Produktet vendase, më të mirë se ato të importit
Kryeministri viziton panairin “Blej shqip”
Kryeministri Berisha, i shoqëruar nga bashkëshortja e tij, znj. Liri Berisha, vizitoi në mesditë panairin “Blej shqip”, të organizuar nga Bashkia e Tiranës, në kuadër të veprimtarive për ditën e 28 Nëntorit. Kryeministri Berisha vizitoi stendat e shumta të panairit dhe, së bashku me bashkëshorten e tij, blenë produkte të ndryshme vendase, si ushqimore ashtu edhe artizanale. “Bli shqip”, - theksoi Kryeministri Berisha -, është blerja me e mirë e botës, pasi nuk ka prodhime më të shijshme se prodhimet e kësaj toke”. Ai nënvizoi se përpiqej që në tryezën e familjes së tij të mos ketë gjëra të importuara. Kryeministri Berisha vlerësoi se ky panair ekspozonte në mënyrën më të shkëlqyer pasuritë e mëdha shpirtërore të shqiptarëve, por edhe prodhimet më të shijshme të kësaj toke. “Ishte një nga panairet më të mirë që kam vizituar, ku prodhuesit shqiptar kishin paraqitur të gjitha delikatesat e tyre në fushën e gastronomisë, kishin paraqitur krijimet më të bukura popullore artistike, qëndismat, qilimat, statuetat, punimet alabastër, djathi i Kelmendit, në versione holandeze, por i një shijeje si ai, prodhime të tjera artizanale, filigrani ndër më të bukurit. Ky ishte një panair që ekspozonte në mënyrën më të shkëlqyer pasuritë e mëdha shpirtërore të shqiptarëve, por edhe prodhimet më të shijshme të kësaj toke”- tha Berisha. Gjithashtu, Kryeministri Berisha vlerësoi këtë nismë të Bashkisë së Tiranës për të promovuar produktet shqiptare, por e përgëzoi atë edhe për gjithë organizimet e tjera për festën e 28 nëntorit. Në këtë panair ishin ekspozuar produkte shqiptare në fushën e gastronomisë, por edhe në prodhime artizanale popullore dhe krijime artistike si; qëndisma, qilima, statueta, punime alabastër, punime filigrani, etj.
“Dua të përgëzoj Bashkinë e Tiranës, që me këtë organizim dhe me organizimet e tjera, i ka dhënë 28 nëntorit nderimin që meriton kjo festë, për të gjithë shqiptarët kudo që janë.
Edhe njëherë, shfrytëzoj rastin t’ju uroj shqiptarëve gëzuar ditën e Flamurit dhe të Çlirimit. Këtë vit e festuam, pasi rreth 4 milionë shqiptarë kanë hyrë e kanë dalë nga Shqipëria me pasaportë biometrike dhe kjo është një arritje epokale. Është viti i parë në të cilin qytetarët shqiptarë lëvizën me të njëjtën lehtësi në hapësirën e Shengenit, si dhe kryeministri e presidenti i tyre. Le të urojmë dhe të shpresojmë që 100 vjetorin ta festojmë edhe më mirë, edhe më të mëkëmbur dhe më afër aspiratave dhe idealeve tona kombëtare”.