E Diel, 1 Nëntor 2026

Raporti i EURALIUS/Sistemi i ndërtuar nga Bamir Topi dhe Kreshnik Spahiu po e kthen gjyqësorin në moçalishte

Gazeta publikon sot rekomandimet e misionit të ekspertëve të Komisionit Evropian, të cilët fajësuan dy drejtuesit e KLD-së për kushtet e mjerueshme të standardeve në sistemin e drejtësisë si dhe për sistemin korruptiv me të cilin emëroheshin gjyqtarët e rinj

Korrupsioni dhe emërimet e dyshimta, të cilat asnjëherë nuk bëhen transparence, janë kthyer në një shqetësim të vërtetë për Bashkimin Evropian. Gazeta “55” botoi dje raportin e misionit faktmbledhës të BE-së, për rendin ligjor dhe drejtësinë në Shqipëri EURALIUS, i cili fliste me nota kritike për një veprimtari antiligjore të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, ndërsa referon edhe rekomandimeve, për shmangien e këtij problemi madhor në sistemin gjyqësor. Korrupsioni në gjyqësor dhe transparenca e munguar në emërimet në poste të rëndësishme nga KLD, ishin çështjet e ngritura nga ekspertët e EURALIUS. Kritika të panumërta shkojnë në drejtim të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, kryetarit të tij, Bamir Topi dhe nënkryetarit Kreshnik Spahiu, për politikë kasnece dhe nepotizëm të paprecedentë në emërimin e gjyqtarëve në Gjykatën e Apelit, ndërkohë vërehet gjithashtu se janë shkelur rregullat dhe ligjet e miratuara po nga vetë KLD-ja.
Këshilli i Lartë i Drejtësisë, shihet qartësisht si një organ që funksionon dhe merr vendime në mënyrë jotransparente, duke shkelur kështu një nga parimet më të dashura mediatikisht të Presidentit Topi dhe zëvendësit të tij, Spahiu.
Ndërkombëtarët sugjerojnë disa hallka, të cilat duhet të ndiqen urgjentisht për të shpëtuar organet e drejtësisë nga mungesa e transparencës dhe korrupsioni në emërime, probleme këto që e largojnë gjithnjë e më shumë këtë vendin nga standardet ndërkombëtare.
Apeli i raportit të misionit faktmbledhës së Bashkimit Evropian, është për KLD-në dhe i tërhiq veshin Presidentit të Republikës, për çorbën e pisët që është ngjizur në vendimmarrjen gjyqësore. EURALIUS ngre alarmin për një moçalishte të rrezikshme të gatuar me kujdes nga Presidenti i Republikës dhe zëvendësi i tij në KLD.
Mesa duket, kreu i shtetit është hatër mbetës dhe s’mund t’ua prishë miqve, të afërmve apo edhe bashkëpunëtorëve, dhe për hir të nikoqirllëkut të shquar, i ka sistemuar në poste të rëndësishme gjyqësore, por gjithsesi pa mundur të kapë sistemin gjyqësor në tërësi. Refuzimi i kandidatëve të fundit nga mazhoranca, ata për Gjykatën e Lartë, ishte pikërisht fryt i politikës së pastrimit, përmes vendosjes së kritereve të reja, të iniciuar nga shumica edhe pse vullneti i Presidentit ishte që ata, të cilët s’plotësonin asnjë kriter për në sistemin gjyqësor, për më tepër vinin nga shkolla e partisë, të ishin në instancat më të larta gjyqësore. Ndaj edhe rekomandohet që KLD tani e tutje të bëjë transparente vendimet si dhe të zbatojë sistemin e vlerësimit për emërimet e reja, në mënyrë që sistemi i ngritur nga Topi dhe Spahiu, të mos jetë më i korruptuar. Zbatimi i kontrollit gjyqësor për emërimet, shihet si një standard i mirë që do i shërbejë emërimit të kandidatëve cilësorë në postet e gjyqësorit.

Rekomandimet

Këshilli i Lartë i Drejtësisë të bëjë transparente vendimet si dhe të zbatojë sistemin e vlerësimit për emërimet e reja

Të implementohet kontrolli gjyqësor për çështjet e emërimit

Të merren masa urgjente kundër politizimit të sistemit gjyqësor. Politizimi është shkaku i drejtpërdrejtë i korrupsionit në sistemin gjyqësor si dhe nga fakti se rastet e korrupsionit të nivelit të lartë nuk janë trajtuar si duhet

Të merren masa të qarta për të përcaktuar kompetencat e Ministrisë së Drejtësisë në përgjithësi dhe të inspektorateve të MD, KLD dhe Prokurorisë së Përgjithshme, veprimtaria e të cilave shpesh herë ndesh në përplasje.

Transparencë dhe përfshirjen e publikut në vendimmarrje

Rishikimi i sistemit të imunitete të gjyqtarëve. Ata duhet të jenë të mbrojtur nga akuzat e rreme, por hetimet për raste korrupsioni duhet të jenë më të lehta për t’u proceduar

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›