E Shtunë, 31 Tetor 2026

Procesi i 15 nëntorit do të garojnë vetëm tri parti politikë

14/10/2009  KQZ regjistron partitë pjesëmarrëse në zgjedhjet lokale

PD, LSI dhe PPSHR do të paraqesin kandidatët e tyre në KZAZ-të

Partia Demokratike, Lëvizja Socialiste për Integrim dhe Partia e Punës e Shqipërisë e Riorganizuar janë tri subjektet zgjedhore që do të marrin pjesë në zgjedhjet vendore që do të zhvillohen më 15 nëntor për kreun e njësisë së qeverisjes vendore të pesë bashkive dhe komunave. Në këtë mënyrë, Partia Socialiste braktis në mënyrë përfundimtare pjesëmarrjen e saj në zgjedhjet vendore. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve gjatë mbledhjes së pasdites së djeshme ka miratuar projektvendimin “Për regjistrimin e Partisë së Punës së Shqipërisë të Riorganizuar, Lëvizjes Socialiste për Integrim, Partisë Demokratike për zgjedhjet e pjesshme për organet e qeverisjes vendore të datës 15.11.2009”. Ndërkohë duket se edhe çështja e përzgjedhjes së komisionerëve do t’i mbetet në dorë KQZ-së, referuar përcaktimit në ligj se, në rast se partia e parë opozitare nuk paraqet komisionerët, atëherë ligji parashikon që në KQZ paraqiten komisionerët e partisë së dytë opozitare, që në këtë rast është partia e Vangjel Dules, pasi LSI-ja është në koalicion me maxhorancën. Por duke qenë se edhe PBDNJ-ja nuk do të marrë pjesë në këto zgjedhje, atëherë është KQZ-ja që cakton komisionerët në qendrat e votimit dhe në KZAZ-të. Në ditët në vijim këto tri forca politike do të paraqesin pranë KZAZ-ve emrat e kandidatëve që do të garojnë për forcën politike që përfaqësojnë për të fituar zgjedhjet lokale. KQZ-ja në mbledhjen e paradites miratoi përdorimin e 10 kamerave dhe të 10 monitorëve në KZAZ-të ku do të bëhet numërimi i votave për zgjedhjet vendore që do të zhvillohen më 15 nëntor në njësinë bashkiake nr. 10 në Tiranë, në bashkinë Klos, Bashkinë Fushë-Arrëz, në komunën e Fierzës dhe në komunën e Otllakut. Kamerat me rezolucion të lartë do të instalohen mbi çdo tavolinë numërimi për regjistrimin e vlerësimit të çdo flete votimi dhe transmetimin në kohë reale në monitorë të vendosur përballë vëzhguesve. Zgjedhjet në pesë njësitë vendore zhvillohen pas lënies vakant të postit të kryetarit të bashkisë dhe komunës pas zgjedhjes së drejtuesve në zgjedhjet e përgjithshme 2009.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›