E Shtunë, 31 Tetor 2026

Procesi i numërimit të votave drejt fundit

Procesi i numërimit të votave, po shkon drejt fundit. 9 qarqe nga 12 të tilla në të gjithë Shqipërinë kanë përfunduar procesin e numërimit dhe kanë nxjerrë rezultatet, ndërsa vetëm pak kuti janë në proces numërimi. Edhe KZAZ numër një që i përket Qarkut të Beratit ka përcjellë rezultatet përfundimtare në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve pas përfundimit të numërimit të kutisë së fundit për këtë qark. Tre qarqet që vazhdojnë me numërimin e kutive të mbetura janë Shkodra, Lezha dhe Fieri. KZAZ numër 42 në Komunën e Bushatit ka nisur që prej orës 13 numërimin e 38 kutive të mbetura dhe pas kësaj, Qarku i Shkodrës pritet të dalë me rezultatet e përfundimtare në këtë garë elektorale, mes forcave politike. Po ashtu 6 kuti të zonës 49 të Qarkut të Lezhës, përkatësisht kutitë e komunës Fushë Kuqe, ndodhen në KQZ në pritje të një vendimi të këtij institucioni. Numërimi i votave nuk ka përfunduar ende edhe në Qarkun e Fierit ku janë ende 5 qendra votimi të panumëruara.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›