Kreu i PS-së Edi Rama kërkon10 milionë lekë nga Aldo Bumçi
08/02/2010 Bumçi: S’jam në dijeni të padisë
TIRANË- “Aldo Bumçi më ka cenuar rëndë dinjitetin dhe për këtë arsye kërkoi nga gjykata të bëjë përgënjeshtrim të deklaratave dhe të më dëmshpërblejë me një shumë parash prej 10 milionë lekësh”. Kjo është përmbajtja e padisë civile që kreu i PS-së ka bërë kundër, Aldo Bumçit, deputetit të PD-së. Edi Rama, kryebashkiaku i Tiranës njëkohësisht edhe kryetar i partisë opozitare në vend, ka regjistruar një tjetër padi në gjykatën e rrethit gjyqësor Tiranë. Këtë radhë padia e regjistruar dhe depozituar në zyrën e gjyqtares Majlinda Doga, mban emrin e kryetarit të Partisë Demokratike për Tiranën Aldo Bumçit. Padia mban numrin 4795 dhe është regjistruar në sekretari në datë 13 janar. Ndërsa vetëm tre ditë më parë ajo është hedhur në short dhe ka shkuar në zyrën e gjyqtares. Edi Rama kërkon që Aldo Bumçi të dëmshpërblejë kreun e Bashkisë Tiranë me një shumë që kap vlerën e 10 milionë lekëve. Objekti i padisë është “padi shkaktim dëmi”, parashikuar nga nenet 608 –654 KPC. Ndërkaq, Bumçi shprehet për gazetën “Metropol” se ende nuk kishte informacion për këtë padi dhe kur të njoftohej do dilte në një deklaratë. Në padinë e tij Edi Rama me cilësinë e kryebashkiakut kërkon që gjykata të detyrojë Aldo Bumçin të përgënjeshtrojë deklaratat e tij të bëra publikisht në lidhje me disa prona në Tiranë, leja e të cilave është dhënë nga bashkia. Nga ana e tij kërkohet të detyrohet për përgënjeshtrim të deklaratave dhe detyrimin për pagimin e demit jopasuror të shkaktuar nga cenimi i dinjitetit në shumën 10 milionë lekë. Në gjykatë janë regjistruar një numër jo i vogël padish civile që mbajnë emrin e Edi Ramës.
Rama padi ndaj Berishës
Një tjetër padi e bërë nga kreu i PS-së Edi Rama është ajo kundër Kryeministrit Sali Berisha. Padia është regjistruar në Gjykatën e Lartë dhe shumë shpejt pritet të shqyrtohet. Ndërkohë që edhe nëna e tij ka bërë të njëjtën gjë në Gjykatën e Lartë.
Rama padi ndaj Olldashit
Pas Sali Beridhës, personi që është akuzuar nga Edi Rama është edhe Sokol Olldashi, aktualisht ministër i Transporteve. Padia ka si objekt shpifjen. Nga paditësit kërkohet përgënjeshtrim dhe njëkohësisht mbjellja e disa rrënjë pemëve në Tiranë. Ndërkohë që kjo gjë kërkohet të vihet si detyrim nga gjykata.