E Diel, 1 Nëntor 2026

"Crans Montana", Berisha zyrtarizon mundësinë e ndërtimit të centralit atomik



Ervin Koçi

Në ditën e dytë të punimeve të Forumit ndërkombëtar ekonomik “Crans Montana”, që po zhvillohet në Tiranë, tema kryesore e tij ka qenë energjia dhe krijimi i burimeve të saj të qëndrueshme në rajon. Kryeministri Sali Berisha, i ftuar në forum, nuk ngurroi të prezantojë idenë e ndërtimit në vend të një centrali bërthamor për prodhimin e energjisë nukleare. Duke e konsideruar vendin dhe të gjithë rajonin si të stabilizuar ekonomikisht dhe politikisht, kryeministri Berisha e paraqiti Shqipërinë si një vend që synon të jetë “lider” në drejtim të prodhimit të energjisë në rajon. Për këtë qëllim ai përmendi në fjalën e tij edhe shikimin e mundësime për ngritjen e megacentraleve që do të prodhojnë energji, si dhe të ngritjes së një centrali nuklear, për të cilin ai tha se është duke diskutuar me institucionet ndërkombëtare. “Ne jemi të hapur edhe për centralet bërthamore dhe po shikojmë dhe duam të bashkëpunojmë me Agjencinë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike me qendër në Vjenë. Për këtë po përgatisim kuadrin ligjor dhe sapo ai të jetë gati ne do të fillojmë negociatat me Maqedoninë, Kosovën, Malin e Zi në përpjekje për të hartuar një projekt të përbashkët, sepse mendojmë se ky duhet të jetë burimi më i qëndrueshëm i energjisë”, - ka deklaruar kryeministri, Sali Berisha. Ai ka vijuar më tej se, qeveria po punon dhe është në procesin e ndërtimit të një linje të re që lidh Tiranën me Podgoricën. “Kjo është një linjë që lidh Tiranën me Prishtinën, gjithashtu është deklaruar se do të mbështetet dhe një lidhje mes Tiranës dhe Shkupit”, - tha Berisha.

Investitorët

“Ekonomia shqiptare paraqitet e re dhe dinamike me një rritje vjetore 6 për qind, rritje të eksporteve me 28 për qind, dhe të investimeve të huaja me 87 për qind në vitin 2007”. Kjo gjë, sipas kryeministrit Berisha, i cili ka thënë se, “stabiliteti është thelbësor për zhvillimin në rajon”. Sipas tij, riunifikimi i procedurave standarde dhe të kuadrit ligjor të taksave, do të ndihmonin rajonin dhe do ta bënin shumë më atraktiv për investitorët. Ai ftoi investitorët e huaj të investojnë në Shqipëri duke i garantuar mbështetjen e qeverisë. “Qeveria respekton lirinë e tregut ndërsa po punon për përmirësimin e klimës së biznesit”, - tha Berisha. Si vend shumë i pasur me burime hidrike dhe minerale Shqipëria ka shfaqur mjaft interes për investitorët e huaj. “Në zyrën time janë paraqitur dhjetëra projekte për porte të reja në Vlorë, Shëngjin, Porto Romano etj.”, - shtoi Berisha duke vijuar se “Shqipëria është një vend i vogël me një potencial të jashtëzakonshëm në turizëm, me 400 km brigje të paeksploruara dhe më të bukurat e Mesdheut”. Sipas tij, vendi ka pasuri të mëdha hidrike dhe kompani të mëdha europiane nga Norvegjia në Izrael kanë projekte për ndërtimin e HEC-eve. Ai vijoi më tej duke thënë se, “vendi është shumë i pasur në minerale, i treti ose i katërti në botë për rezervat e kromit, të nikelit dhe shumë të pasur në hekur”.

Infrastruktura

Energjetika, zhvillimet e sektorit në fokusin e Shqipërisë dhe vendeve të rajonit të Europës Juglindore, ishin në qendër të seancës së posaçme, që u zhvillua dje në Forumin “Crans Montana”. Ministri i Energjetikës, Genc Ruli, tha se për të tërhequr më shumë investitorë të huaj duhen investuar ende në infrastrukturë, sidomos në atë të porteve. “Qeveria do të mbështesë zgjerimin e kapaciteteve të porteve, ndërsa duhen vendosur standarde të reja për portet detare”, - tha ministri Ruli. Ai ofroi dhe mbështetjen e tij për Ministrinë e Transporteve për mënyrën sesi do të zhvillohen këto standarde. Në seancë u trajtuan temat që lidhen jo vetëm me tregun energjetik në Shqipëri, por dhe në vendet e tjera të rajonit të Europës Juglindore, futjen e energjive të rinovueshme, krijimin e tregut të energjisë në këtë rajon, etj. Ministri Ruli paraqiti dhe strategjitë që qeveria po zhvillon, për t’ju larguar krizës së energjisë, duke rritur prodhimin e saj përmes ndërtimit të HEC-eve të vogla dhe të mëdha, ndërtimit të rrugëve të transmetimit të energjisë përmes linjave të interkonjeksioneve, si ajo me Malin e Zi dhe në perspektivë edhe me Kosovën dhe Maqedoninë. Ai prezantoi dhe nevojën e ndërtimit të linjave të gazsjellësve dhe naftës, ku Shqipëria favorizohet nga pozicioni strategjik gjeografik, si dhe nxitjen për projektet e paraqitura nga investitorë të huaj për investime në këto fusha në Shqipëri. Në forum, veç përfaqësuesve të biznesit vendas dhe atij të interesuar për investime në Shqipëri, marrin pjesë dhe përfaqësues të forumeve më të rëndësishme ndërkombëtare.

17 Maj 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›