Procedurat për të përfituar pension të reduktuar
Personat e vetëpunësuar në bujqësi nuk mund të aplikojnë për pension pleqërie të reduktuar
Pamundësia e ndjekjes se skemës nga personat që mund të aplikojnë për pension të reduktuar është e ndryshme, mund të jenë larguar jashtë vendit, mund të kenë arsye të ndryshme familjare, mund të kenë një gjendje jo të mirë shëndetësore, gjendje që nuk i vendos në kushte përfitimi për të përfituar pension invaliditeti etj.
Ndaj dhe nevoja për të përmirësuar dispozitën dhe për të dhënë dhe këtë lloj përfitimi, krahas përfitimeve të tjera që jep ky ligj, ka ardhur si rezultat i pamundësisë së një kategorie personash për arsye e rrethana të ndryshme nuk mund ta vazhdonin më tej skemën e detyrueshme, ndërkohë që kanë plotësuar periudhën e sigurimit për të marrë një pension të plotë pleqërie për 35 vite.
Në vështrim të përgjithshëm nuk mund të aplikojnë për pension të reduktuar të gjithë ata persona që kryejnë veprimtari ekonomike në të gjitha format, të punësuar, punëdhënës, apo të vetëpunësuar, përfshirë dhe të vetëpunësuarit në bujqësi.
Pra personat e vetëpunësuar në bujqësi nuk mund të aplikojnë për pension pleqërie të reduktuar, mbasi ata e kanë objektin e punës, tokën, në pronësi apo përdorim, të blerë ose me qira, pra i kanë të gjitha kushtet për të ndjekur skemën e detyrueshme, duke paguar rregullisht kontributet e sigurimeve shoqërore deri sa të plotësojnë kushtet për pension të plotë pleqërie sipas nenit 31 dhe 92 të ligjit.