Suedia merr Presidencën e BE
Ministri i Jashtëm i Suedisë Karl Bildt, vendi i të cilit nga sot merr drejtimin e Bashkimit Evropian ka thënë se duhet bërë vlerësimin e ecurisë së zgjedhjeve para se të ecet më tutje me aplikimin e Shqipërisë për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Bildt tha se në një moment të caktuar kohor aplikimi i Shqipërisë do t’i dërgohet Komisionit Europian, i cili do të përgatisë opinionin e tij lidhur me këtë çështje. Në një prezantim të prioriteteve të Presidencës suedeze për 6 mujorin e dytë të këtij viti, lufta kundër krizës ekonomiko-financiare, hapja e vendeve të punës dhe problemet me ndryshimet e klimës, janë tre prioritetet kryesore. Por vëmendja do të fokusohet edhe te kriza politike që Evropa po përjeton aktualisht me çështjen e ratifikimit të Traktatit të Lisbonës, që ende nuk është aprovuar nga të gjitha vendet anëtare. Të shumta janë edhe çështje të tjera jo më pak të rëndësishme që Suedia duhet të përballojë, siç është organizimi i Parlamentit të sapozgjedhur, organizimi i Komisionit që i mbaron afati në tetor dhe emërimi i Presidentit të tij, duke mos harruar referendumin e dytë irlandez për Traktatin e Lisbonës që pritet të zhvillohet në vjeshtë. Në planet e suedezëve bën pjesë edhe zgjerimi i Bashkimit Evropian, zhbllokimi i negociatave me Kroacinë, që aktualisht janë bllokuar nga vetoja e Sllovenisë për shkak të një mosmarrëveshjeje kufitare ndërmjet dy vendeve, si dhe progresi i integrimit të Turqisë. Po kështu, presidenca suedeze ka deklaruar gjatë presidencës së saj, prioritet do të ketë edhe Ballkani, bashkëpunimi me të gjitha vendet në rrugën drejt anëtarësimit në bllokun 27 anëtarësh.