“Procedurat për referendum e 3 ligjeve të BE duhet të përfundojnë brenda 7 marsit”

Flet eksperti i Çështjeve Zgjedhore, Çlirim Gjata
Sot në seancë plenare kuvendi pritet të miratojë kërkesën për referendum të Partisë Demokratike për miratimin e tre ligjeve të kërkuara nga Bashkimi Europian, çka mundëson marrjen e Statusit të vendit Kandidat. Sipas Kushtetutës, pas dërgimit të nismës në KQZ, ajo i kalon më pas Gjykatës Kushtetuese e cila vlerëson brenda 60 ditëve kushtetutshmërinë. Ndërsa presidenti i Republikës brenda 45 ditësh cakton datën e mbajtjes së referendumit. Por referendumi është i vështirë të të kryhet brenda këtij viti, pasi është vit elektoral. Ish-kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Çlirim Gjata, në një prononcim për mediat thekson se kushtetuta është e qartë kur përcakton afatet, të cilat ia bëjnë të pamundur mazhorancës të hedhë në votë qytetare 3 ligjet e Statusit të vendit Kandidat. Sipas tij, të gjitha procedurat për referendumin duhet të përfundojnë brenda 7 marsit ose në të kundërtën të rifillojnë pas dhjetorit të këtij viti. “Gjashtë muaj para, tre muaj pasi mblidhet parlamenti, nuk mund të zhvillohet referendum. Nga 7 Marsi që janë gjashtë muaj para përfundimit të mandatit dhe deri në tre muaj nga mbledhja e parlamentit të ri. Pra diku deri në dhjetor. T’i qëndrojmë strikt afateve që ka përcaktuar ligji”, thekson Gjata. Sipas juristit Gjata, mazhoranca do e kishte pasur më të lehtë nëse do të kishte miratuar një ligj të posaçëm për referendumet, siç e parashikon dhe Kushtetuta. Por në kushtet aktuale, nisma e 66 deputeteve të PD-së, duket e parealizueshme brenda vitit. “Do një ligj që miratohet me shumicë të thjeshtë, domethënë me 71 pjesëmarrës në parlament me 36 vota mund ta miratosh atë ligj. Nuk është me 3/5. Maxhoranca e kishte mundësinë të miratonte një ligj, t’i kapërcente këto pengesa ligjore që ekzistojnë sot dhe mund ta zhvillonte edhe ditën e zgjedhjeve, edhe para zgjedhjeve mund ta përcaktonte”, theksoi Gjata.