Viti i ri akademik, miratohen kuotat dhe tarifat për studimet dyta dhe Master i Nivelit të Parë
Jonida Tashi
Përcaktohen kuotat dhe tarifat e shkollimit për studimet e ciklit të dytë dhe Master i Nivelit i Parë, për vitin akademik 2009-2010. Duke marrë parasysh propozimin e ministrit të Arsimit, Këshilli i Ministrave vendosi dje në mbledhjen e tij të radhës që kuotat e pranimeve në institucionet publike të arsimit të lartë, për programet e ciklit të dytë të studimeve, me kohë të plotë, për vitin akademik 2009-2010, të jenë 6 910. Përkatësisht këto kuota janë ndarë në tre programe të ndryshme studimi si: programet e studimit të ciklit të dytë (Diplomë e Nivelit të Dytë); programet e studimit Master i Nivelit të Parë; programe të dyta studimi.
Kuotat
Vetëm për programet e studimit të ciklit të dytë (DND) kuota e pranimeve të reja do të jetë 3 065 studentë. Por një numër të konsiderueshëm kuotash pranimi qeveria ka miratuar edhe për programet e studimit Master i Nivelit të Parë (MNP), ku për vitin e ri akademik do të pranohen 3 845 student. Më të kufizuara kuotat e pranimeve të reja do të jenë për programet e dyta të studimit, për të cilat janë përcaktuar 100 vende, si dhe për transferimin e studimeve, që janë po 100 kuota. Ndërsa për studentët e huaj jashtë territorit të vendit, kuota e pranimit do të jetë vetëm 50 studentë. Kuota totale e pranimeve të reja për programet e studimit të ciklit të dytë (DND), me kohë të plotë, do të përfshijë: kuota për programet e studimit të ciklit të dytë (DND), për kandidatët brenda territorit të vendit 3 065; kuota për programet e studimit të ciklit të dytë (DND), për kandidatët shqiptarë nga trojet jashtë kufijve të vendit 10 për qind e kuotës totale të pranimit; kuota për programet e studimit Master i nivelit të parë,(MNP), për kandidatët brenda territorit të vendit 3 845, ndërsa për kandidatët shqiptarë nga trojet jashtë kufijve të vendit, 10 për qind e kuotës totale. Brenda kuotës së përgjithshme për programet e ciklit të dytë të studimit do të përfshihen edhe 20 kuota të veçanta për të verbrit.
Kuota e pranimeve të reja për programet e studimit të ciklit të dytë, me kohë të plotë, do të shpërndahen nga Ministria e Arsimit sipas programeve të studimit dhe universiteteve publike të vendit. Përsa i përket nisjes së këtyre studimeve, qeveria ka vendosur se çdo program studimi i ciklit të dytë do të funksionojë në vitin e parë për vitin akademik 2009-2010, në rast se atë e ndjekin të paktën 10 studentë. Për këtë arsye, universitetet publike duhet të përcaktojnë kriteret e pranimit të kandidatëve dhe i bëjnë publike paraprakisht.
Tarifat
Qeveria ka përcaktuar edhe tarifat vjetore të shkollimit për studentët, që do të regjistrohen në vitin e parë, për të gjitha programet e studimit të ciklit të dytë, më kohë të plotë, në vitin akademik 2009-2010. Tarifa vjetore e shkollimit për studentët, që do të regjistrohen në vitin e parë, për të gjitha programet e studimit të ciklit të dytë, në vitin akademik 2009-2010 do të jetë e plotë. Ndërsa për kandidatët, që u përkasin shtresave sociale, si të verbër, të shurdhër, invalidët, paraplegjikë dhe tetraplegjikë, studentë me aftësi të kufizuara, fëmijë romë apo fëmijë të policëve të vrarë ose të plagosur, për shkak të detyrës, ish-të përndjekur politikë, që do të fitojnë të drejtën në një program studimi, të ciklit të dytë, në institucionet publike të arsimit të lartë, do të paguajnë kuotë, në masën 50 për qind të tarifës së shkollimit. Këtë të drejtë do ta kenë edhe studentët e viteve më të larta, që u përkasin po këtyre shtresave sociale. Studenti i nënshtrohet vetëm një tarife vjetore shkollimi. Studentët përsëritës i nënshtrohen tarifës së shkollimit të vitit akademik, në të cilin vazhdojnë studimet. Në çdo program studimi, në ciklin e dytë të studimeve, me kohë të plotë, në vitin akademik 2009-2010, studentët e shkëlqyer nga cikli i parë dhe cikli i dytë nuk e paguajnë tarifën e shkollimit në vitin akademik pasardhës. Në programet e studimit Master i Nivelit të Parë, në Mësuesi, për ciklin e lartë të arsimit bazë, për lëndët Fizikë, Matematikë apo kombinimet e tyre, me kohë të plotë, në vitin akademik 2009-2010, studentët që në ciklin e parë, kanë pasur mesatare, jo më të ulët se nota 8 (tetë), nuk paguajnë tarifën e shkollimit. Studentët që do të transferojnë studimet nga një program studimi, apo nga programe të mëparshme studimi, të ciklit të dytë, në një program tjetër studimi në institucionet publike të arsimit të lartë, i nënshtrohen tarifës së përgjithshme vjetore të shkollimit të programit të studimit përkatës, në të cilin ata kanë kërkuar të transferojnë studimet.
Kuotat e pranimit për programet e ciklit të dytë
Kuota e pranimeve të reja, për programet e studimit të ciklit të dytë (DND) 3 065
Kuota e pranimeve të reja për programet e studimit Master i Nivelit të Parë (MNP) 3 845
Kuota për programe të dyta studimi 100
Kuota për transferimin e studimeve 100
Kuota për të huajt 50
Kuota për të verbrit 20
Programet e miratuara për studimet e ciklit të dytë
Programe studimi Master i Nivelit të Parë
Në Universitetin e Tiranës
Redaktori
Gjeomorfologji
Arkivistikë
Në Universitetin “Ismail Qemali”, Vlorë
Sipërmarrje dhe Turizëm
Administrim Publik
Në Universitetin “ Luigj Gurakuqi”, Shkodër
Përkthim dhe Interpretim në Gjuhë Gjermane
Programe studimi të ciklit të dytë
Në universitetin “Eqerem Cabej”, Gjirokastër
Arkeologji dhe Administrim i Pasurive Arkeologjike
Në Universitetin “Aleksandër Moisiu”, Durrës
Menaxhim me profilet: Menaxhim biznesi dhe Marketing
Politika dhe Administrim me profilet: Administrim Publik dhe Administrim Financiar
Ekonomi-Biznes me profilet: Ekonomi Biznesi dhe Financë–Bankë
1 Tetor 2009