Procesi, vetëm pesë universitete private të akredituara
Avushe Zhuka
Vetëm pesë shkolla të larta private janë akredutuara deri tani nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës, ndërsa një numër i lartë shkollash janë ende në proces. Nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës mësohet se shkollat e larta jopublike të akredituara deri në këtë moment “NeY York University –Tirana” me kohë të plotë. Po kështu në listën e shkollave të larta private të akredituara është “Universiteti Zonja e Këshillit të Mirë”, i akredituar me Vendim të Këshillit të Ministrave në nëntor të vitit 2006. Shkolla e lartë “Luarasi” i shtohet listës së shkurtër të universiteteve të akredituar me vendim qeverie në shkurt të vitit 2008. Një tjetër universitet i akredituar është Akademia e Filmit dhe Multimedias “Marubi”, “i akredituar” në maj të vitit 2008. Dhe së fundi lista mbyllet me shkollën e lartë jopublike "Universiteti Europian i Tiranës", i akredituar në korrik të vitit 2009. Ky ka qenë akreditimi i fundit që është bërë me VKM, ndërsa një numër i madh universitetesh janë në pritje të përfundimit të procesit të akreditimit, i cili sipas, MASH, nuk ka afat të caktuar.
Procesi
Nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës bëhet e ditur se një numër i lartë shkollash jopublike janë proces akreditimi, por ky është një proces që zgjat pasi duhen plotësuar një sërë kushtesh dhe rregullash të caktuara që një shkollë e lartë të fitojë akreditimin. Ministri i Arsimit dhe Shkencës, mbështetur në rekomandimet e këshillit të akreditimit, jep vendimin përfundimtar për akreditimin institucional dhe të programeve në arsimin e lartë publik dhe privat. Ai shprehet brenda një muaji, në të kundërt këshilli i akreditimit shpall vendimin e tij. Procedurat Procedura e akreditimit për institucionet e arsimit të lartë kryhet nga ministri përgjegjës, mbështetur në rekomandimet e këshillit të akreditimit. Vendimi për akreditimin mund të jetë pozitiv, negativ ose me kusht. Vendimi negativ bën që një institucion ose program të mos njihet zyrtarisht në Republikën e Shqipërisë. Çdo institucion i arsimit të lartë apo program studimi në arsimin e lartë publik dhe privat, përpara lëshimit të diplomave të para, i nënshtrohet procesit të akreditimit të parë. Akreditimi i parë i jep të drejtën një institucioni publik ose privat të arsimit të lartë të lëshojë diploma të njohura në Republikën e Shqipërisë. Çdo institucion i akredituar i nënshtrohet vlerësimit dhe akreditimit periodik. Vlerësimi dhe akreditimi periodik kryhet çdo 6 vjet. Procedurat, kërkesat, kriteret dhe standardet për vlerësimin dhe akreditimin janë të njëjta si për institucionet publike të arsimit të lartë, ashtu dhe për ato private. Për institucionet e arsimit të lartë, që operojnë e ofrojnë diploma të përbashkëta me institucione të huaja të arsimit të lartë, si dhe për filiale të institucioneve të arsimit të lartë të huaja, që ushtrojnë veprimtari në Republikën e Shqipërisë, vlerësimi dhe akreditimi kryhen duke marrë parasysh edhe vlerësimin dhe akreditimin e tyre në vendin e origjinës.
1. Shkolla e lartë “NeY York University-Tirana”
“I akredituar” (me kohë të plotë)
· Gjuhë dhe letërsi angleze;
· Administrim Biznesi;
· Kontabilitet
· Financë
· Marketing
· Ekonomi
· Menaxhim
· Shkenca kompjuterike;
· Shkenca politike dhe Marrëdhënie ndërkombëtare;
· Psikologji;
· Media komunikim gazetari
Master i nivelit 1
· Administrim biznes
· Administrim biznesi me profil bankar
2. Shkolla e lartë “Luarasi” VKM nr. 611 datë 11.09.2003
“I akredituar” (MASH, Urdhër nr.71, date 18.02.2008),
Cikli i parë në: (me kohë të plotë)
I. Fakulteti i Shkencave Shoqërore - i akredituar
II. Fakulteti i Stomatologjisë
1. Programi i Studimit në Stomatologji (DIND)
3. Shkolla e lartë “Universiteti Zonja e Këshillit të Mirë” , “I akredituar” (MASH, nr.8293, date 22.11.2006),
Cikli i parë (sistemi me kohë të plotë ) në :
· Mjekësi (6 vite akademike)
· Odontoiatri dhe proteza dentare (5 vite akademike)
· Farmaci (5 vite akademike)
· Fizioterapi (3 vite akademike)
· Infermieristikë (3 vite akademike)
· Ekonomi dhe Administrim Ndërmarrje (3 vite akademike)
· Shkenca Politike dhe Marrëdhënie Ndërkombëtare (3 vite akademike)
4. Shkolla e lartë "Universiteti Europian i Tiranës", “I akredituar” (MASH, nr.246, date 24.07.2009),
· Cikli i parë në: (me kohë të plotë)
· komunikim-marrëdhënie publike,
· shkenca politike,
· marrëdhënie ndërkombëtare,
· jurist i përgjithshëm
· Finance-Banke (3 vjet),
· Menaxhim Biznesi(3 vjet),
5. Akademia e Filmit & Multimedias “Marubi”,
“I akredituar” (MASH, nr.227, date 26. 05.2008),
Cikli i parë në: (sistem me kohë të plotë)
• Regjizurë Filmi & TV ( 3 vite akademike)
• Skenar (3 vite akademike )
• Kamera (3 vite akademike )
• Montazh ( 3 vite akademike )
13 Korrik 2010