E Diel, 1 Nëntor 2026

Procesverbal, datë 08.04.2010

//

Drejton mbledhjen:
Mark Marku NNKRYETAR I KOMISIONIT

Rendi i ditës:
- Diskutimi i Raportit për veprimtarinë 1-vjeçare të KD të RTSH-së; seancë dëgjimore me përfaqësues të KD të RTSH-së dhe të Drejtorisë së Përgjithshme të RTSH-së.
- Hartimi dhe miratimi i Projektrezolutës për Raportin e veprimtarisë 1-vjeçare të KD të RTSH-së.
- Dskutohet mosmarrja pjesë e specialistëve të Ministrisë së Financave dhe të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës në mbledhjen e datës 15 prill, ora 12.00, ku do të rishqyrtohet projektligji Për disa shtesa në ligjin nr.9655, datë 11.12. 2006 Për Akademinë e Shkencave në Republikën e Shqipërisë.
Marrin pjesë:
Mark Marku, Ardiana Gjonaj, Rajmonda Bulku, Kreshnik Çipi, Gjergji Papa, Edi Paloka, Fatbardh Kadilli, Atrit Bushati (zëvendësues), Ledina Aliholli (zëvendësuese).
Mungojnë:
Përfaqësuesit e opozitës në Komision.
Të ftuar:
Kryetari i KD të RTSH-së, Agron Tufa, dhe përfaqësues të Drejtorisë së Përgjithshme të RTSH-së, Martin Leka, Nëndrejtor i Përgjithshëm, Mirela Oktrova, e të tjerë.

HAPET MBLEDHJA

MARK MARKU Sot, në rendin e ditës, kemi paraqitjen e Raportit për veprimtarinë 1-vjeçare të KD të RTSH-së, ndaj kemi të ftuar përfaqësues të KD të RTSH-së, z. Agron Tufa, dhe përfaqësues të Drejtorisë së Përgjithshme të RTSH-së.
Do të procedojmë në këtë mënyrë: Unë, si relator, do them disa mendime të mijat mbi Raportin, do dëgjojmë Raportin, pastaj do të kemi pyetje - përgjigje.
E vlerësoj Raportin për veprimtarinë 1-vjeçare të KD të RTSH-së, që është pasqyrë e saktë dhe korrekte e veprimtarisë së saj dhe nga e cila krijojmë një ide relativisht të saktë për mënyrën se si funksionon, rezultatet e këtij operatori etj. Mendoj që në parametrat bazë RTSH-ja ka patur zhvillime pozitive dhe është kënaqësi që të konstatoj përmbysjen në raportin e të ardhurave, pasi kam qenë edhe vetë anëtar i Këshillit. Buxheti i Shtetit ka qenë në masën 60 %, ndërkaq tani është në masën 40%. Kjo tregon që ju keni filluar të funksiononi si strukturë publike nga ana financiare, se po realizoni të ardhurat tuaja. Përpjekja për përmirësimin e programacionit është pozitive, pasi ka pasur mungesa në një gamë të gjerë programesh. Ju, si operator publik, nivelin e përfaqësimit në programe duhet ta keni shumë të lartë. Nga Raporti shikojmë që është rritur sasija e orëve të programeve për fëmijë e të rritur. Mendoj se RTSH-ja e ka kaluar krizën e programeve, se ka të tilla që e plotësojnë nevojën e publikut, por ende jo në nivelin e duhur si cilësi, e cila është diçka më poshtë nivelit të operatorëve privatë. Ju e keni shansin që për shkak të strukturës, aseteve që keni, mund të bëheni realisht një stacion radioteleviziv shumë më konkurues. Sfida e vërtetë e RTSH-së është që në fushën e mediave nuk është në nivelin që duhet. Se në shumë vende të huaja mediat publike vazhdojnë të rezistojnë dhe janë shumë të rëndësishme. Pra, në këtë krahasim RTSH-ja është në nivel më të ulët. Personalisht mendoj se ajo që duhet të bëni është të përmirësoni cilësinë e programeve dhe të shtoni numrin e tyre. Ju përballeni me një sërë problemesh të trashëguara, që dalin ditë pas dite, për të cilat jemi të vetëdijshëm. Por mendoj, nga përvoja ime, apo kam përshtypjen që RTSH-ja vazhdon të shfrytëzojë një pjesë të vogël të kapaciteteve të saj, sepse burimet njerëzore mund të rigjenerohen dhe largimi i disa punonjësve mund të jetë pozitiv, pasi futen të rinj me vizion të ri.
Çfarë vë re nga Raporti, pikë problematike është pjesa politike. Normalisht nuk jemi pala që mund të vlerësojmë, pasi opozita ka patur pakënaqësi për ekuilibrin politik, që unë mendoj se është paragjykim dhe në thelb është akuzë politike. Mendoj, jo si përfaqësues i maxhorancës, se i duhet kushtuar një lloj kujdesi këtij lloj ekuilibri. Lajmet janë pak më shumë të ngarkuara me informacion politik dhe me pak të karakterit social, që do të riste hapësirën e RTSH-së në problematikë. Mendoj që ka ekzagjerime politike. Ne jemi të interesuar që RTSH publik ti shërbejë publikut sa më mirë.
Ju lutem, z. Tufa, të na bëni një prezantim shumë konçiz të Raportit, pra, jo lexim të tij, por gjërat kryesore. Edhe në rastin e Raportit të KKRT-së kemi vepruar kështu.
Pra, fjalën e ka kryetari i Këshillit Drejtues, z. Tufa.
AGRON TUFA Atëherë po jap jë ide të koncentruar të Raportit, me problemet që ndeshim përditë. Informacionin e hollësishëm e keni në Raport. Nga viti i kaluar jemi përpjekur të bëjmë një pasqyrë të atyre aspekteve ku kemi ecur përpara, se krijohet përshtypja sikur jemi obortarë apo shërbëtorë, gjë që është larg të vërtetës. Këtë të vërtetë mund ta konstatoni në çdo rast. Qëllimi ynë është kalimi nga një operator shtetëror në publik.
Analizat tona të hollësishme për gjithçka që na keni këshilluar dhe sugjeruar ju dhe Komisioni i Medias, mendojmë se kanë sjellë një reflektim të fuqishëm në pasurimin e RTSH-së me një spektër mjaft të larmishëm emisionesh kulturore, edukative, sportive, shkencore e artistike.
Nga pikëpamja menaxheriale dhe ekonomiko-financiare RTSH-ja ka patur përmirësime të mëdha, të dukshme dhe të vazhdueshme. Për herë të parë RTSH-ja arriti të marrë taksën e aparatit, si rezultat i përfshirjes së saj në faturën e energjisë. Kjo ka sjellë një përmirësim të dukshëm financiar, pasi janë mbledhur 300 milionë lekë të reja, të cilat janë planifikuar për të rritur: a) pagat e punonjësve, b) investimet teknologjike/ aparatura dixhitale, c) blerje të drejtash televizive (Kampionatin Botëror dhe Europian të Futbollit, olimpiada etj.).
Mund të themi se si Radio Tirana, ashtu dhe programet e Televizionit Shqiptar po fitojnë traditë e terren në tregun mediatik, rritje të shikueshmërisë dhe një profesionalizëm dukshëm në rritje. E kemi ndjekur ecurinë e këtyre programeve, kemi debatuar dhe mbështetur nxitjen e tyre, gjetjen e formave sa më gjithpërfshirëse të dialogimit qytetar përmes këtyre emisioneve.
Këshilli Drejtues i RTSH-së ka patur qasje të posaçme ndaj problemeve, sipas specifikës së tyre, duke i gjykuar ato me sinqeritet, profesionalisht, të zhveshur prej çdo lloj subjektivizmi privat apo anësie personale e jashtëpersonale, gjithkush me qëllimin final - përmirësimin e parametrave cilësorë në shërbim të dëgjuesit apo të teleshikuesit publik.
Por duhet të jemi të qartë se në përkushtimin tonë, jo gjithmonë kemi patur përkrahje dhe se puna jonë gjithmonë, për fat të keq, është e dënuar të paragjykohet herë pas here, shpesh me deklarata të karakterit politik, çka shkakton vetvetiu një tension artificial, aspak në të mirë të bashkëpunimit produktiv të zgjidhjes së çështjeve.
Dihet se vështirësitë për krijimin e një Radiotelevizioni real Publik janë të mëdha, të natyrave të ndryshme, të tilla që kërkojnë një përkushtim të sinqertë të të gjitha niveleve institucionale në kushtet teknologjike e financiare me të cilat përballet RTSH-ja.
Është krijuar një perceptim standard në lidhje me imazhin e RTSH-së, i cili reduktohet gjithmonë në edicionin e lajmeve, a thua se gjithë aktiviteti mediatik fillon e mbaron tek lajmet, edhe ato, të asaj pjese që përbën informacionin e realiteteve politike e qeveritare.
Megjithatë, duhet theksuar se edhe në edicionin e lajmeve, krahasuar me një vit më parë, janë bërë disa arritje që janë risi. Risi të tilla janë futja e edicionit të lajmeve në anglisht dhe një tjetër edicion informativ ne orën 13.00 për kategorinë e personave me aftësi të kufizuara shqisore. Gjithashtu, po nga Drejtoria e Aktualitetit është mënjanuar një nga emisionet e kritikuara më parë për anshmëri dhe është zëvendësuar me një emision tjetër që konceptualisht e përjashton njëanshmërinë. Pikërisht problemi i njëanshmërisë midis palëve, për sa i përket kohës radiotelevizive, ka qenë më e sulmuara nga jashtë prej opozitës. Ka patur kontestime për standardet profesionale dhe debate të vazhdueshme edhe në KD. Këshilli Drejtues është marrë, tekstualisht, në çdo mbledhje të tij me çështje që përbëj

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›