Largohet nga drejtimi i KESH-it, drejtori Muharrem Stojku
Drejtori i Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare, Muharrem Stojku, është larguar nga detyra, pas një mbledhje të Këshillit Mbikëqyrës të KESH-it. Mësohet se në vend të Stojkut është emëruar Ëngjëll Zeqo, ndërsa lajmi konfirmohet edhe nga Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, e cila zyrtarisht njofton se Stojku ka dhënë dorëheqjen. Nga sa mësohet Stojkut i është kërkuar që të largohet për shkak të koalicionit qeveritar, çka do të thotë që vendin e tij duhet ta zërë një përfaqësues politik.. Ndërkohë, Stojkut i është ofruar vendi i nën-drejtorit në KESH, por mësohet se ai e ka refuzuar.
Remonti, OSSH kryen riparime ne bregdetin e jugut
Operatori i Sistemit të Shpërndarjes ka lajmëruar dje se zona bregdetare në jug të vendit do të ketë mungesa të energjisë elektrike. Një fakt të tillë, kjo kompani e ka justifikuar me faktin se do të ketë punime në rrjetin e Himarës dhe detyrimisht, kjo do të shoqërohet me ndërprerje të energjisë elektrike. Sipas OSSH-së energjia do të mungojë gjatë gjithë ditës, pas ndërhyrjes që do të bëhet për të përforcuar rrjetin elektrik, përpara sezonit turistik. Dihet se kjo zonë mbipopullohet tani në stinën e verës dhe prandaj paraqitet e nevojshme që të riparohet rrjeti energjetik i saj.
Gjykata Administrative, bizneset letër Kuvendit për ta votuar
Në emër të 35 organizatave të biznesit dhe të shoqërisë civile që bëjnë pjesë në koalicionin e përkrahjes së gjykatave administrative, i kërkon Parlamentit shqiptar që të marrë në shqyrtim në seancë plenare dhe të miratojë sa më shpejt ligjin për gjykatat administrative, duke qenë se janë plotësuar të gjitha kushtet për këtë. “Duam të theksojmë se projektligji për gjykatat administrative që ka në dorë Parlamenti shqiptar gëzon përkrahjen e plotë të komunitetit të biznesit dhe është përgatitur me mbështetjen e programeve të ndihmës teknike të financuara nga Bashkimi Europian dhe qeveria amerikane”,- thuhet në deklaratën e publikuar dje nga koalicioni. Ngritja e gjykatave administrative do të sjellë përfitime konkrete dhe të rëndësishme për të gjithë qytetarët dhe veçanërisht për bizneset, duke pasur parasysh se mosmarrëveshjet administrative përfshijnë si ato në fushën e tatimeve, regjistrimit të biznesit, licencave apo prokurimeve, edhe mosmarrëveshjet që kanë të bëjnë me punësimin, pensionet dhe regjistrimin e pasurive. “Çdo vonesë e mëtejshme në miratimin e projektligjit për gjykatat administrative do të thotë akoma më shumë kosto shtesë dhe energji të humbura për bizneset dhe për të gjithë qytetarët”,- thuhet në deklaratë.
4 Qershor 2010