E Diel, 1 Nëntor 2026

Produktet kozmetike, shqiptarët 46 për qind më të “lyer” në vitin 2008



Ervin Koçi

Konsumatorët shqiptarë dhe veçanërisht femrat, kanë shpenzuar këtë vit një sasi jo të vogël parash për të qenë më të bukur. Këtë e vërtetojnë të dhënat zyrtare të INSTAT-it, që flasin për importet në rritje të produkteve kozmetike. Sipas këtyre të dhënave, “gjatë vitit 2008 importet e produkteve kozmetike janë rritur me rreth 46 për qind kundrejt vitit të kaluar dhe një pjesë e mirë e këtyre importeve, mbi 50 për qind, vijnë kryesisht nga vendet aziatike, kryesisht nga Turqia dhe Kina. Ndërsa sasia tjetër vjen nga firmat prestigjioze të vendeve të BE-së me filiale në Europën Lindore dhe rreth 32 për qind e produkteve kozmetike vijnë nga Italia”. Sipas raportit, konsumatoret më të mëdha të produkteve kozmetike me rreth 65 për qind janë femrat, ndërsa meshkujt janë më të dhënë pas produkteve higjienike, sesa pas kozmetikës. Por ajo çka vërehet nga të dhënat është rënia ndër kohë e volumit të artikujve higjienikë në përdorim, ku futen sapuni, shampot dhe detergjentet e tjera larëse, ato dezinfektuese dhe produktet klorifikuese, në një kohë që përdorim gjithmonë e më të madh kanë parfumet, kremrat për fytyrën, bojërat e flokëve dhe solucionet e makiazheve për femrat. Përsa i përket cilësisë, sipas raportit, gama e madhe e produkteve që hyjnë nga mjaft vende të botës lë hapësira të mëdha zgjedhjeje si në çmim, ashtu edhe në kualitet, por problem i madh mbeten produktet pirate ose false.

Imitacionet kozmetike

Futja e një pjese të madhe produktesh të kozmetikës nga vende të paafirmuara për këtë lloj industrie bukurie është kthyer sot në një problem të jashtëzakonshëm jo vetëm për kompanitë gjigante prodhuese të tyre, por edhe për shëndetin e konsumatorëve që i përdorin. Ekspertët e ekonomisë shprehen se tashmë kozmetika nuk është më një fushë e lidhur vetëm me përmirësimin e bukurisë, por edhe një tregues i mirëqenies. Sipas tyre, “përdorimi i produkteve kozmetike është tashmë pjesë e pandarë e jetës së përditshme të konsumatorit shqiptar”. Por ata vërejnë se kërkesat në rritje të konsumatorëve shqiptarë mund të krijojnë në një farë mënyrë hapësirën për përhapjen e shpejtë në treg të produkteve të falsifikuara, të cilat jo rrallë ofrohen si mallra origjinale. Në këtë drejtim tregu i kozmetikës në vendin tonë, por edhe konsumatori mbi të gjitha, janë të papërgatitur dhe të paaftë të dallojnë produktet origjinale nga të falsifikuarat. Për cilësinë dhe sigurinë e produkteve kozmetike, përfaqësues të firmave më të fuqishme të këtij tregu kanë organizuar jo pak herë fushata informimi për konsumatorët shqiptarë, duke i këshilluar mbi rreziqet dhe dëmet që shkaktojnë produktet e falsifikuara.

Produktet e reja kozmetike erotike

Joshja dhe dëshira për të bërë për vete personat që na rrethojnë është ndoshta edhe arsyeja kryesore pse i përdorim kaq shumë parfumet dhe kremrat e trupit. Tashmë përdorimi i rregullt i produkteve kozmetike është kthyer në një modë edhe në Shqipëri. Kështu, me dëshirën për diell, det dhe ajër të pastër, lind edhe ideja për t‘i kushtuar trupit më shumë përkujdesje. Për të qenë më seksi dhe sa më joshës nën çarçafë, ju vijnë në ndihmë produktet kozmetike erotike "kremi i kënaqësisë", "xheli i eksitimit" etj. Produktet "erotike" të bukurisë janë risia e fundit e industrisë gjigante kozmetike, por dhe shenjë e mirëqenies. Me sa duket, për vite me radhë biznesi lulëzues i seksit ka ndikuar shumë te kompanitë kozmetike. Sipas "Sexual Wellbeing Global Survey", studimi më i rëndësishëm botëror në fushën e seksit tregon se dyqanet e erosit kanë filluar të lulëzojnë kudo, tashmë edhe në Shqipëri. Tashmë kompanitë kozmetike, përveç veshjeve intime, vajit të masazhit, qirinjve aromatikë, propozojnë edhe produkte kozmetike erotike si parfume, xhele të ndryshme trupi, esenca eksitante dhe sa e sa produkte të tjera për të ndezur dëshirën seksuale.

Parfumet, dermatologët këshillojnë se kur duhet t’i përdorim

Zakonisht, pas dushit, kur lëkura është shpëlarë me ujë të ngrohtë dhe poret janë hapur, është mirë që t‘i hidhet parfum ose të lyhet me krem. Një lëkurë në këtë gjendje garanton një qëndrueshmëri më të lartë të aromës së produkteve kozmetike. Dermatologët theksojnë edhe se përdorimi i parfumeve apo produkteve të tjera aromatike, gjatë ciklit menstrual dhe te femrat që vuajnë nga migrena, duhet shmangur patjetër, pasi çon drejt dhimbjeve të forta të kokës. Sipas tyre, nëse hidhet mbi lëkurë, parfumi mund të provokojë mbi lëkurë disa irritime të lehta. Kjo ndodh nëse ke një epidermë shumë të ndjeshme. Më të shpeshta në fakt janë njollat që shkaktohen nëse pasi ke hedhur parfum bën banjë dielli, ose një seancë solari. "Kur ndiejmë një parfum, miliona receptorë të qelizave të aparatit të nuhatjes transmetojnë impulset e tyre në tru, i cili i interpreton dhe vendos se cilat aroma na pëlqejnë", shpjegojnë dermatologët. "Por hapësira ndërmjet një stimuli të thjeshtë dhe dhembjes është shumë e ngushtë dhe mjafton pak për ta kapërcyer. Kjo ndodh, për shembull, kur një aromë është shumë e fortë, ose nëse nuhaten shumë parfume njëri pas tjetrit. Atëherë ndodh të provokohen dhimbje koke, deri në të vjella. Në të kundërt, nëse përdoren në sasinë e duhur, disa esenca kanë aftësinë të largojnë migrenën. Ndër këto, livanda, mentja dhe trëndafili". Si përfundim, mos harroni se, edhe pse parfumi është një element më shumë për të theksuar elegancën, asnjëherë nuk duhet vendosur në faqe, ballë apo mbi veshje, pavarësisht mbrëmjeve speciale për ku jeni nisur.

24 Tetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›