Shpallja e rezultatit mban në heshtje dhe ankth partitë politike
Edhe gjatë ditës së djeshme në selitë e partive pjesëmarrëse të zgjedhjeve të 28 qershorit nuk ka pasur asnjë festim. Kjo ka ndodhur jo vetëm për faktin se faktori ndërkombëtar ka kërkuar prej partive që të nisin festimet vetëm pas shpalljes së rezultatit, por edhe sepse asnjë prej partive nuk ka pasur një informacion të saktë se kush do të jetë fituesi i zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit. Si në Partinë Socialiste, ashtu dhe në Partinë Demokratike, askush nuk e ka ditur se cila do të jetë fituesja e këtyre zgjedhjeve. Në të dyja këto parti gjatë gjithë ditës ka pllakosur heshtja elektorale dhe shumica e anëtarëve dhe zyrtarëve kanë qenë në ankth për rezultatin. Në selitë e dy partive nuk ka reshtur për asnjë moment puna për njohjen e rezultateve nga terreni. Qendra e posaçme e ngritur në Partinë Socialiste si dhe ajo në Partinë Demokratike në mënyrë të vazhdueshme kanë komunikuar me komisionerët dhe vëzhguesit në terren për rezultatet që vinin nga procesi i numërimit të votave. Edhe konferencat për shtyp dje kanë qenë shumë të pakta. Nga Partia Demokratike janë dhënë dy konferenca për shtyp nga zëdhënësja e fushatës, Majlinda Bregu. Fillimisht Bregu ka dalë në një konferencë për shtyp, ku ka deklaruar se populli i Gërdecit i kishte dhënë ndëshkimin Partisë Socialiste për abuzimin që i bëri dhimbjes së tij për tragjedinë e ndodhur, duke votuar për Partinë Demokratike. Në një tjetër dalje për shtyp Bregu ka akuzuar Partinë Socialiste se kishte tërhequr komisionerët në disa qendra votimi. I menjëhershëm ka qenë reagimi i Partisë Socialiste me anë të zëdhënëses Armela Imeraj, e cila e mohoi kategorikisht një gjë të tillë. Interesant ka qenë fakti i sjelljes së liderëve një ditë pas zgjedhjeve. Berisha nuk ka dhënë dje asnjë prononcim publik. Siç kishte deklaruar, ai ka ndjekur rezultatin nga zyra e tij. Të njëjtën gjë ka bërë edhe Rama deri në orën 21:00, kur ai dha një deklaratë për shtyp për të denoncuar ndërhyrjet dhe presionet ndaj komisionerëve gjatë procesit të numërimit të votave.
30 Qershor 2009