për çdo veprimtari që do të hapet. Ndarja e bizneseve apo veprimtarive është strukturuar në 3 kategori. Në kategorinë e parë përfshihen pasuritë që jepen për veprimtari ekonomike prodhuese. Në kategorinë e dytë përfshihen pasuritë që jepen për veprimtari të tjera ekonomike, si në shëndetësi, arsim, kulturë, sport etj. Për këto dy kategori elementet e konkurrimit janë: niveli i investimit, niveli i punësimit, tarifa e qirasë mujore. Ndërsa, në kategorinë e tretë përfshihen pasuritë që jepen për shërbime si zyra, magazina ose për shërbim tregtar. Për këtë kategori element konkurrimi është vetëm tarifa e qirasë mujore. Njëkohësisht bashkia ka vendosur të gjitha tarifat përkatëse për çdo biznes që do të zhvillojë aktivitetin në ambientet e dhëna me qira.
Konkurrimi
Konkurrimi i grupeve të interesuara është i hapur për të gjithë kandidatët që plotësojnë kushtet e kërkuara. Elementet e konkurrimit për dhënien me enfitoezë të pasurisë shtetërore janë: niveli i investimit, në pasuri të paluajtshme, për përmirësimin e pronës, i cili të jetë mbi 200% e vlerës së objektit. Po kështu, duhet të deklarohet qëllimi dhe niveli i investimit në tërësi, që do të bëhet në objekt, niveli i punësimit dhe tarifa e detyrimit mujor. Do të ndiqen procedura të tjera të dhënies me qira dhe enfitoezë të disa objekteve, si ndërtesa, trualli i lirë funksional (jo nën ndërtesë); makineritë, pajisjet dhe linjat e prodhimit, sipas klasifikimit të tyre në kategori. Kështu, për sipërfaqet deri në 200 m2, të cilat nuk u nënshtrohen proceduarve të konkurrimit, drejtuesi i ndërmarrjes apo i shoqërisë duhet të bëjë një planifikim të ambienteve me sipërfaqet e truallit nën ndërtesë dhe sipërfaqet e truallit të lirë funksional (jo nën ndërtesë), të cilat do të jepen me qira kryesisht njëvjeçare, të ndara sipas kategorive. Drejtuesit e ndërmarrjeve apo shoqërive, pasi të kenë përgatitur dokumentacionin e nevojshëm, do të lidhin kontratat me subjektin që ofron vlerën më të lartë të qirasë për çdo ambient. Dokumentacioni i paraqitur duhet të përmbajë propozimin e ndërmarrjes për dhënien me qira sipas kategorizimit të veprimtarisë, genplanin e objektit, sipërfaqen e truallit nën ndërtesë dhe sipërfaqen e truallit të lirë funksional (jo nën ndërtesë) i konfirmuar nga Urbanistika pranë Bashkisë dhe drejtuesi i ndërmarrjes. Po kështu, një listë të plotë të makinerive e pajisjeve, linjave teknologjike, vlerën dysheme të detyrimit mujor, si dhe konfirmimin nga Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave. Të gjitha këto dokumente do të dorëzohen pranë Bashkisë së Tiranës. Për sipërfaqet mbi 200 m2 drejtuesi i ndërmarrjes apo i shoqërisë duhet të bëjë një planifikim të ambienteve me sipërfaqet e truallit nën ndërtesë dhe sipërfaqet e truallit të lirë funksional (jo nën ndërtesë), të cilat do të jepen me qira. Lista e ambienteve të planifikuara, e shoqëruar me genplanet e miratuara për çdo ambient duhet dërguar për miratim nga Këshilli Bashkiak. Pas miratimit në Këshillin Bashkiak njoftimi për botim shpallet 4 herë në Buletinin e Njoftimeve Publike. Njoftimi do të përmbajë të dhënat për objektin, kategorizimin e veprimtarisë, pikët vlerësuese për elementet e konkurrimit, dokumentacionin e konkurrentëve, vendin, datën, orën. Data e konkurrimit do të jetë gjithmonë pas një muaji nga data e botimit të fundit.
Tarifat
Tarifa dysheme e detyrimit mujor për pasuritë shtetërore, që jepen me qira ose enfitoezë, caktohet si shumë e tarifës për ndërtesë, truallin e lirë, funksional, linjat teknologjike, makineritë e pajisjet, galeritë etj. Të gjitha këto tarifa përcaktohen nga specialistët pasi është bërë vlerësimi i objektit dhe përcaktimi i veprimtarisë që do të përdoret.
Për sipërfaqen ndërtesë: brenda Unazës së vjetër të Bashkisë Tiranë jo më pak se 300 lekë/m2 në muaj; ndërsa jashtë Unazës, brenda vijave kufizuese të Bashkisë Tiranë jo më pak se 200 lekë/m2 në muaj. Për ndërtesat që do të përdoren si zyra, zyra doganore, dyqane “duty free” dhe agjenci shërbimi në aeroporte apo dogana, jo më pak se 2500 lekë/m2 në muaj. Ndërsa për truallin e lirë tarifa dysheme e qirasë mujore është 100 lekë/m2 në muaj.
Bashkia ka përcaktuar që për truallin e lirë, funksional, tarifa dysheme e qirasë mujore është 20% e tarifës dysheme të detyrimit mujor. Trualli nën ndërtesë përfshihet në tarifën e qirasë së ndërtesës. Për terrenet sportive tarifa dysheme e qirasë mujore është 50 lekë/m2 në muaj, brenda qytetit.
Ankesat
Kryetari i Bashkisë vendos për subjektin që do të fitojë dhe e shpall në këndin e njoftimeve. Subjektet konkurruese kanë të drejtë të ankohen në lidhje me procedurat e ndjekura, brenda 5 ditëve nga shpallja e fituesit. Kryetari i Bashkisë do t’u përgjigjet ankuesve me shkrim brenda 10 ditësh nga kalimi i afatit të ankesave. Pasi mbarojnë e ankimimit hartohet kontrata që do të lidhin subjektet fituese me Bashkinë e Tiranës. Ndërsa plan biznesi i paraqitur nga subjekti fitues është pjesë përbërëse e kontratës.

Dokumentacioni për dhënien me qira që duhet të paraqesin subjektet private:
Kërkesa e subjektit
Plan-biznesi për rivënien në funksionim të objektit
Planin e punësimit dhe të investimit
Ofertën për tarifën mujore te qirasë
Dokumentacionin ligjor dhe fiskal të subjektit konkurrues
Vërtetimin nga Dega e Tatimeve për shlyerjen e detyrimeve tatimore
Vërtetim nga dega e doganës apo kontratat e eksportit, kur subjekti kryen eksport
Dorëzimi i dokumentacionit nga subjektet e interesuara për marrjen me qira të pronës publike bëhet pranë organit që ka bërë publikimin, (Bashkia Tiranë) brenda 30 ditëve pas datës së parë të publikimit.

Për dhënien me enfiteozë dokumentacioni që duhet të paraqesin subjektet private të interesuara për konkurrim është:

Plan-biznesi i hollësishëm për përmirësimin e pronës
Nivelin e investimeve si dhe burimin e financimit
Ofertën për tarifën mujore
CV e subjektit
Dokumentacionin ligjor dhe fiskal të subjektit konkurrues
Vërtetimin nga Dega e Tatimeve për shlyerjen e detyrimeve tatimore
Vërtetim nga dega e doganës apo kontratat e eksportit, kur subjekti kryen eksport

Tarifat
Për ndërtesat:

Për sipërfaqen ndërtesë: brenda Unazës së vjetër të Bashkisë Tiranë jo më pak se 300 lekë/m2 në muaj; jashtë Unazës, brenda vijave kufizuese të Bashkisë Tiranë jo më pak se 200 lekë/m2 në muaj.

Për ndërtesat që do të përdoren si zyra, zyra doganore, dyqane “duty free” dhe agjenci shërbimi në aeroporte dhe dogana jo më pak se 2500 lekë/m2 në muaj.

Për truallin e lirë tarifa dysheme e qirasë mujore është 100 lekë/m2 në muaj.

Për truallin e lirë, funksional, tarifa dysheme e qirasë mujore është 20% e tarifës dysheme të detyrimit mujor, të përcaktuar për ndërtesat. Trualli nën ndërtesë përfshihet në tarifën e qirasë së ndërtesës.

Për terrenet sportive tarifa dysheme e qirasë mujore është 50 lekë/m2 në muaj, brenda qytetit.

21 Qershor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›