E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fier,vodhi ish-drejtorin e rafinerisë, “arrest me burg” për Avdon



Gjykata e Fierit ka lënë në burg autorin e vetëm të arrestuar për vjedhjen e ish-drejtorit të Uzinës së Përpunimit të Naftës në Fier, Ilir Dulla. Nga burimet mësohet se Edmond Avdo, i arrestuar për “vjedhje në bashkëpunim” të një shume të madhe valute në shtëpinë e ish-drejtorit të rafinerisë së Fierit është përballur dje për herë të parë me togat e zeza, të cilat kanë vendosur masën e vlerësimit të sigurisë për të. Sipas burimeve zyrtare nga Gjykata e Shkallës së Parë të Rrethit Gjyqësor Fier mësohet se Edmond Avdo ka mbetur në "burg pa afat" deri në mbylljen e procesit të gjykimit dhe të hetimit të nisur ndaj tij. Ka qenë organi i Prokurorisë së Fierit ai që ka kërkuar këtë masë vlerësimi për autorin e kapur deri tani nga policia lidhur me vjedhjen e ndodhur në banesën e ish-drejtorit të naftës. Mësohet prej burimeve zyrtare të Prokurorisë së Fierit, se kjo e fundit e ka zhvilluar hetimin e saj edhe në dy pista të tjera, dhe është shumë pranë zbardhjes së skemës së vjedhjes së ndodhur në fillim të javës në shtëpinë e ish-drejtorit Ilir Dulla. Gjykata e Fierit, duke vlerësuar kërkesën e prokurorisë, ka vendosur që ta lërë në burg pa afat 41-vjeçarin Edmond Avdo. Mësohet se gjatë marrjes në pyetje nga oficeri i Policisë Gjyqësore, si dhe nga prokurori i çështjes, Edmond Avdo ka treguar rrethanat e vjedhjes, ndërkohë që ka lakuar emrat e dy autorëve të tjerë që kanë kryer vjedhjen së bashku me të.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›