E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vetëm për dy gramë “hashash”!

Koli Bele

Në ditët e para të fillim vitit 2010, në morinë e lajmeve pothuaj të gjitha lidhur me përmbytjet, disa media të shkuara pasqyruan shkurtimisht lajmin lidhur me ekstradimin nga Italia të shtetasit shqiptar me inicialet D.Q, për të vuajtur dënimin prej 3.4 vjet burg për tregtimin e lëndëve narkotike. Natyrisht arrestimet apo ekstradimet për çështje droge janë thuajse të përditshme e nuk përbëjnë lajm, por ky rast bënte përshtypje pasi bëhej fjalë për një djalë të ri nga Berati i cili në vitin 2007, në moshën 18- vjeçare, ishte dënuar me 3.4 vjet burg pasi ishin gjetur në posedim vetëm 2.2 gramë lëndë narkotike e llojit Canabis Sativa, e njohur në gjuhën e përditshme si “hashash”. Burimi i lajmit ishte Zyra Shqiptare e Interpolit, e cila ekstradoi shkelësin e ligjit dhe ka pakësuar një emër në listën e gjatë të shtetasve shqiptarë në kërkim brenda dhe jashtë vendit. Ndërsa popullatës mbi 4 mijëshe që mbi-popullon burgjet shqiptare ju shtua një banor, “shteti” nuk vonoi të japë mesazhin se pavarësisht nga përmbytjet apo hallet e tjera, drejtësia vonon por nuk harron! Por a është ky rast apo qindra raste të ngjashme dënimesh me burgim të përdoruesve të drogës, “triumf i drejtësisë shqiptare”? A është e drejtë, e moralshme dhe njerëzore që një i ri 20-vjeçar të mbyllet për 3.4 vjet ose 1.200 ditë në kushtet pothuaj ç’njerëzore të burgjeve tona sepse po tymoste një “cigare hashash” dhe kishte me vete 4-5 cigare të tjera?
Natyrisht që prokurorët dhe gjyqtarët që i dënojnë me shumë vite burg adoleshentët që pinë një “cigare hashash” e kanë ndonjë tjetër rezervë nëpër xhepa, e kanë një justifikim, LIGJIN! Neni 283 i Kodit Penal, i ndryshuar në vitin 2001 përcakton: Shitja, ofrimi për shitje, dhënia ose marrja në çdo formë, shpërndarja, tregtimi, transportimi, dërgimi, dorëzimi, si dhe mbajtja, përveç rastit të përdorimit vetjak dhe në doza të vogla, të substancave narkotike dhe psikotrope, si edhe i farërave të bimëve narkotike, në kundërshtim me ligjin ose në kapërcim të përmbajtjes së tyre, dënohet me burgim nga pesë gjer në dhjetë vjet.
Pra Kodi Penal, “Bibla apo Kurani” i çdo prokurori e gjyqtari, sanksionon minimumi 5 vjet burg për çfarëdo situate që një shtetasi, qoftë edhe thjesht përdorues droge, i gjendet në posedim më shumë se një dozë me vete! E si për t’i prerë rrugën çdo interpretimi favorizues, Kolegjet e Bashkuara të Gjykatës së Lartë më vendimin Unifikues nr.1 të vitit 2008 e ngushtuan konceptin e “përdorimit vetjak”, duke e quajtur të drejtë një vendim të Gjykatës se Apelit Vlorë, që dënonte një të ri, po nga Berati, me 5 vite burg për mbajtjen e 1.9 gramëve heroinë, megjithëse provohej se ishte përdorues e sipas ekspertit kjo sasi mund të përdorej nga ana e tij brenda një dite. Duhet pranuar se për vepra, të cilat kanë rrezikshmëri të ulët shoqërore e ku aplikimi i dënimit me kusht ngelet në diskrecion të prokurorëve dhe gjyqtarëve, dënimet e ashpra janë edhe produkt i një tendence në Prokurori e gjykata për të qenë në rregull me statistikat. Tek e fundit prokurorët e gjyqtarët kanë të drejtë të aspirojnë për të bërë karrierë në një sistem drejtësie penale, ku dënimet e rënda perceptohen si treguesi i vetëm i suksesit e pak kush ndalet të analizojë rastet e rëndimit pa të drejtë të pozitës së të dënuarve! Për rrjedhojë, në emër “të luftës pa kompromis me krimin”, burgjet e vendit çdo ditë e më shumë janë duke u mbushur nga qindra përdorues droge, duke agravuar dramat personale dhe familjare që kjo kategori shoqërore kalon! Gjithsesi, dimensioni social nuk është problemi i vetëm! Nga një statistikë e para disa viteve, e Drejtorisë së Burgjeve, kostoja e burgimit për çdo shtetas është llogaritur rreth 5 mijë lekë të reja në ditë. Realisht kjo vlerë duhet të jetë akoma më e madhe nëqoftëse llogariten të gjitha kostot institucionale, duke filluar nga policia, prokuroria, gjykatat, burgjet e gjithë institucionet e përfshira në procesin penal. E nëse kjo kosto do llogaritej për qindrat e qytetarët, kryesisht të rinj që vuajnë dënimin në burgje apo paraburgim vetëm për disa gram lëndë narkotike, llogaria do ishte në miliona euro në vit! Por edhe fatura financiare e burgosjes është vetëm një pjesë e vogël e kostos që shoqëria shqiptare paguan. Përrallën e burgjeve si institucione ri-edukues, nuk e beson askush! Burgjet kanë qenë, janë dhe do ngelen shkolla krimi ku një adoleshent, me gjasa konsumator i marihuanës apo ndonjë substance narkotike, ndoshta për t’u ndjerë paksa rebel apo “trendi”, mbas disa muajve apo viteve në burg, do jetë padyshim kontigjent konstant i botës së krimit. Në këtë mënyrë shoqëria shqiptare do vazhdojë të paguajë kosto të tjera në një zinxhir përsëritës dhe përkeqësues! Përvojat botërore kanë treguar se politikat e ashpra penale e burgosjet masive nuk sjellin automatikisht zgjidhjen e problemeve sociale të një vendi, sidomos në drejtim të luftës ndaj përhapjes së narkotikëve. Përkundrazi! Shtetet e Bashkuara të Amerikës me politikën e tyre të ashpër të dënimeve penale, jo vetëm që vazhdojnë të kenë probleme serioze me përdoruesit e drogave, po sot janë shteti me shkallën më të lartë të burgosurve në botë, mbi 700 për 100.000 banorë! Kjo përqindje është 6-7 herë më e ulët në vende si Kanadaja fqinje, apo vendet “liberale” Evropiane si Hollanda, Danimarka, Suedia etj. Për kontrast në këto të fundit, kriminaliteti është më i ulët e siguria publike dukshëm më e lartë! Në Shqipëri është e vështirë të gjesh statistika, të paktën në faqen zyrtare te Ministrisë së Drejtësisë apo Drejtorisë Përgjithshme të Burgjeve nuk gjenden. Sipas një raporti të përvitshëm, të botuar nga Universiteti i famshëm Londinez King College, Shqipëria hyn në kategorinë e vendeve mesatare me popullsi të burgosurish prej 4.300 personash ose rreth 136 për 100.000 banorë. Gjithsesi shqetësuese është tendenca e qartë në rritje e këtij numri, duke pasur parasysh që në vitin 2001 kishim rreth 3.000 të burgosur! Pikërisht ky fakt duhet të tërheqë vëmendjen e ligjvënësve shqiptarë, e pse jo të bëhet objekt debatesh të ashpra parlamentare, ashtu siç ndodh në vendet e zhvilluara evropiane. Për këtë arsye është detyrim kushtetues raportimi në Kuvend i Prokurorit të Përgjithshëm, për gjendjen e kriminalitetit në vend i cili prej disa vitesh ose nuk bëhet ose është kthyer në një formalitet pa interes për ligjvënësit shqiptar. Aq më pak janë në vëmendjen e tyre, Kodi Penal e ai Procedurës Penale të cilët prej vitesh amendohen vetëm në drejtim të ashpërsimit të politikave penale! Aktualisht Kodi Penal dhe ai i Procedurës Penale i ngjajnë një korpusi ligjesh të “keq-arnuar” prej 15 vitesh pa ndonjë metodologji, përveçse politikave të ditës! Ashpërsimet e legjislacionit penal në vitet ‘99-2003 ishin deri në një farë mase të justifikuara për situatën e kriminalitetit në vend. është e drejtë të thuhet se politika e ashpër penale ishte po aq e imponuar edhe nga faktorët ndërkombëtare. Por kjo situatë është e superuar në Shqipëri prej disa vitesh dhe gjendja e kriminalitetit dhe trafiqeve është e përmirësuar në mënyrë të dukshme. Po kështu janë pjesë e historisë edhe hiberbolat letraro-politike me “mafien shqiptare më të rrezikshme në botë”, që na pengon të bëhemi pjesë e familjes evropiane.
Më 16 tetor 2009 ju sekuestrua një grupi kriminal serb në Uruguaj një sasi prej 2.5 ton kokainë, me vlerë tregu prej disa qindra milionë dollarësh, ndërsa po bëhej gati të nisej drejt Evropës. Më 29 nëntor 2009, po mafies serbe ju sekuestruan 492 kg kokainë në Argjentinë. Sasi të mëdha droge janë sekuestruar në Maqedoni, Kroaci, Malin e Zi e akoma më shumë kalojnë pa u kapur nga policitë respektive në atë që njihet si “rruga ballkanike e trafikut të drogës”! Për ironi mafies së “famshme” shqiptare, sasia më madhe e drogës së sekuestruar është 40 kg heroinë, drogë e cila kushton disa herë më pak se kokaina në tregjet evropiane! Për të mos përmendur Canabisin, e cila prej vitesh nuk është në fokusin e agjencive ligjzbatuese në Evropë! Megjithatë më 31 dhjetor 2009 serbët, malazezët e maqedonasit u lejuan të udhëtojnë pa viza për në Evropë, ndërsa shqiptarët akoma jo! Integrimi i vendit në Evropë apo liberalizimi i vizave nuk varen aspak nga dënimet shembullore dhe mbipopullimi i burgjeve me përdorues narkotikësh. Po ashtu siguria e kufijve të vendit nuk realizohet duke dënuar sipas nenit “drakonian” nr.298 të Kodit Penal, me minimumi shtatë vite burg, shoferë taksish e furgonash pasi transportojnë drejt pikave kufitare qytetarëve shqiptarë, që s’mund të marrin viza e detyrohen të kalojnë kufirin ilegalisht për të siguruar bukën e fëmijëve. Aq më pak na afrojnë me Evropën pamjet tragji-komike të policëve “llërëperveshur” që djegin para kamerave dengje masive me Canabis, duke raportuar dhjetëra mijëra rrënjë bimësh të korrura për çdo fshat të vendit! Para së gjithash, Shqipëria ka nevojë për përgjegjshmëri politike e institucionale, për reforma të thella legjislative sidomos në përafrimin e drejtësisë penale me standardet evropiane!
Dy fjalë për ta mbyllur!
Në disa vende Aziatike si Kina, Singapori apo Miamari mund të dënohesh me dhjetëra vite burg apo edhe me vdekje për posedimin e disa gramëve drogë. Në kontrast, në pjesën më të madhe të vendeve të Evropës Perëndimore policia prej shumë vitesh fokusohet tek trafikantët e nuk merret me përdoruesit e lëndëve narkotike apo personat që ju kapen 2 gramë drogë, qofshin këto edhe droga të forta. Duke besuar se orientimi i Shqipërisë është Evropa e jo Azia është imperative që ligjvënësit t’i adresojnë problemet komplekse sociale që lidhen me përdorimin e narkotikëve dhe dënueshmërinë e tyre. Së paku duke filluar nga zbutja e politikave të dënimit për drogat e buta, në mënyrë që burgjet shqiptare mos të mbushen me adoleshentë që u shkatërrohet jeta pa e nisur akoma, vetëm për 2 gram “hashash”!

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›