Sezoni zhgënjen blerësit, çmimet e ushqimeve mbeten të larta
Ervin KOÇI
Çmimet e produkteve bujqësore vijojnë të qëndrojnë të larta me gjithë rritjen e prodhimit vendas. Ndryshe nga cepritej, ardhja e sezonit të verës i ka zhgënjyer konsumatorët shqiptarë të cilët prisnin që të paktën në këtë stinë të shtonin pak më tepër asortimente në tryezat e tyre. Por ndryshimi minimal i çmimeve i bën ata që sërish t’u dridhet dora për të bërë shpenzime. Edhe pse prodhimi bujqësor vendas po hyn në pikun e tij, duke qenë se çmimet nuk janë ulur në nivelin e pritshëm nga konsumatorët. “Çmimet kanë rënë, por krahasuar me të njëjtën periudhe të një viti më parë janë më të larta”,- tregon një shitës. Një shkak tjetër që i mban çmimet e larta dhe shumë të luhatshme është, sipas tregtarëve, mungesa e formave të organizimit të tregtisë në bujqësi. “Nuk ka një marrëveshje mes prodhuesve bujqësore të Fierit, Durrësit dhe Kavajës. Ndryshimin e çmimeve e bën oferta e tregut, e cila vjen e pakontrolluar. Tregtarët detyrohen që sa ta kthejnë mallin prapë, ta shesin atë me çmime të tjera”,- sqaron specialisti, Niko Zherdi. Sipas një studimi të fundit nga Universiteti Bujqësor i Tiranës, rezulton se gjatë tregtimit të produktit nga fermeri te shitësi me pakicë, për një produkt kostoja e të cilit është 40 lekë, nga fermeri tek shitësi me shumicë çmimi arrin deri në 65 lekë duke u rritur rreth 25 për qind. Ndërsa nga shitësi me shumicë deri tek shitësi me pakicë, çmimi rritet më shumë se rreth 45 për qind dhe nga shitësi tek blerësi çmimi ritet me 33 për qind të tjera. Sipas këtij zinxhiri, çmimi mesatar i perimeve nga 40 lekë tek fermeri arrin tek konsumatori me çmim deri në 120 lekë për kilogram, pra një rritje rreth 200 për qind.
Inflacioni
Instituti i Statistikave njoftoi se inflacioni u ul për të dytin muaj me radhë duke arritur në nivelin 3.5 për qind në muajin prill, nga 3.9 për qind që ishte në mars. Indeksi i Çmimeve të Konsumit në muajin prill 2010, arriti 107.6 për qind kundrejt muajit dhjetor 2007 (dhjetor 07=100), duke shënuar një ulje prej 0.4 për qind krahasuar me muajin e mëparshëm. Ndryshimi vjetor në muajin prill është 3.5 për qind. Një vit më parë ky ndryshim ishte 1.9 për qind. Indeksi i grupit “Ushqime dhe pije jo alkoolike” shënoi një ulje prej 1.4 për qind, brenda këtij grupi ulja më e madhe prej 8.2 për qind vërehet në nëngrupin “zarzavate përfshirë patatet”. Këtu mund të përmendim uljen e çmimit të trangujve me 44.9 për qind, spinaqit me 25.8 për qind, sallatës jeshile me 19.5 për qind, patëllxhanëve me 19.4 për qind, qepëve të njoma me 13.5 për qind, domateve me 3.0 për qind, specave me 2.3 për qind etj. Gjatë muajit prill çmimet janë ulur edhe në disa nëngrupe të tjera të grupit të ushqimeve, ku mund të veçojmë uljet në nëngrupet, “peshk” 0.4 për qind, “qumësht, djathë e vezë” 0.2 për qind, ”pije joalkoolike” 0.4 për qind, etj. Ndërsa, çmimet e nëngrupit “fruta” shënuan një rritje prej 1.4 për qind, ku mund të përmendim rritjen e çmimit të kivit me 4.3 për qind, limonëve me 2.1 për qind, bananeve me 1.8 për qind, portokajve me 0.7 për qind, etj. Indeksi i grupit ”Veshje dhe këpucë” shënoi një ulje prej 0.2 për qind, ku mund të përmendim uljen e çmimit të veshjeve për gra me 0.3 për qind, këpucëve për burra me 0.5 për qind, këpucëve për gra me 0.3 për qind, etj. Indeksi i grupit “pije alkoolike dhe duhan” shënoi një rritje prej 0.8 për qind, brenda të cilit çmimi i duhanit shënoi një rritje prej 1.4 për qind. Indeksi i grupit ”Transport” shënoi një rritje prej 0.2 për qind. Edhe gjatë këtij muaji vazhdoi rritja e çmimit të karburanteve dhe konkretisht çmimi i naftës shënoi një rritje prej 5.8 për qind, dhe çmimi i benzinës 4.5 për qind. Indeksi i grupit ”Shëndeti” shënoi një rritje prej 1.9 për qind, ku mund të veçojmë rritjen e çmimeve të medikamenteve me 2.1 për qind.
Prodhimi bujqësor
Rendimenti i sektorit bujqësor në vend rezulton në shifra tepër modeste. Vlera e shtuar nga sektori bujqësor në prodhimin e brendshëm bruto shënoi një normë vjetore rritëse rreth 1.7 për qind dhe një kontribut pozitiv prej 0.2 pikësh përqindjeje në tremujorin e katërt të vitit 2009. Të dhëna zyrtare më të detajuara nga Ministria e Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit, dëshmojnë për një rritje vjetore të prodhimit bujqësor me rreth 1 për qind gjatë vitit 2009. Kjo normë ishte 4 pikë për qind më poshtë se një vit më parë. Kontribuuesi kryesor në rritje është dega e blegtorisë. Megjithatë, ekspertët e sektorit parashikojnë për vitin 2010 një përmirësim të prodhimit bujqësor, drejtuar kryesisht prej prodhimit të lidhur me pemëtarinë. Në dy vitet e fundit qeveria e ka rritur fondin mbështetës për fermerin përmes politikave subvencionuese, por sërish vërehet ngërç, pasi problemi për bujqësinë qëndron tek aftësia menaxhuese dhe marketingu për shitjen e produktit. Shumë fermerë ankohen se mungon linja që e çon produktin te konsumatori final, ndërsa importuesit e kanë më të kollajtë gjetjen e tregut.
4 Qershor 2010