E Shtunë, 31 Tetor 2026

John L. Withers: “Raporti paraprak i OSBE-së ishte objektiv”



Vetëm pak orë pas publikimit të raportit të misionit ndërkombëtar të monitorimit të zgjedhjeve, ambasadori amerikan, John Withers, nëpërmjet një deklarate për shtyp, informon se është dakord me konstatimin e ndërkombëtarëve: “Këto zgjedhje janë praktikë e përmirësuar, krahasuar me praktika të mëparshme, por pati mangësi”, - është shprehur Withers. Ambasadori amerikan, John Withers, qëndron në krah të raportit të misionit ndërkombëtar, që i karakterizonte këto zgjedhje si përmirësim krahasuar me praktika të mëparshme, por edhe shpreh shqetësim në lidhje me mangësi. “Misioni ndërkombëtar i monitorimit të zgjedhjeve ka prodhuar një raport paraprak të mirëmenduar dhe objektiv që i karakterizon këto zgjedhje si përmirësim krahasuar me praktika të mëparshme, por që edhe shpreh shqetësim në lidhje me mangësi që mbeten në proces”. Në deklaratën për shtyp të publikuar nga Ambasada Amerikane në Tiranë ambasadori Withers citohet të jetë shprehur se është në një mendje me raportin dhe nxit autoritetet shqiptare të ndërtojnë mbi suksesin e djeshëm për të përmbushur standarde më të larta dhe më kërkuese ndërkombëtare në votimet e ardhshme. Ambasadori, i cili luajti njëkohësisht dhe rolin e një vëzhguesi në procesin e votimit të 28 qershorit, vlerëson se zgjedhjet në përgjithësi ishin të miradministruara dhe të qeta, dhe kujton se vëmendja e ndërkombëtarëve tani është te procesi i numërimit dhe i zyrtarizimit të votave. “Dëshiroj të shfrytëzoj këtë mundësi për të përgëzuar popullin shqiptar për zgjedhjet e djeshme parlamentare dhe të ofroj vlerësimin për zgjedhjet që, në përgjithësi, ishin të miradministruara dhe të qeta. Tani presim përfundimin e numërimit të votave dhe zyrtarizimin e rezultateve në një mënyrë po kaq të rregullt”, - shkruhet në deklaratën për shtyp. Në fund ambasadori Withers përgëzoi popullin shqiptar për pjesëmarrjen e lartë dhe ofroi urimet e tij më të mira për të ardhmen.

30 Qershor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›