E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Procesi me kartat vijon normalisht, PS-ja të heqë dorë nga spekulimet”

Socialistët akuzojnë për mungesë transparence, ndërsa informacionet e Ministrisë së Brendshme tregojnë të kundërtën

TIRANE - Pas Ministrit të Brendshëm, Bujar Nishani edhe Drejtori i Përgjithshme i Gjendjes Civile, Armand Teliti, ka hedhur dje poshtë akuzat e përsëritura të ditëve të fundit nga ana e Partisë Socialiste lidhur me vonesat e pretenduara nga kjo e fundit mbi procesin e prodhimit dhe shpërndarjes së kartave të reja të identitetit për qytetarët shqiptarë, në kuadër të zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare të 28 qershorit.
Gjatë një komunikimi me mediat, Teliti deklaroi se procesi i pajisjes së qytetarëve shqiptarë me letërnjoftime po ecën sipas parashikimeve dhe në zbatim të një  kalendari të qartë, që në përfundim të tij do të bëjë të mundur, pajisjen e të gjithë qytetarëve që nuk disponojnë pasaporta, por jo vetëm të tyre, me dokumentet e nevojshëm për të votuar në zgjedhje.
“Çdo ditë shtohen pikat e aplikimit, çdo ditë qytete të reja futen në skemën e aplikimit. Sot ka filluar procesi i aplikimit në bashkinë e Fierit dhe pritet  të fillojë procesi në Vlorë, Berat, Sarandë e me radhë deri në mbulimin e plotë të të gjithë popullsisë dhe territorit. Kemi një hartë që tregon shtrirjen e procesit të aplikimit deri në fund të muajit shkurt, që tregon se ky proces deri në këtë periudhë do të fillojë në të gjithë qarqet e vendit. Shumë shpejt do të fillojë edhe procesi i shpërndarjes së letërnjoftimeve që për hir të së vërtetës është një proces  shumë më i thjeshtë dhe me i shpejtë se procesi i aplikimit. E rëndësishme është që qytetarët, veçanërisht  ata pa pasaportë, të paraqiten për të aplikuar në zyrat e aplikimit duke ndihmuar kështu në realizimin e qëllimit madhor të pajisjes së tyre me letërnjoftime”, deklaroi Teliti.
Në këtë kuadër si Ministria e Brendshme ashtu edhe Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile shprehin gjithë angazhimin e saj për këtë proces duke i bërë thirrje opozitës të mos bëjë deklarata spekulative për mungesë transparence, “kur menjëherë pas deklaratës për shtyp, i njëjti përfaqësues i PS-ës, vjen në zyrat e DPGJC-së dhe merr të gjitha informacionet që i duhen”.
Reagimi i Telitit, erdhi pasi Partia Socialiste ka vijuar edhe dje akuzat për vonesa dhe mungesë transparence në procesin e prodhimit dhe shpërndarjes së kartave të reja të identitetit, ndërsa ka rikërkuar nga mazhoranca miratimin e ngritjes së një komisioni parlamentar ad hoc për mbikëqyrjen e këtij procesi deri në përfundimin e plotë të tij. Sipas nënsekretarit të PS-ës, Damian Gjiknuri, mungesa e transparencës dhe mosbërja publike e një grafiku të qartë të shpërndarjes në territor, po shoqërohet edhe me “refuzimin sistematik të mazhorancës për ngritjen e një komisioni monitorues parlamentar, të përfaqësuar në shumicë nga opozita”.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›