Projektligji, dekanët: Paralizohen universitete publike
Dekanët e Universitetit të Tiranës kanë kundërshtuar projektligjin e Arsimit të Lartë, i cili sipas tyre cenon lirinë akademike dhe financiare. Dekani i Shkencave Sociale Dhori Karaj sqaron se ky projektligj ngurtëson të gjitha burimet financiare, çka e bën të vështirë përmirësimin e kushteve në fakultete dhe në kundërshtim me kushtetutën lejon Ministrinë të ndërhyjë në përmbajtjen e universiteteve. Profesor Karaj sqaron se në këto kushte universiteti publik e ka shumë të vështirë të konkurrojë me privatin, tek i cili Ministria nuk ushtron të njëjtin kontroll. Dekani i fakultetit Histori-Filologji, Shezai Rrokaj sqaron se ky draft krijon probleme përsa i përket ciklit të diplomave. Ndryshe nga ç'thuhej në ligjin e Arsimit të Lartë, tashmë të gjithë studentët që kanë përfunduar masterin e nivelit të dytë nuk u njihet më si master shkencor. Dekanët kanë kundërshtuar këtë draft i cili është hartuar pa u konsultuar më parë me ta dhe që është në kundërshtim me Kushtetutën.
Zona e Unazës së Re prej një dekade pa ujë
Prej më se 10 vjetësh banorët e zonës së Unazës së Re vuajnë thatësirën. Në çezmat e tyre uji nuk vjen kurrë dhe me qindra familje privohen çdo ditë nga një prej elementëve bazë të jetesës. Kjo zonë, edhe pse është e mbipopulluar, nuk ka tubacione. Banorët nuk kanë kontrata me ujësjellësin por ata shprehen se janë gati të paguajnë në rast se do të kenë ujë.
“Këtu kemi 15 vjet pa ujë, pa kanalizime. Gjithçka e kemi bërë vetë, kemi shtruar rrugën, kemi vendosur drita. Ujin e mbushim me makina atje ku ka, për të larë përdorim pusin por na kanë dalë rrobat jashtë përdorimit. Jemi ankuar shpesh por nuk kemi marrë asnjë përgjigje.” thonë banorët. Situata në zonën e Unazës së Re rëndohet akoma më shumë në periudhën e verës për shkak të temperaturave të larta. Banorët shprehen se kanë kërkuar nga ndërmarrja e ujësjellësit vendosjen e tubacioneve dhe lidhjen e kontratave por nuk kanë gjetur zgjidhje.
13 Korrik 2010