Tuneli i Kalimashit, radhë në hyrje
KUKES/ JONUZ HALLAÇI
Radhë në tunelin e Kalimashit. Hapja e galerisë së vetme në tunelin, pjesë e autostradës Durrës-Morin, ka sjellë dhe një fluks udhëtarësh që kalojnë drejt Kosovës ose anasjellas. Por, ndonëse rruga është shkurtuar me hapjen e saj, ka vonesa për të hyrë brenda galerisë së tunelit. Që nga momenti i çeljes së saj me dy kalime, firma ndërtuese "Bechtel Enka" ka publikuar oraret e mbylljes gjatë orëve të natës, pikërisht nga ora 24:00 deri në 06:00 të mëngjesit. Por, ditën e djeshme, ky orar nuk është respektuar, duke bërë që udhëtarët të bllokohen në të dy hyrjet, në veri dhe në jug të tunelit, deri në orën 08:00. Vetëm atëherë, punonjësit e sigurisë kanë dhënë lejen për të nisur qarkullimi. Në kohën e bllokimit, ekipet e specialistëve punojnë në brendësi të tunelit për të veshur plotësisht me brezin e sigurisë dhe elementët e tjerë pjesën prej afro 2.5 km në tunel, si dhe riparimin e dëmit që shkaktoi një kamion kur shqeu rrjetën në tavanin e tij. Vonesat e djeshme janë shpjeguar me probleme teknike të punimeve. Gjithsesi tashmë është bërë e qartë se kalimi në tunel dhe në aksin Kalimash-Rrëshen nuk do të ndërpritet. Në këto ditë të para të hapjes së tunelit, kalimet kanë qenë të shumta jo vetëm të pushuesve nga Kosova, por dhe të kureshtarëve të shumtë të cilët vijnë për të parë dhe kaluar në veprën më moderne të infrastrukturës në Shqipëri, pse jo dhe në Ballkan. Specialistë të huaj po merren me trajnimin e stafeve të sigurisë dhe zjarrfikëseve që do të punojnë në tunel, si dhe për ekipet e emergjencës. Ndër-kohë ka përfunduar dhe shpimi i galerisë tjetër në tunel dhe pritet që punimet deri në ndërtimin me të gjitha standardet në këtë galeri të vijojnë deri në vjeshtë. Dy galeritë janë me dy kalime, por aktualisht qarkullimi i automjeteve bëhet me grupim dhe shoqërim nga ekipet e sigurisë. Qar-kullime me kahe të kundërta në një galeri nuk lejohen. Normalisht kalimi në tunel zgjat 6-7 minuta. Pas daljes së tunelit, në të dy krahët, qarkullimi i automjeteve për në Tiranë dhe Kukës bëhet në segmentin jo plotësisht të përfunduar me dy kalime. Megjithëse në pjesën më të madhe të autostradës mundon sinjalistika, nuk janë shënuar aksidente të rënda, veç atij të pak ditëve më parë, kur u plagosën 4 anëtarë të një familjeje nga Tirana.