Patentat dhe lejet e drejtimit false, të akuzuarit mohojnë akuzat
Gjykata ndryshon masën vetëm për të akuzuarën Memia
Shkak, gjendja e rëndë shëndetësore
Dy gjyqtare janë përballur dje në Gjykatën e Tiranës me 11 të akuzuarit për patentat dhe lejet e drejtimit false, duke ndryshuar masën vetëm për njërën prej tyre. Ndonëse janë arrestuar përgjatë të njëjtit operacion, bëhet fjalë për dy grupe që vepronin të veçuar nga njëri-tjetri. Ashtu siç kanë vepruar dhe janë paraqitur para gjykatës, të ndarë nga njëri-tjetri. Grupi i parë i Drejtorisë së Kasharit, përballë gjyqtares që u caktoi masat e arrestit në mungesë, kanë mohuar akuzat, duke u shprehur se nuk kanë lidhje me ato që thotë prokurori. Por, ky i fundit paraqiti provat që dispononte, përgjimet telefonike, fotografike dhe ambientale, të cilat janë prova më e fortë në duart e akuzës. Gjyqtarja ka lënë në fuqi masat e caktuara disa ditë më parë në mungesë nga vetë ajo, ndërkohë që e vetmja masë e ndryshuar ka qenë ajo e shtetases Silvana Memia, e cila vuante nga një sëmundje e rëndë. Për këtë shtetase, nga avokati i saj është paraqitur një raport mjekësor, i cili është marrë në konsideratë për lirim nga burgu prej gjyqtares. Kjo ka qenë arsyeja e ndryshimit të kushteve të masës së caktuar më parë, ndërkohë që ka vleftësuar si të drejta masat e caktuara për 4 shtetasit e tjerë. Ndërkohë, sipas burimeve nga gjykata, edhe për komisionerët e lëshimit të patentave, pronarëve të autoshkollës “Majestik”, si dhe policit të Patrullës së Përgjithshme është lënë e njëjta masë. Pasi ka dëgjuar palët dhe ka verifikuar kushtet e zbatimit të masës së sigurisë, gjyqtarja Demiraj ka lënë në fuqi masat e caktuara më parë.
Hetimi
Nga grupi hetimor janë bllokuar dhjetëra dosje për t’iu nënshtruar ekspertizës së Laboratorit Shkencor të Kriminalistikës. Bëhet fjalë për mbi 20 dosje për pajisje me leje drejtimi mjetesh (patenta) që mendohet se kanë dokumente të falsifikuara, ndërkohë që edhe të tjera pritet të kalojnë në sitën e kontrollit. Këto të dhëna bëhen të ditura nga burime pranë grupit hetimor, që pohuan se dokumentet e bllokuara do t'i nënshtrohen ekspertizave përkatëse në Laboratorin Qendror Kriminalistik. Po ashtu mësohet se janë sekuestruar nga prokuroria edhe dhjetëra dosje makinash, të cilat mendohet se kanë dokumente doganore të falsifikuara, por që rezultojnë të regjistruara pranë organeve kompetente. Hetimet për çështjen në fjalë, të nisura disa kohë më parë, janë kurorëzuar dy ditë më parë me arrestimin gjatë operacionit policor “Targa e fundit” të 8 personave, ndërkohë që për 4 prej tyre hetimi vazhdon në gjendje të lirë. Shumë prej të arrestuarve janë punonjës pranë Drejtorisë Rajonale të Transportit Rrugor në Tiranë, si dhe pronarë në autoshkollën “Majestik”, ndërkohë që njëri prej tyre ishte polic i Patrullës së Përgjithshme. Sipas Prokurorisë së Tiranës, këta persona në bashkëpunim me njëri-tjetrin dyshohen se kanë kryer veprime të kundërligjshme e korruptive në procesin e regjistrimit dhe targimit të automjeteve, kontrollit teknik, kontrollit fizik, dhënies së lejeve për drejtim automjeti, veprime këto të kryera kundrejt ryshfeteve në shuma të konsiderueshme parash që siguronin nga klientët. Arrestimi i tyre është konsideruar si i paligjshëm nga avokatët, të cilët shprehen paraprakisht se klientët e tyre janë të pafajshëm dhe se ekzekutimi i masës së arrestit katër ditë pas firmosjes nga gjyqtarja është shkelje procedurale. Të arrestuarit janë: Ylli Hasani, komisioner për testimet dhe dhënien e lejeve të drejtimit (patentat); S. Memia, arshiviste te Drejtoria Rajonale e Transportit Rrugor të Tiranës; B. Belli, sekretare në sektorin e regjistrimeve të automjeteve; Daniel Cami, pranues dokumentesh tek kontrolli teknik i automjeteve (kolaudimet), Vladimir Dervishi, instruktor e bashkëpronar i autoshkolës “Majestik”; E. Shano bashkëpronare, F. Kateshi, punonjëse e një kompanie sigurimesh për automjetet; Adrian Rushiti, Liman Doka dhe Sh. Marashi, sekserë dhe falsifikatorë. Në pranga ka rënë edhe Pëllumb Mancilla, oficer i Patrullës së Përgjithshme pranë komisariatit numër 4 të Policisë së Tiranës. Nga hetimet e kryera ka rezultuar se të pandehurit merrnin nga 50 deri në 500 euro, ose më shume në raste të veçanta si ryshfet për të kryer shërbimet e tyre.
Detaj
11 janë të pandehurit në gjendje të lirë dhe të arrestuar për lejet e drejtimit dhe problemet me patentat
Të pandehurit
Ylli Hasani, komisioner për testimet dhe dhënien e lejeve të drejtimit (patentat);
Silvana Memia, arshiviste te Drejtoria Rajonale e Transportit Rrugor të Tiranës;
Besjana Belli, sekretare në sektorin e regjistrimeve të automjeteve;
Daniel Cami, pranues dokumentesh tek kontrolli teknik i automjeteve (kolaudimet);
Vladimir Dervishi, instruktor e bashkëpronar i autoshkollës “Majestik”;
E. Shano, bashkëpronare,
Feride Kateshi, punonjëse e një kompanie sigurimesh për automjetet;
Adrian Rushiti, sekser;
Liman Doka, sekser;
Sh. Marashi, sekser dhe falsifikator;
Pëllumb Mancilla, oficer i Patrullës së Përgjithshme pranë komisariatit numër 4 të Policisë së Tiranës.