Bursat, çmimet e karburanteve dhe të lëndëve të para në ulje drastike
Bursat europiane kanë rënë që në hapje, duke ndjekur humbjet në tregjet aziatike të shkaktuara nga frika e recesionit global. Me tregun e valutave, euroja ka shënuar rekord të rënies në 20 muajt e fundit ndaj dollarit amerikan. Edhe çmimi i naftës në Azi ka rënë nën 70 dollarë për një fuçi. Gjatë ditëve të para të kësaj jave çmimet në pikat e tregtimit të karburanteve në Tiranë kanë shkuar drejt uljes, duke rënë deri në 5 lekë më pak për 1 litër. Nga vëzhgimet e kryera në pika të ndryshme të tregimit të karburanteve, rezulton se në fillim të javës (e hënë), 1 litër naftë u shit mesatarisht me 140 lekë, 1 litër benzinë me 145 lekë, ndërsa 1 litër Euro Diezel po me 145 lekë. Ndërkohë, në mesjavë (e enjte) çmimet ishin: 1 litër naftë 135 lekë, 1 litër benzinë 140 lekë dhe 1 litër Euro Diezel po 140 lekë. Në uljen e çmimeve të karburanteve kanë ndikuar uljet e çmimit të shitjes së naftës në tregun ndërkombëtar, ku sot nje fuçi nafte shitet me 67 dollarë, ndërsa dje me 69,2 dollarë.
Organizata e Detit të Zi, nis në Shqipëri takimi i 19-të
Nisi dje në Tiranë takimi i 19-të i Këshillit të Ministrave të Jashtëm të Organizatës së bashkëpunimit ekonomik ndërmjet vendeve të Detit të Zi. Kryeministri shqiptar Sali Berisha e cilësoi si mjaft të rëndësishëm bashkëpunimin ekonomik në kuadër të kësaj organizate e cila jep një kontribut “për të zgjidhur problematikat e trashëguara si dhe kontribuon në paqen dhe stabilitetin ndërmjet vendeve të këtij rajoni”. Më tej kryeministri tha se Shqipëria pret anëtarësimin e saj në NATO pranverën që vjen dhe se ajo po punon me vendosmëri për të marrë statusin e kandidatit në rrugën e BE-së. Një nga dokumentet kryesore të takimit do të jetë diskutimi e miratimi nga ministrat e Jashtëm të “Deklaratës së Tiranës”, që do të pasqyrojë qëndrimet e përbashkëta të vendeve anëtare lidhur me bashkëpunimin në kuadër të BEDZ-it dhe të aktiviteteve të tij, si dhe për prioritetet dhe vizionin e tyre për rolin dhe funksionimin e Organizatës. Takimi ka rëndësi rajonale në pozicionin e Shqipërisë, si një vend i cili merr përgjegjësinë e organizimit të aktiviteteve të tilla të mëdha. Pas Shqipërisë Armenia do të marrë kryesimin e Këshillit të Ministrave të jashtëm të Detit të Zi.
Unioni i Shoqatave të Kursim-Kreditit bën bilancin e aktivitetit 7-mujor
Unioni i Shoqatave të Kursim-Kreditit, institucion financiar i tipit kooperativë, që operon në fushën e mikrofinancës rurale në Shqipëri, ka rritur ndjeshëm në 7 muajt e parë të vitit 2008 të gjithë treguesit financiarë dhe institucionalë, krahasuar me vitin 2007. Burime zyrtare nga ky Union, bënë të ditur se në bilancin e aktivitetit 7-mujor për vitin 2008, shënohet një rritje prej 15 për qind në portofolin e kredisë, 10 për qind në kapital, 25 për qind në depozita dhe 23 për qind në total asetesh. Për periudhën Janar-Shtator 2008, USHKK-ja rezulton me një total asetesh prej 4,4 miliardë lekë, portofol kredie në shumën 3,57 miliardë lekë, kapital në vlerën e 1,2 miliardë lekëve dhe depozita në vlerën e mbi 1 miliardë lekëve. Duke iu referuar statistikave zyrtare, në periudhën janar-shtator 2008, USHKK-ja ka disbursuar mbi 5400 kredi të reja, që kapin një vlerë totale prej 1,8 miliardë lekë. USHKK-ja vepron kryesisht në zonat rurale të vendit, ku ofron shërbimet e mikrokredisë dhe kursimeve për anëtarët e tij. USHKK-ja ka një rrjet prej 103 Shoqërish të Kursim Kreditit, të shtrira ne 778 fshatra në 13 rrethe të Shqipërisë, me rreth 23,393 anëtarë nga të cilët 15,630 janë huamarrës aktivë.
24 Tetor 2008