Proçesi i demontimit, Spahia: Deri në shtator 26 mijë municione

“Demontimi i armëve”, ka mbledhur në një konferencë të përbashkët zëvendës.ministrin e Mbrojtjes, Ekrem Spahiu, zv. shefin e Shtabit të Përgjithshëm të FA-së, gjeneral brigade Zyber Dushku dhe shefin e Shtabit të Brigadës Logjistike, kolonel Perikli Tiko, në një konferencë të përashkët për shtyp, ku përmes një raporti u prezantua puna e bërë deri më tani nga strukturat e Forcave të Armatosura për demontimin e municioneve të tepërta.
Sipas Spahiut që nga viti 1992, Forcat e Armatosura administronin rreth 194.000 ton municione luftarake, të depozituar në qindra magazina, depo e tunele dhe të shpërndarë në të gjithë vendin. Në vitin 2009 Ministria e Mbrojtjes dhe Shtabi i Përgjithshëm hartuan planin e veprimit për asgjësimin e rreth 85.000 ton municione të llojeve e kalibrave të ndryshëm, të cilat kishin mbetur nga regjimi i së kaluarës. Sipas tij, kjo sasi municionesh ishte kryesisht prodhim rus i viteve 1945–1960, kinez i viteve 1961–1976 dhe prodhim shqiptar i viteve 1967–1992. Rreth 95 % e tyre kishte një vjetërsi prodhimi mbi 40 vjeçare, në një kohë që, sipas specialistëve dhe ekspertëve të vendeve të tjera, jetëgjatësia e municioneve është 15–20 vjeçare.“Fillimi i reformave në vitin 1992, ristrukturimi në vazhdimësi i Forcave të Armatosura dhe reduktimi i njësive e reparteve ushtarake, bëri që municionet të përqendrohen në depot më të afërta, duke i tejmbushur ato mbi kapacitetet depozituese, si dhe duke rritur ndjeshëm rrezikshmërinë.
Ndërkaq, anëtarësimi i Shqipërisë në NATO kërkonte rishikimin e standardeve të kompletimit me municion të FA-së, ruajtjen, depozitimin dhe administrimin e tyre, si dhe forcimin e sigurisë dhe eliminimin e premisave për ngjarje të padëshiruara”, - theksoi, ndër të tjera, zv.ministri i Mbrojtjes Shqiptare. Për të realizuar me sukses këtë detyrë, nënvizoi Spahiu, u desh një koordinim më eficent në Ministrinë e Mbrojtjes dhe përmirësimi i bazës ligjore për zbatimin e kësaj detyre të rëndësishme. Me urdhër të ministrit të Mbrojtjes u ngrit Bordi Drejtues për Asgjësimin e Municioneve të Tepërta në Forcat e Armatosura. Ky bord ngriti grupin e punës për përgatitjen e Planit të Veprimit për asgjësimin e municioneve të tepërta dhe detajimin e të gjitha hapave që do të ndërmerreshin për trajtimin e këtyre municioneve, me synim eliminimin e gjithë sasisë së municioneve të tepërta brenda vitit 2013. Në vijim të ministri Spahiu shpjegoi metodat e përcaktuara për asgjesimin e municioneve të tepërta, siç janë asgjësimi me demontim industrial në uzinat ushtarake, asgjësimi me detonim dhe djegie të hapur në poligone, reduktim i sasisë së municioneve nëpërmjet qitjes dhe garave të qitjes, si dhe eksport i municioneve nëpërmjet shitjes ose dhurim vendeve partnere.
Ndërsa duke veçuar disa nga arritjet kryesore, z. Spahiu u shpreh: “Në vitin 2010 u asgjësuan 20.653 ton municione të tepërta, 2.000 ton municione më të rrezikshme, u eleminua një sasi prej 157 ton lëndë plasëse e tipit RDX (nga të cilat 47 ton janë asgjësuar nga FA dhe 110 ton janë eksportuar), u ngritën dhe u adaptuan 4 linja të reja të demontimit industrial në uzina, u miratuan me ligj edhe 6 poligone të tjera shtesë. Gjithashtu, në kuadër të bashkëpunimit me partnerët u bë i mundur nga OSBE sigurimi i një sërë pajisjesh për demontimin industrial të municioneve, ndërkohë nga Departamenti i Shtetit të SHBA u bë financimi për asgjësimin e 3.000 ton municioneve. Gjatë vitit 2011 u shkatërruan 26.613 ton municione të llojeve dhe kalibrave të ndryshëm, nga 25.000 ton që ishin planifikuar. Ndërsa sasia totale e municioneve të asgjësuar gjatë viteve 2009-2011, është 53.806 ton. Ndërkohë, në kuadër të reformimit të FA, sasia në total e municioneve që kanë mbetur tepër dhe për asgjesim gjatë periudhës 2012-2013, është rreth 38.845 ton municione, prej të cilëve 26.000 ton do të eliminohen gjatë vitit 2012”.