E Shtunë, 31 Tetor 2026

Procesverbal, datë 11.05.2010

//

Drejton mbledhjen:
Ilir Rusmali kryetar komisioni

Rendi i ditës:
1. Miratimi i procesverbalit.
2. Projektligji Për kundërvajtjet administrative
Marrin pjesë:
Ilir Rusmali, Eduard Halimi, Viktor Gumi, Enkelejd Alibeaj, Dashnor Sula, Nasip Naço, Gent Strazimiri, Paulina Hoti, Ylli Lama, Astrit Bushati, Edi Paloka, Mesila Doda, Aldo Bumçi, Fatos Hoxha, Arenca Trashani,
Mungojnë:
Dashamir Peza, Pandeli Majko, Saimir Tahiri, Bashkim Fino, Fatmir Xhafaj, Shegush Ligori, Damian Gjiknuri, Ermonela Felaj, Vasilika Hysi, Tom Doshi, Armando Subashi, Arben Isaraj
Të ftuar:
Isida Koka përfaqësuese e Ministrisë së Financave


HAPET MBLEDHJA

Miratohet procesverbali.
Ilir Rusmali Të nderuar zotërinj deputetë, fillojmë mbledhjen!
Sot kemi për të shqyrtuar projektligjin Për kundërvajtjet administrative. Kemi të ftuar përfaqësuesen e Ministrisë së Financave, zonjën Isida Koka, e cila do të bëjë prezantimin e këtij projektligji. Më pas fjalën do ta marrë zonja Arenca Trashani, që është relatore e komisionit për këtë projektligj.
Urdhëroni zonja Koka!
Isida Koka Mirëdita!
Projektligji që paraqitet sot për shqyrtim ka si qëllim të përmirësojnë ligjin aktual të kundërvajtjeve administrative të miratuar në vitin 1993, i cili i është nënshtruar herë pas here ndryshimeve, por jo në thelbin e tij. Një nga problematikat që paraqet ligji aktual Për kundërvajtjet administrative, i vitit 1993, është se ai i përket një periudhe shumë të hershme. Baza kushtetuese dhe ligjore të miratimit të këtij akti nuk janë ato të sotmet. Ky ligj nuk ka pasur mundësinë të parashikojë tendencën e evoluimit të marrëdhënieve administrative në këtë fushë. Objekti i këtij projektligji është përcaktimi i rregullave për konstatimin dhe shqyrtimin e kundërvajtjeve administrative të kryera nga persona fizikë dhe juridikë, procedurave dhe afateve të ankimit të akteve që vendosin ndëshkime apo sanksione administrative, si dhe procedurave të ekzekutimit të këtyre sanksioneve. Projektligji ka parashikuar edhe përkufizimin e kundërvajtjes administrative dhe është munduar që të japë, në mënyrë të dallueshme, ndryshimet mes kundërvajtjeve administrative dhe veprave penale.
Kundërvajtja administrative është shkelja me faj e dispozitave ligjore dhe nënligjore, e kryer me veprim dhe mosveprim, e konstatuar nga organi kompetent administrativ, për të cilën është parashikuar një dënim administrativ. Në lidhje me përgjegjësinë për kryerjen e kundërvajtjes administrative është parashikuar që do të mbajnë përgjegjësi personat fizikë që kanë mbushur moshën 18 vjeç, pra që kanë zotësi të plotë për të vepruar si personat juridikë.
Shkeljet që përbëjnë kundërvajtje administrative parashikohen me dy akte.
Së pari, me ligj të miratuar nga Kuvendi.
Së dyti, me vendim të Këshillit Bashkiak apo komunal.
Dy llojet e dënimeve administrative të parashikuara janë: dënimi me gjobë dhe dënimi me heqje lirie deri në 30 ditë. Masa e gjobës përcaktohet me ligje të posaçme, që. Ajo mund të jetë fikse ose e përcaktuar në kufij minimal apo maksimal. Në rastet kur ligji vendos kufij minimalë apo maksimalë për vlerën e gjobës, atëherë, për qëllim të vendosjes së dënimeve administrative nga vetë organi administrativ, i cili është parashikuar që të zbatojë ligjin e posaçëm, ai mund të miratojë metodikën e zbatimit të vlerave të gjobave, për rastet e kundërvajtjeve, që dënohen me të njëjtin sanksion. Disa nga kriteret që organi administrativ duhet të marrë parasysh gjatë vendosjes së dënimit administrativ me gjobë, janë: rëndësia e shkeljes, fakti nëse kundërvajtësi është apo jo përsëritës, pasojat që kanë ardhur nga veprimi ose mosveprimi i kundërligjshëm, si dhe rrethanat në të cilat është kryer kundërvajtja. Gjithashtu, organet administrative kanë në drejtë që, në rast se konstatojnë dëm të shkaktuar nga kundërvajtja, të kërkojnë shpërblimin e dëmit në përputhje me Institutin e Shpërblimit të Dëmit të parashikuar në Kodin Civil.
Kompetencën për konstatimin dhe shqyrtimin e kundërvajtjeve administrative, ajo i përket organit administrativ apo titullarit të tij, sipas përcaktimeve të bëra në ligjin e posaçëm të gjykatës, në rastin kur ligji i posaçëm e parashikon një gjë të tillë apo në rastin kur dënimi administrativ është për heqje lirie, i përket titullarit të organit që merret me zbatimin e ligjit, në rastet kur ligji i posaçëm nuk e parashikon se cili është organi që ka kompetencën për shqyrtimin e kundërvajtjeve dhe marrjen e vendimit, si dhe kryetarit të bashkisë apo të komunës për shkelje të konstatuara dhe të miratuara me vendim të Këshillit bashkiak apo komunal.
Ligji, në përputhje me Kodin e Procedurës Administrative kërkon në fillim ezaurimin apo shterimin e rrugëve administrative, përpara se një subjekt ti drejtohet gjykatës, në rastin e vendosjes së një sanksioni administrativ. Shqyrtimi i kundërvajtjes bëhet në prani të kundërvajtësit, por në rastet ku vërtetohet se ai është vënë në dijeni dhe përsëri nuk paraqitet për shkaqe të arsyeshme, mund të bëhet shqyrtimi në mungesë. Afati i shqyrtimit është 30 ditë nga momenti i konstatimit, deri në 6 muaj. Megjithatë, projekti parashikon edhe përjashtime, siç është rasti kur, për shqyrtimin e kundërvajtjeve administrative, është kompetente gjykata, kur ligji i veçantë ka parashikuar afate të ndryshme ose kur konstatimi i shkeljeve është bërë nga struktura auditimi apo inspektimi.
Janë tituj ekzekutivë: aktet administrative që parashikojnë dënim me gjobë të vendosur nga inspektoratet shtetërore, nga autoritetet e kontrollit dhe të mbikëqyrjes publike, nga të gjitha organet e administratës publike, që kanë kompetencë në nxjerrjen e akteve administrative individuale, veprimtaria e të cilave rregullohet me ligj të posaçëm, (në të cilin referohet apo jo, në procedurat e tij, pjesa që trajton titullin ekzekutiv) nga organet e administratës publike (nëse ligji i posaçëm i miratuar pas hyrjes në fuqi të ligjit Për kundërvajtjet administrative parashikon dënim me gjobë dhe referon në përgjithësi në ligj) si dhe nga bashkitë dhe komunat.
Nuk janë tituj ekzekutivë aktet administrative të vendosura nga organet administrative, kur akti është i natyrave të tjera dhe nuk parashikon dënim me gjobë, kur akti, përveç çështjeve të tjera, trajton edhe dënimin me gjobë për pjesën që nuk parashikon dënimin me gjobë dhe në çdo rast kur një gjë e tillë është e parashikuar nga ligji i posaçëm. Aktet administrative të dënimit me gjobë shndërrohen në tituj ekzekutivë në disa raste:
Në rastin kur merren nga organi i posaçëm i parashikuar në ligj dhe ky ligj nuk parashikon procedurat e ankimit administrativ ose në rastin kur ligji i posaçëm parashikon procedurat e ankimit administrativ dhe organi epror administrativ del me një vendim përfundimtar.
Në rastin kur ligji i posaçëm ka parashikuar procedurat e ankimit administrativ, paraqitja e këtij ankimi përpara organit administrativ epror, do të pezullojë zbatimin e dënimit me gjobë.
Në rastin e vendimit të kundërvajtjes administrative, që parashikon dënim të një natyre tjetër dhe jo dënim me gjobë, ai shndërrohet në titull ekzekutiv në momentin kur ligji i posaçëm ka parashikuar procedurat e ankimit administrativ dhe e drejta për ankim nuk ushtrohet brenda afateve ligjore të parashikuara në ligjin e posaçëm.
Për kundërvedimet për kundërvajtjen që parashikon dënim të natyrave të tjera, mund të paraqitet ankim brenda 30 ditëve nga momenti i shpalljes apo i njoftimit të vendimit. Në këtë rast vendimi i Gjykatës së Shkallës së Parë është një vendim përfundimtar. Në rastin e shqyrtimit me rrugë gjyqësore të vendimit të kundërvajtjes që ka parashikuar dënim me gjobë, gjykata shqyrton ligjshmërinë e aktit dhe kur konstaton se organi administrativ ka keqinterpretuar ligjin, ka shpërdoruar apo ka tejkaluar kompetencat e tij, atëherë mund të vendosë për masën e gjobës. Barra e provës i takon organit administrativ që të provojë bazue

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›