E Shtunë, 31 Tetor 2026

BANESA E PEZËS, shtëpia e deputetit të PS-së, tërhiqet Ministria e Kulturës

Ministri Ferdinand Xhaferraj tha se banesa ka qenë dhe është monument kulture

TIRANË - Tërhiqet Ministria e Kulturës nga konfiskimi i banesës së deputetit të PS-së, Dashamir Peza. Ka qenë vetë ministri Ferdinand Xhaferraj që ka thënë gjatë ditës së djeshme se kjo shtëpi ka qenë shtëpi muze dhe monument kulture. Sipas tij, në vitin 2006 ka pasur një tentativë për ta hequr nga lista e monumenteve. Ai është shprehur se shtëpia do të jetë monument kulture dhe se pronarët e saj do të vazhdojnë të jetojnë aty. Deklaratat Xhaferraj i ka bërë gjatë një daljeje të posaçme për shtyp për të shpjeguar aksionin e dy ditëve më parë, ku një inspektor i Ministrisë që ai drejton, i shoqëruar nga tre furgonë policie, kanë rrethuar banesën e deputetit të PS-së, Dashamir Peza. Ata kishin shkuar atje në bazë të vendimit të Këshillit të Ministrave që ngarkonte MTKRS-në për kthimin në monument kulture të shtëpisë në Pezë të Tiranës.
Deklarata
Ministri i Kulturës, Ferdinand Xhaferraj, reagoi ditën e djeshme pas tentativës për të sekuestruar banesën e deputetit të opozitës, Dashamir Peza, me pretendimin se është objekt muzeal. Ministri ka sqaruar se në këtë shtëpi, më 16 shtator të vitit 1942, u mblodhën të gjitha forcat politike të vendit dhe themeluan Frontin Nacional-Çlirimtar. “Kjo shtëpi ka vijuar të jetë shtëpi muze, monument kulture e mbrojtur nga shteti, ndërkohë që në vitin 2006 ka pasur një propozim për ta hequr nga lista e monumenteve të kulturës”, - tha ai për mediat. Xhaferraj e akuzoi kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Edi Rama, se në vitin 2006, për shkaqe të dyshimta, ka propozuar që kjo shtëpi të kalojë në inventarin e pronave në përgjegjësi territoriale dhe administrative të Bashkisë Tiranë. “Shtojmë se qeveria, në asnjë rrethanë nuk mund të transferojë prona të një bashkie apo komune në një bashki apo komunë tjetër. Ndërkohë që propozimi për heqjen e shtëpisë muze nga lista e monumenteve të kulturës nuk u legjitimua nga urdhri përkatës që del në çdo rast të ngjashëm”, - sqaroi më tej kreu i Kulturës në vend. Për të gjitha këto arsye, ministri Xhaferraj tha se shtëpia muze duhet të kthehet në administrimin e Institutit të Monumenteve të Kulturës dhe Drejtorisë Rajonale të Kulturës Kombëtare Tiranë. Ai ka siguruar se vendimi nuk cenon aspak pronësinë e shtëpisë, as banimin e saj. “Ky vendim i jep shtëpisë historike mbrojtje nga Instituti i Monumenteve të Kulturës. Së fundi, kjo ministri, por edhe institucionet e tjera partnere me të, nuk disponojnë asnjë dokument zyrtar se në këtë shtëpi banon kryetari i Bashkisë së Tiranës, sikurse kanë deklaruar disa media”, - përfundoi deklaratën ministri i Kulturës, Turizmit, Rinisë dhe Sporteve.
Aksioni
Forca të shumta policie rrethuan dy ditë më parë për një orë banesën në Pezë, pak kilometra larg Tiranës. Banesa u rrethua rreth orës 10:00 të paradites së dy ditëve më parë nga tre furgonë policie, mes të cilëve ndodhej dhe oficeri i Policisë, Krenar Ahmeti. Nga ana e saj, policia e argumentoi këtë fakt thjesht një praktikë pune që ndiqet në të tilla raste kur kërkohet sekuestrimi i një godine. Deputeti Peza theksoi se policët vetëm kanë paraqitur një vendim qeverie dhe asnjë shkresë si mandat policie etj. Sipas tij, synimi është sekuestrimi i banesës me një vendim qeverie për llogari të Institutit të Monumenteve të Kulturës. Peza ka sqaruar se për këtë arsye, një punonjës i Institutit të Monumenteve të Kulturës erdhi i shoqëruar nga forca të shumta policore.

Reagimi i deputetit të PS-së, Dashamir Peza
Në ditën e “rrethimit” nga policia, deputeti socialist tha se banesa e tij është ndërtuar nga e para në vitin 2001 në tokën, pronë e stërgjyshërve të tij. Sipas tij, toka i është kthyer nga Komisioni i Kthimit të Pronave dhe kjo është e dokumentuar dhe hipotekuar. "Kjo është pronë e stërgjyshërve, katragjyshërve, që babai më pas ma kaloi mua". Peza shton se ka prova të fotografuara nga ai vetë për çdo veprim të bërë nga ana e policisë. “Deri tani jam në pozicionin e vëzhguesit, nuk po ndërhyj. Policia erdhi paradite vetëm më një shkresë qeverie dhe më pas kanë ushtruar një presion dhe trysni të paimagjinueshme, por fundja këta policë nuk janë gjë tjetër veçse viktima”. Sipas Pezës, shtëpia, nga ana e dokumentacionit, është në rregull, përveç faktit që ministrat e qeverisë “Berisha” i kanë hequr statusin e monumentit të kulturës që gëzonte prej vitesh. “Banesa, theksoj, nuk është pronë shtetërore, nuk ndodhet në listën e monumenteve të kulturës, u hoq nga lista me urdhër të ministrit të atëhershëm të Kulturës, Bujar Leskaj, e më pas me firmë të ish-drejtorit të Monumenteve të Kulturës, Apollon Baçe”.

LSI-ja, kundër aksionit të Policisë së Tiranës
TIRANË - Pas aksionit të Ministrisë së Kulturës Rinisë dhe Sporteve, e shoqëruar dhe nga Policia e Tiranës, reagoi dhe LSI-ja, aleate e PD-së në qeveri. Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, Luan Rama, e ka komentuar veprimin e policisë si një akt abuziv dhe butaforie. Sipas Ramës, policia ka prioritete të tjera. “Veprimi i policisë për të sekuestruar shtëpinë e deputetit të Partisë Socialiste, Dashamir Peza, është një akt abuziv, një butafori e panevojshme, që stonon në tërë atë mori detyrash të rëndësishme që duhet të kryejë Policia e Shtetit nga njëra anë, por stonon dhe me gjithë trendin e prioriteteve me të cilat duhet të merret drejtpërdrejt qeveria shqiptare. Nga kjo pikëpamje mendoj se vendi dhe realiteti politik nuk kanë nevojë për të tilla butafori, të cilat nuk sjellin asnjë kontribut dhe asnjë dobi në ndihmë të klimës politike në vend”, - tha Rama.

Vendimi i qeverisë
Vendim Nr. 323, datë 12.5.2010
Për kalimin në përgjegjësi administrimi Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve të Muzeut të Konferencës së Pezës.
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 10 e 13 të Ligjit Nr. 8743, datë
22.2.2001 “Për pronat e paluajtshme të shtetit”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Këshilli i Ministrave
VENDOSI:
1. Kalimin në përgjegjësi administrimi Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve të pronës së paluajtshme shtetërore “Muzeu i Konferencës së Pezës”, me numër rendor 275, në listën që i bashkëlidhet Vendimit Nr.834, datë 13.12.2006 të Këshillit të Ministrave “Për miratimin e listës së pjesshme (pjesa e parë+pjesa e dytë) të inventarit të pronave të paluajtshme shtetërore, që janë në juridiksionin territorial dhe administrativ të Bashkisë Tiranë të qarkut të Tiranës”.
2. Prona e paluajtshme shtetërore “Muzeu i Konferencës së Pezës” të hiqet nga lista e inventarit të pronave të paluajtshme shtetërore që janë në juridiksionin territorial dhe administrativ të Bashkisë Tiranë të qarkut të Tiranës, miratuar me Vendimin Nr.834, datë 13.12.2006 të Këshillit të Ministrave.
3. Ngarkohen: ministri i Brendshëm, ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve dhe kryeregjistruesi i Pasurive të Paluajtshme të Republikës së Shqipërisë të ndjekin procedurat e nevojshme për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
Kryeministri
Sali Berisha

4 Qershor 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›