Produktet ushqimore vijojnë rritjen. Pas fruta-perimeve, edhe mishi e bulmeti
Çmimet e ushqimeve kanë pësuar një rritje të përgjithshme në dy javët e fundit, gjë që konstatohet në të gjitha tregjet dhe njësitë e shitjes. Pas frutave dhe perimeve që nuk ishin të stinës, rritje tashmë kanë filluar të pësojnë edhe artikujt e tjerë si mishi, bulmetrat, por edhe artikuj të importit. Sipas një vëzhgimi të bërë në terren, pothuajse të gjitha produktet janë të importit gjë që ka bërë që shumica e mallrave të jenë rritur me 20-50 lekë më tepër. Shitësit shprehen se diçka e tillë ka të bëjë edhe me efektet sezonale, por edhe me rënien e prodhimit të vendit gjatë kësaj periudhe. Rritjen më të fundit në tregje e ka pësuar çmimi i mishit si dhe i nënprodukteve të tjera të tij, të cilat janë bërë të papërballueshme për blerësit, sidomos për pensionistët. Rritja e çmimeve po sjell dalëngadalë edhe rënie të shitjeve, por njëkohësisht edhe boshatisjen e xhepave të konsumatorëve nga blerja e produkteve që janë të domosdoshme. Shtrenjtimi i çmimeve të artikujve ushqimorë ka shkaktuar rritjen e kostos së jetesës në vend. Në krahasim me një vit më parë, indeksi i çmimeve të konsumit për muajin janar arriti 102,6 për qind, duke pësuar një rritje me 0.4 për qind krahasuar me një muaj më parë. Instituti i Statistikave njoftoi se gjatë muajit janar inflacioni arriti në 2.1 për qind, duke shënuar një rritje prej 0.4 për qind kundrejt muajit të kaluar (dhjetor 2008). Krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, inflacioni rezulton 0.9 për qind më i ulët. Në ecurinë e këtij treguesi ka ndikuar kryesisht indeksi i grupit “Ushqime dhe pije joalkoolike”, i cili ka shënuar një rritje prej 1.5 për qind. Rritjen më të madhe të çmimeve e ka pësuar grupi i zarzavateve, përfshirë patatet me 13.7 për qind, ndërkohë që është rritur çmimi edhe i grupeve të tjera si ai i "frutave", "mishit", "peshkut" etj. Indeksi i grupit “Pije alkoolike dhe duhan” shënoi një rritje prej 0.7 për qind, brenda të cilit çmimet e pijeve alkoolike u rritën me 1.1 për qind dhe çmimi i duhanit u rrit me 0.4 për qind.
Mungesa e energjisë bllokon letërnjoftimet e reja në Cërrik
ELBASAN - Në Bashkinë e qytetit të Cërrikut është bllokuar, pa filluar ende, procesi i aplikimit për letërnjoftimet e reja. Shkak i paralizimit të këtij procesi, realizimi i të cilit është kthyer në një problem kombëtar, sipas burimeve zyrtare po bëhet mungesa e energjisë elektrike në këtë qytet. Ndërprerjet me orar të tejzgjatur, për shkak të një remonti që ka filluar në linjat elektrike të qytetit të Cërrikut, ka krijuar kaos dhe rrëmujë para zyrave ku duhet të bëhet aplikimi për letërnjoftimet e reja. Ky proces në këtë qytet ka startuar që më 26 shkurt, por ndërsa qytetarët kanë blerë qindra kuponë pranë filialit të Postës Shqiptare për t’u pajisur me letërnjoftimin e ri dhe pasaportën biometrike, nuk është bërë ende aplikimi i parë për këto dokumente. Shefi i Seksionit të Personelit pranë Bashkisë së Cërrikut, Qerim Baku, tha dje se kjo situatë shkakton vështirësi në punën e administratës dhe në atë të aplikimit për letërnjoftimet e reja.
Përfshihen nga flakët dy banesa, vetëm dëme materiale
Krujë - Një zjarr i fuqishëm ka përfshirë mesditën e djeshme dy banesa në fshatin Borizan të rrethit të Krujës, duke i djegur plotësisht ato. Fatmirësisht, nga ky zjarr nuk ka pasur dëme në njerëz, por vetëm dëme materiale. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 15:00 të mesditës së djeshme. Në vendngjarje për të shuar flakët e zjarrit kanë mbërritur forcat zjarrfikëse nga Kruja, Laçi e Lezha, duke shmangur kështu përhapjen e mëtejshme të flakëve. Bëhet e ditur se dy banesat kanë qenë në pronësi të dy vëllezërve Muharrem e Blerim Leka. Ende nuk bëhet i ditur shkaku i flakëve, por mësohet se po hetohet për zbardhjen e kësaj ngjarjeje.
2 Mars 2009